Gjilani mban koncert në nderim të qytetarëve të vdekur nga COVID-19

Është mbajtur mbrëmë koncerti “Requiem of Hope” nga ClassiKos, në nderim të 93 qytetarëve të Gjilanit që humbën betejën me sëmundjen e rrezikshme.

Koncerti është mbajtur duke respektuar masat anti-COVID-19.

Drejtoresha e Kulturës në Gjilan, Deniza Limani ka falënderuar mantelbardhët për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë gjithë kohës së pandemisë.

“Sonte bëjmë homazh për 93 qytetarët tanë të cilët e humbën betejën me virusin, i cili e ka gjunjëzuar botën dhe Kosovën. Është emocion për të folur këtu, sepse edhe unë e kam humbur një anëtare të familjes sime”, tha Limani, transmeton “gazetascanner.com”.

Në këtë koncert u interpretuan vepra madhështore nga Moxart, R.Dhomi, C.Zadeja, T. Albinoni dhe A.Peterson, të cilat u performuan nga profesionistët e Gjilanit: Orkestrina dhe Kori nën udhëheqjen artistike të Burhan Azizi me dirigjente Florentina Rushiti – Bajrami dhe në piano Ndriqim Bajrami.

Secila vepër e sjellë në skenë, ishte e përmbushur me shumë emocion. Një lidhje e pa përshkruar mes thjeshtësisë së melodisë dhe interpretuesve ku shprehej kontrasti i mprehtë mes të bukurës dhe dhimbjes.

Ndryshe, në skenë për secilën jetë të humbur nga ky virus ishte ndezur nga një qiri.