Qyteti i gurtë i Gjirokastrës shënon 15-vjetorin e përfshirjes në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Bashkia e Gjirokastrës organizoi një sërë aktivitetesh për këtë ditë të shënuar të qytetit që pret mijëra turistë çdo vit.
Në aktivitetet e organizuara morën pjesë kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, prefekti i qarkut Astrit Aliaj, kryetarja e Këshillit të qarkut Lindita Rova, qytetarë etj.
Në fjalën përshëndetëse prefekti i qarkut uroi për 15-vjetorin e Gjirokastrës në UNESCO, një qytet që është i vlerësuar për historinë dhe traditën e tij si dhe theksoi se ka vizituar Gjirokastrën 15 vite më parë, një muaj më vonë kur Gjirokastra ishte bërë qytet muze i mbrojtur nga UNESCO.
Aliaj tha se “mbas 15 vitesh ndihet i lumtur që po i shërben Gjirokastrës dhe qytetarëve të saj”.
Aktivitetet kulturore në kuadër të 15-vjetorit të hyrjes në UNESCO u çelën me zhvillimin e konferencës shkencore “Gjirokastra si vlerë e trashëgimisë kulturore botërore” në shtëpinë e Zekatëve dhe do të vijojnë dhe ditët në vazhdim sipas programit 5 ditor ku përfshihen veprimtari kulturore si ekspozita me foto, panaire artizanati e kulinarie, koncerte, film dokumentar dhe mbrëmje polifonike.