Zvicra sivjet përfaqësohet nga një shqiptar në festivalin e madh evropian, “Eurovision Song Contest 2021”.
Ai është Gjon Muharremaj, i njohur me emrin artistik “Gjon’s Tears”, i cili prezanton sivjet shtetin zviceran me këngën “Tout l’Univers”, pas një tentative të dështuar për ta prezantuar vitin e kaluar me këngën “Répondez-moi”, pasi “Eurovision”-i u anulua për shkak të pandemisë COVID-19.
Gjoni, i cili me prejardhje është nga Suhareka e Kosovës, rrëfen në një intervistë për Telegrafin, rrugëtimin e tij muzikor në Zvicër dhe synimet për ta përfaqësuar sa më denjësisht shtetin në të cilin jeton, në festivalin e madh të këngës “Eurovision”.
Në vazhdim, ju sjellim rrëfimin e artistit shqiptar refugjat në Zvicër, i cili mori bekimin e shtetit helvetik për ta reprezentuar vendin në atë që njihet si konkursi më i madh i këngëve evropiane.
Gjon, jeni zgjedhur përfaqësuesi i Zvicrës sivjet në “Eurovision”. Na trego pak sa të lumtur iu ka bërë ky fakt?
Jam ndjerë shumë krenar dhe me fat se është eveniment shumë unik dhe do më japi shumë eksperiencë në artin tim.
Ju ishit parashikuar ta përfaqësonit vitin e kaluar shtetin zviceran në “Eurovision”, por pandemia pamundësoi mbajtjen e tij. A ju zhgënjeu shumë fakti që “Eurovisioni” nuk u mbajt vitin e kaluar?
Kur më erdhi lajmi i anulimit të “Eurovision 2020” isha shumë i frustruar se nuk kisha shkuar deri në fund të eksperiencës dhe të procesit të “Eurovision”-it. Kur erdhi puna të shkoja prapë këtë vit, 2021, ishte për mua si një kënaqësi të këndoja në atë skenën e Rotterdamit.
Kënga përfaqësuese titullohet “Tout l’Univers”. A mund të na tregosh pse ky titull dhe cila është domethënia e tekstit të këngës?
Ideja e këngës lindi mes bashkëpunimit tim me Wouter Hardy, producent i “Arcade” (kënga fituese e vitit 2019) dhe me Nina Sampermans, shkrimtare dhe kompozitore. Kënga ishte fillimisht e shkruar në gjuhën angleze dhe u përkthyer me Xavier Michel në frëngjisht. Tema flet për ciklin e jetës nga prishja e çdo gjëje e deri te rindërtimi, dhe për t’ia dalë mbanë këtij procesi duhet ta kërkojmë energjinë dhe fuqinë në fund të vetvetes. Doja të dilja me një mesazh pozitiv dhe plot shpresë edhe në momentet më të komplikuara të jetës.
Jeni shqiptari i parë që jeni zgjedhur si përfaqësues i Zvicrës ndonjëherë në “Eurovision”. Si erdhi deri të përzgjedhja juaj si përfaqësues i shtetit zviceran në “Eurovision 2021”?
Kënga “Répondez-moi” është kompozuar tek një “Writting camp” në Cyrih me një duet zviceran që quhen Aliose. Në atë moment që lindi kjo këngë që fliste për origjinë, identitet dhe vetpyetje të jetës, u binda të provoja të merrja pjesë tek konkursi ku ishin 600 këngë të regjistruara. Diferenca më e madhe që kisha me të tjerët, më thanë televizioni i Zvicrës, ishte fuqia e zërit tim live dhe bukuria e temës që trajtonte teksti.
Ti je me prejardhje shqiptare, por jeton dhe vepron në Zvicër? Cila është historia juaj e familjes dhe sa shpesh vini në vendlindje?
Unë jam lindur në Zvicër nga prindër që kanë imigruar. Babai im është nga Suhareka në Kosovë dhe mamaja nga Tirana në Shqipëri. Jemi një familje e madhe, kështu që vija çdo vit të shikoja kushërinjtë e mi dhe familjen e gjerë. E kemi pas si traditë në pushimet e verës dhe të dimrit.
A do të kishit dëshirë që në ndonjë të ardhme ta përfaqësonit edhe Shqipërinë ose Kosovën në “Eurovision”?
Pse jo. Me gjithë qejf.
A e ke dëgjuar këngën përfaqësuese të shtetit shqiptar sivjet në “Eurovision”, a ju ka pëlqyer dhe a ke pasur rastin të kontaktosh apo të njihesh me Anxhela Peristerin?
Më ka pëlqyer shumë. Besoj me të vërtetë që është një këngëtare me shumë talent dhe kemi folur së bashku disa herë.
Ju do të ngjiteni në natën e dytë gjysmëfinale në skenën e Rotterdamit për të kënduar live këngën tuaj. Do jeni i vetëm në skenë, apo keni menduar ta shoqëroni paraqitjen tuaj edhe me performancë me balerinë?
Për momentin është shumë herët për të dhënë sekrete të performancës time, por shpresoj që do t’ju pëlqejë dhe i besoj bashkëpunëtores Sacha Jean-Baptiste për atë.
Karriera jote ka nisur në Shqipëri. Ju para 11 viteve keni qenë sensacion në spektaklin e talenteve “Albanian’s Got Talent”, ku shkuat deri në finalen e madhe. Si ka qenë për ty kjo eksperiencë dhe si e kujton?
E kujtoj si një suvenir shumë të bukur dhe mbresëlënës, dhe jam ndjerë me fat që jam mirëpritur si në Shqiperi dhe Kosovë. Të gjithë ma përkujtojnë akoma interpretimin e “Je t’aime” nga Lara Fabian që iu pëlqeu shumë publikut të Shqipërisë së madhe.
Gjon, faleminderit shumë për intervistën. Shumë suksese në “Eurovision”. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt për të gjithë shqiptarët?
Besoni në ëndrrat tuaja dhe punoni sa më shumë për ti i arritur qëllimet tuaja. Mos dyshoni në vetvete sepse asnjëri nuk do t’i besojë projektit tuaj më shumë se ju. Faleminderit shumë për mbështetjen, dashurinë dhe përkrahjen tuaj. Faleminderit juve për intervistën./Telegrafi