Futja e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, akademiku Gjovalin Shkurtaj e shikon një problematike të madhe. Shkurtaj shprehet se me futjen e fjalëve të huaja po ndryshon dhe struktura e fjalisë, duke e bërë atë gjysmake edhe në kuptim.
Ja si e ilustron ai me disa shembuj!
“Ne duhet ta themi fjalën shqip dhe ta mendojmë shqip. Kohët e fundit nën trysninë e përkthimeve dosido ka dhe një farë robërimi të mendimit duke bërë kalke.
Për mua, përveç fjalëve të huaja të cilat hyjnë dhe mund të dalin, më të këqija janë kalket strukturore. Domethënë kur fjala është në shqip por është sipas një modeli të huaj. Për shembull, e tmerrshme është bërë kjo “share”, pra ndaj.
Dëgjoj të thonë ‘ndau mendimin’, por mendimi nuk është as shegë, as shalqi që ta ndajmë me thikë. Shqip thuhet mbështes mendimin, pranoj mendimin, pra kjo është një marrje borxh e fjalëve të huaja pa nevojë.
Ne mund të marrim terma, fjalë të politikës, ekonomisë, të elektronikës por dhe aty mund të bëjmë diçka. Për shembull, brezi i ri pas një gëzimi java u bë me 5 ditë punë dhe jo 6, i thonin fundjavës weekend. Të gjithë të dashuruar me weekend-in, mirë por çfarë ndodhi.
Një ditë të bukur, filluan të përdornin fundjavë, pastaj iu bë edhe fundvit, domethënë zuri rrënjë fjala e thënë mbi bazën e një modeli të huaj por në gjuhën shqipe.
Kështu ndodhi edhe për fjalën e famshme password, të rinjtë tani po përdorin fjalën- fjalëkalim. Domethënë po të mendohemi pak më shumë si ta themi, do bëjmë mirë pasi fjala është edhe si orteku.
Ato fjalë që themi ne sot, nëse janë fjalë të mira, zënë vend tek njerëzit e thjeshtë. Nëse janë thënë mbrapsht, ato mbrapsht do të qëndrojnë. Domethënë, kur del një term për herë të parë ka rëndësi si e përdorim.
Nëse mundemi ta themi shqip, do të zërë vend siç e thotë i pari. Ndaj ndikoni që fjala të thuhet në shqip”, tha studiuesi Gjovalin Shkurtaj.
Videon mund ta shikoni duke klikuar KËTU:/dritare.net
ObserverKult
Lexo edhe:
GJUHËTARI GJOVALIN SHKURTAJ KËRKON QË DEPUTETËT T`I NËNSHTROHEN PROVIMIT NË GJUHËN SHQIPE
Akademia e Shkencave ka kërkuar që të krijohet një fjalor i plotë për gjuhën shqipe dhe një ligj që ta mbrojë atë.
Gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj është i mendimit se duhet t’u japim votën politikanëve duke i vlerësuar edhe nga ana e të shkruarit e të folurit të shqipes.
“Madje para se të marrin mandatin ata duhet ti nënshtrohen provimit të gjuhës shqipe dhe ata duhet të marrin notë mbi 8-të që të kalojnë. Por kjo nuk vlen vetëm për politikanët por për të gjithë administratën publike”, ka thënë Shkurtaj.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult