Dokumente dhe fotografi me vlera të veçanta dhe me rëndësi të jashtëzakonshme që nga Kongresi i Manastirit e deri te Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe u prezantuan në kalanë e Tiranës.
Ekspozita e titulluar “Gjuha shqipe, nga alfabeti në drejtshkrim” dhe e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare zgjoi kureshtjen e vizitorëve.
Duke qenë se Kongresi i Drejtshkrimit ishte rrjedhojë e një procesi të gjatë përpjekjesh për shqipen standarde, në panelet e kësaj ekspozite janë paraqitur momente me rëndësi që nga Kongresi i Manastirit i cili mori vendimin e rëndësishëm që për shkrimin e shqipes të përdorej ky alfabet, që ne kemi edhe sot.
Drejtoresha e Drejtorisë së Evidencës Qendrore dhe e Komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Elsa Saka, tha se DPA dhe ATSH janë dy institucione që ruajnë kujtesën historike të periudhave të ndryshme.
“Ne po japim vlera të veçanta, edhe pse në kushte të vështira. Kjo është një ekspozitë në bashkëpunim me ATSH-së sepse të dyja institucionet ruajnë memorien historike të periudhave të ndryshme. Po i japim vlera të veçanta kësaj ekspozite. Edhe pse në kushte të vështira për shkak të pandemisë e hapëm ekspozitën për publikun “, – theksoi Saka.
“Kjo ekspozitë i kushtohet drejtshkrimit të gjuhës shqipe ku kanë qenë përfaqësus albanologë shumë të famshëm nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe një kongresi që është mbajtur për shkrimin dhe standardizimin e gjuhës shqipe, për të patur një standardizim të përhershëm.
Nëse për studiuesit dhe historianët, këto janë dokumente dhe fotografi, të cilat kanë mundur t’i kenë në duar pasi kanë kryer studime mbi këto ngjarje me rëndësi, për studentët dhe për qytetarët, ekspozimi në këtë hapësirë publike në kryeqytet, është me jo më pak interes pasi kështu shikojnë nga afër disa ngjarje dhe personazhe me rëndësi jo vetëm për historinë e gjuhës shqipe por për historinë e vendit.
Drejtoresha e Lajmeve dhe Multimedias në ATSH, Almarina Gegvataj, tha se “bashkëpunimi me Arkivin e Shtetit ka qenë i veçantë jo vetëm për faktin që jemi dy institucione që mbartim thesare dhe dokumente të çmuara, por edhe pse nëpërmjet këtij bashkëpunimi ATSH ka bërë të mundur të zbulojë shumë dokumente të panjohura”.
“Shpresoj që kjo ekspozitë të jetë një mundësi për të rinjtë të njihen më shumë me këto akte të jashtëzakonshme historike”, – shtoi Gegvataj.
Ndërsa Prof. Asoc. Dr. Rozana Rushiti, pedagoge në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u shpreh se “një nga profesorët e mi, Gjovalini, thoshte se edhe nëse flasim në shtëpi toskërisht ose gegërisht, në ambientet e tjera duhet të flasim gjuhë letrare. E njëjta gjë ndodhe edhe me ne, qoftë komunikimi që kemi në medie, qoftë në të shkruar. Duhet të mësojmë të shkruajmë siç është drejtshkrimi i gjuhës shqipe sepse ka vlera të mëdha dhe është një nga bazat për të cilin ne duhet të krenohemi”.
Klodiana Toptani, administratore e “Kalaja e Tiranës” u shpreh se “përkujtimi i Kongresit të Manastirit është një datë shumë e rëndësishme dhe në kushtet e pandemisë që jemi i jep një vlerë edhe më shumë hapjes së kësaj ekspozite”.
Kongresi i Manastirit, ose Kongresi i Alfabetit, ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14-22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Data 22 nëntor përbën tashmë një ditë përkujtimuese në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet.
Pjesëmarrësit në Kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetë e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qirjazi, Feim Zavalani./atsh