Gjuhëtar i shquar, njeri i rrallë

(In memoriam për Remzi Përnaskën)

Nga Agim Vinca


Në atmosferën e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë; të aktit terrorist në Vjenë dhe të arrestimit të ish-drejtuesve të UÇK-së në Prishtinë, nga Parisi na erdhi edhe një lajm i hidhur: lajmi për ndarjen nga jeta të gjuhëtarit të shquar shqiptar, Remzi Përnaska.

Një telefonatë nga Tirana në orët e vona të natës, ma largoi vëmendjen nga ngjarjet e ditës. I hoqa sytë nga ekrani tek vlonte debati për kandidatët pretendentë për në Shtëpinë e Bardhë dhe kalova në dhomën tjetër për ta verifikuar lajmin.

Dhe, siç ndodh zakonisht në këso rastesh, lajmi doli të ishte i vërtetë.

Më 4 nëntor 2020, në Paris, u nda nga jeta Remzi Përnaska.

Kush është Remzi Përnaska?

Nuk mëtoj ta bëj CV-në e plotë të tij; do të flas për të ashtu siç e kam njohur unë.

Remzi Përnaska i përket plejadës së madhe të gjuhëtarëve shqiptarë, që ia kushtuan jetën gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare. Ai është njëri nga korifenjtë e saj.

Mësues, profesor, gjuhëtar, dijetar, përkthyes nga frëngjishtja në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Njeri që mbrojti tri doktorata në gjuhësi: dy në Francë dhe një në Shqipëri; një nga shqiptarët e rrallë që mori gradën shkencore “Doctorat d’État” (Doktoratë Shteti), më të lartën në Francë, të cilën e kanë pasur shumë pak njerëz në Ballkan. Po të ishte dikush tjetër në vend të tij do ta trumbetonte me tamtam, por Remziu ishte tepër modest: nuk fliste pothuajse kurrë për veten.

Si rrallë ndonjë intelektual tjetër shqiptar, ai e kishte bërë të vetën maksimën latine: “De sibi est tacendum” (Për veten heshtet).

Remzi Përnaska ishte njeri pa paragjykime. Strugan, po aq sa edhe korçar; tiranas, po aq sa edhe kosovar, ai ishte panshqiptar. Dhe qytetar i botës njëkohësisht. Në Francë ishte krenar për përkatësinë e tij, kurse në Shqipëri sillej si “francez”: me kulturë e politesë.

Lindi në Korçë më 20 dhjetor 1934. (Gjithmonë e kam parapëlqyer trajtën: “lindi”, në vend se: “u lind”, por prej Remzi Përnaskës kam mësuar se kjo është edhe më e drejtë). Vitet e para të jetës i kaloi në Strugë, te gjyshërit e tij nga nëna dhe ato vite do të mbeten të paharruara për të. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Korçë.

Studio në Tiranë, pastaj në Moskë dhe sërish në Tiranë, kurse pas kryerjes së studimeve, si student i shkëlqyeshëm, u mbajt pedagog në Universitetin e Tiranës, ku punoi nga viti 1963 deri në vitin 1974, kur u dërgua me detyrë në Francë.

Dy herë, në periudha të ndryshme kohore, ka qenë lektor i gjuhës shqipe në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO), ndërsa nga viti akademik 1997-1998 e deri në pension “Professeur associé” në École Pratique des Hautes Études të Universitetit të Sorbonës, ku ka drejtuar seminarin për tekstet e vjetra shqipe.

Ka qenë delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972), të cilin e konsideronte “historik”, sepse “e radhiti popullin shqiptar ndër popujt e qytetëruar të botës”. Ishte mbështetës i madh i gjuhës së
njësuar dhe angazhohej për mbrojtjen dhe pasurimin e saj.

Mentor i tij në Francë ishte profesori i njohur me origjinë korsikane, Antuan Kylioli (Antoine Culioli), por ai mbante lidhje dhe kishte raporte miqësore edhe me shumë personalite të tjera të kulturës franceze. Kishte kulturë e dije, por edhe afinitet për komunikim me njerëzit, brenda dhe jashtë vendit.

Me Remzi Përnaskën më lidh një miqësi e gjatë. Madje, pak është të thuash miqësi: një jetë e tërë. Takime, biseda, shkëmbim letrash, librash, idesh, mendimesh… në Tiranë, në Prishtinë, në Paris. Nuk harrohen as vizitat në familje, bujaria e bashkëshortes së tij, Tanës dhe e fëmijëve, Mirelës dhe Artanit.

Me emrin e tij lidhet një vendim i rëndësishëm i jetës sime: dilema e ndenjjes në Strugë, në Gjimnaz, apo e ardhjes në Prishtinë: në Fakultet? Remziu ma zgjidhi këtë dilemë me një telegram: “Eja në Prishtinë!” (Më gjerësisht për këtë kam folur te libri Magjia e ligjërimit).

Një gjest i tij dhe i dy miqve të tjerë: vënia e një tufe lulesh mbi varrin e Lasgushit, “mbi varrin e poetit pogradecar në emër të poetit veleshtar”, në kohën kur nuk mund të shkohej në Shqipëri, më nxiti ta shkruaja poezinë Të shkosh në Pogradec. Ende e ruaj fotografinë bardhë e zi nga ky homazh.
Rezmi Përnaska ishte njeri me virtyte të larta. Mirësia dhe gatishmëria për t’i ndihmuar të tjerët ishin tipare organike të tij.

Në një botë, ku egoizmi është ligj, ai ishte shëmbëlltyrë e mirësisë.

Nuk ka intelektual shqiptar nga Tirana a Prishtina, që ka shkuar në Paris për punë a edhe për arsye të tjera, që nuk ia ka zgjatur dorën Remzi Përnaska. Ai interesohej për të gjitha: nga vendosja e ushqimi, deri te vizitat në institucione dhe takimet me personalitete të ndryshme.

Për të mund të thuhet, ashtu siç është thënë për Profesor Mahir Domin, se punonte më shumë për të tjerët, për kolegët, sesa për veten. Moto e tij ishin fjalët: “Botën time e drejton dëshira për të qenë i dobishëm”.

Remzi Përnaska ishte një nga njohësit më të mirë të gjuhës shqipe dhe të strukturës së saj gramatikore. Sintaksa ishte fushë e specializimit të tij. Profesor Përnaska ishte sintaksolog. E kishte ligjëruar sintaksën e gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës dhe do ta ligjëronte edhe në Paris dhe shumëkund tjetër nëpër botë.

Kishte përgatitje solide teorike nga fusha e gjuhësisë. I njihte metodat e reja të studimeve gjuhësore dhe sillte koncepte e ide të reja në shkrimet e tij.

Përveç shumë artikujve shkencorë për probleme gjuhësore, teksteve shkollore e universitare nga fusha e gjuhësisë, si autor dhe bashkautor, në vitet e fundit botoi katër vëllime me studime gjuhësore me titull të përbashkët: Gjuhësi… …gjuhësore (I-IV), nga gjashtë a shtatë sa planifikonte gjithsej.

Më parë, në Prishtinë, pati botuar librin Kundranori me parafjalë në gjuhën shqipe (1996), ku bien në sy shembujt e shumtë nga krijimtaria e shkrimtarëve shqiptarë, andej dhe këndej kufirit.

Gjymtyrët e fjalisë, sistemi foljor i shqipes dhe rasat e saj – janë tema-bosht të shkencës së tij. Por ai nuk u mbyll vetëm brenda caqeve të ngushta të gramatikës; ishte intelektual me interesime më të gjera dhe studiues interdisiplinor. Gjuha si tipar themelor i kombit dhe roli i saj integrues, ishte një nga çështjet që e preokuponte. Temë tjetër e preferuar e tij ishin marrëdhëniet mes gjuhëve dhe kulturave.

Përktheu në shqip letërkëmbimin e Konicës me Apolinerin dhe sprovën e tij për gjuhët natyrore dhe artificiale ose “të sendërgjuara”, si e përkthente këtë fjalë Remziu, problem për të cilin Konica kishte folur me aq kompetencë njëqind vjet më parë.

Në Gramatikën e gjuhës shqipe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai shkroi kapitujt për kundrinën dhe rrethanorin, një ndër çështjet më komplekse të sintaksës.

Shkrimet gjuhësore të Remzi Pernaskës janë vërtet “gjuhësi…gjuhësore”, siç i quajti ai (me një retiçencë në mes), të sakta e shkencore, pa fjalë të tepërta e retorikë. Retorika nuk i pëlqente as në jetë as në shkencë. Ekspertët e fushës këtë qasje e quajnë gjuhësi imanente.

Remzi Përnaska ishte urë lidhëse midis kulturës shqiptare dhe asaj franceze, aq të rëndësishme për kulturën tonë dhe për ne si komb.

Shkrimet e tij për albanologë të shquar francezë si Lui Benlëv, Anri Buasen, Kristian Gyt e të tjerë, tregojnë respektin për punën e tyre në studimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, por i vlerësoi edhe autorët shqiptarë që kanë kontribuar në këtë plan, që nga Faik Konica e gjer te Ymer Jaka.

Shkroi, përveçse në shqip, edhe në gjuhën e vendit ku jetoi një kohë të gjatë, në frëngjisht. Libri Parlons albanais (Flasim shqip) zgjoi interesim të madh në Francë dhe u ribotua tri herë.

Me Remzi Përnaskën na lidhte edhe treva nga vinim. Nëna e tij, zonja Hajrie, ishte bijë e familjes atdhetare Sojli nga Struga, nga gjiri I së cilës kanë dalë personalitete të shquara si gjyshi i tij nga nëna, Nuri Sojli, delegat i Kuvendit të Vlorës dhe firmëtar i dokumentit të Pavarësisë dhe i vëllai i tij, Dr. Ibrahim Temo, njëri nga ata që e kishin përgatitur këtë ngjarje të madhe historike: shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Gjurmëve të Doktor Temos shkoi deri në Rumani, në qytetin Mexhidie buzë Detit të Zi.

Kurdo që takoheshim më pyeste për Strugën dhe për njerëzit e tij atje. Deri edhe: “A e mbaruan shtëpinë ata kushërinjtë e mi?”.

I tillë ishte Remziu, njeri që kishte ndjeshmëri për hallet e njerëzve. Dhe, njerëzit si ai, fatkeqësisht, janë specie në zhdukje.

Në vëllimin e katërt të veprës Gjuhësi…  … gjuhësore, botuar dy vjet më parë (2018), Remziu ka përfshirë një sërë artikujsh për gjuhëtarë dhe albanologë të njohur si Çabej, Kostaq Cipo, Aleks Buda, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Selman Riza, Androkli Kostallari, Stefan Prifti, Spiro Floqi, Fatmir Agalliu e të tjerë, shkruar kryesisht në përvjetorë apo me rastin e vdekjes së tyre.

Remzi Përnaska i takon edhe vetë kësaj lagjeje studiuesish, albanologësh dhe profesorësh, që, si thotë vetë në një rast, në shkrimin për Kostallarin, meritojnë t’u shkruhen mbi varr fjalët: “Kombi mirënjohës”.

Ndërsa po i mbylli këto radhë, marr vesh se trupi i pajetë i Remzi Pernaskës udhëton nga Parisi drejt Tiranës, ku do të prehet përgjithmonë. “Nxënësi i vjetër i Sorbonës” (Ancien élève de la Sorbonne) la amanet të varrosej në Shqipëri.

Të qoftë i lehtë dheu i atdheut, miku im i shtrenjtë!


Prishtinë, 5 nëntor 2020

ObserverKult