Gjurmët e dy martirëve në Ulpianën antike

Më 18 gusht anekënd hemisferës veriore, në shumë kisha, si në ato katolike ashtu dhe në ato ortodokse, u shënua Dita e Martirëve të Shenjtë – Flori dhe Lauri.

Mendohet se këta dy shenjtorë të krishterë u martirizuan në Ulpianën e lashtë. Pasi që ndërtuan tempullin pagan, dedikuar për adhurimin e hyjnive politeiste të panteonit romak, kokë më vete, brenda natës, faltoren e shndërruan në objekt kishtar të kultit monoteist kristian, shkruan KOHA.

Për më tepër, pikërisht për këtë veprim, ata vuajtën tortura të tmerrshme. Dënimi i tyre me vdekje ka ndodhur, me gjasë, gjatë kohës së sundimit të perandorit Trajan, (vitet e sundimit: 98-117). Por, nuk mund të përjashtohet mundësia se mund të ketë ndodhur gjatë kohës së sundimit të perandorit Hadrian, (vitet e sundimit: 117-18). Megjithatë, një gjë është e sigurt: që dëshmorët e parë të krishterimit në Ulpianën e Dardanisë Antike, ishin pikërisht Flori dhe Lauri, të cilët u shenjtëruan në ditën e 18-të të muajit të 8-të.

Flori dhe Lauri ishin vëllezër me origjinë ishin nga Byzantioni (që nga viti 324 riemërtuar në Kostandinopojë). Ata ishin të njohur si ndërtues të zotë, muratorë e gurskalitës me nam, si dhe skulptorë të talentuar. Andaj, për shkak të mjeshtërisë, shkathtësive, përvojës, zellit dhe përkushtimit, që të dy u ftuan për të ngritur një tempull (pagan) në Ulpianë.

Image

Ikonostas rus i shekullit XVII me figurat e Florit dhe Laurit 

Në Parkun Arkeologjik Ulpiana, në Komunën e Graçanicës, vetëm 12 kilometra në juglindje të Prishtinës, në sektorin e parë të saj, gjenden gjurmët dhe themelet e rrënojave të një tempulli antik pagan.

Mendohet se këto rrënoja janë pikërisht gjurmët e mbetura të një prej monumenteve më të rëndësishme të kultit pagan dhe më me interes zbuluar deri tani në Ulpianë, e që ishte ndërtuar nga duart e Florit dhe Laurit.

Tempulli antik me portiko përbëhej nga një strukturë godine, përkatësisht nga traktet e mureve dhe gjurmëve të themeleve të një tempulli antik me përmasa mesatare. Planimetria e këtij monumenti përbëhet nga katër pjesë. Por, dëmtimet që ka pësuar në kohë janë të mëdha. Është shkatërruar integriteti i strukturave të ndërtuara me blloqe gurësh, që mendohet se ishin të podiumit të tempullit, por që sot ruhen vetëm gjurmët e themeleve, pjesërisht një radhë e stilobatit, përkatësisht, kanë mbijetuar vetëm radhët e fundit të themeleve që përbehen nga blloqe gurësh, guri shtufi (tuffa) lokal e të lidhura me llaç gëlqeror.

Ndërsa, në dëmtimin e këtij monumenti kanë ndikuar sa faktorët njerëzorë, ashtu dhe faktorët klimaterikë e fenomenet natyrore. Sot, në syrin e arkeologëve me përvojë, mund të dallohen transformimet (fazat e ndërtimeve) dhe shndërrimet (fazat e rindërtimeve)./koha