Gjykata Kushtetuese i hap rrugë zbatimit të marrëveshjes për Butrintin/ Përse u rrëzua kërkesa e opozitës…

Është zbardhur vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Kushtetuesja më 24 prill rrëzoi kërkesën e opozitës për shfuqizimin e ligjit mbi administrimin e “Butrintit”, ku sipas vendimit do të jetë në menaxhimin e AADF-së.

Kushtetuesja shprehej se për pretendimin e cenimit të parimit të ligjshmërisë, për shkak të dhënies së statutit partner strategjik të AADF-së me një akt nënligjor, nuk ka juridiksion ratione materiale për shkak të natyrës individuale të këtij akti.

Në vendimin e plotë të GJK thuhet ndër të tjera se “Në lidhje me pretendimin për cenimin e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore, modeli i administrimit të nënzonës së trashëgimisë dhe peizazhit kulturor të Parkut të Butrintit nëpërmjet administrimit indirekt përmes krijimit të një fondacioni të dedikuar, erdhi si nevojë e gjetjes së vlerave të reja të administrimit në funksion të ruajtjes, mbrojtjes dhe rritjes së vlerave të trashëgimisë kulturore.

Kjo, pasi sistemi aktual i menaxhimit nuk garantonte në perspektivë mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kulturore e natyrore të sitit dhe zhvillimin e integruar të tij, si dhe nuk siguronte të ardhura sipas pritshmërive që duhet të ketë një pasuri me vlera kaq të rëndësishme kombëtare universale”.

Gjithashtu në vendimin e plotë, Gjykata argumenton mes të tjerash se marrëveshja nuk e zhvesh shtetin nga roli i tij në drejtim të identifikimit dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore.

“Bazuar në sa më sipër, në vlerësimin e të drejtave, detyrimeve dhe kompetencave të secilës palë, në kuptim të termave të administrimit që përcaktohen në Marrëveshjen e Administrimit objekt gjykimi, Gjykata arrin në përfundimin se, nga njëra anë, për nga natyra e tyre, të drejtat e FMB-së nuk tejkalojnë ato të një administrimi të zakonshëm dhe, nga ana tjetër, marrëveshja nuk e zhvesh shtetin nga roli i tij parësor në drejtim të identifikimit, mbrojtjes, konservimit, prezantimit dhe transferimit të vlerave të trashëgimisë kulturore, por ruan dhe garanton këtë rol, i cili ushtrohet përmes formave të ndryshme të kontrollit të veprimtarisë së administrimit indirekt, për sa kohë që FMB-së nuk i është njohur ndonjë status i privilegjuar ligjor, duke iu nënshtruar ky entitet parashikimeve ligjore të zbatueshme, ashtu si çdo entitet tjetër i së drejtës”, thuhet mes të tjerash në vendimin e Gjykatës.

Qeveria shqiptare vendosi që menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit të kryhet nga një fondacion i krijuar nga Ministria e Kulturës dhe AADF, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme./ noa.al

ObserverKult


Lexo edhe:

SHQIPËRIA NUK U PËRGJIGJET KRITIKAVE TË UNESCO-S PËR BUTRINTIN

Shqipëria publikoi së fundi raportin për Parkun Kombëtar të Butrintit, që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, në Indi, në korrik të këtij viti.

Raporti prej 170 faqesh i Ministrisë shqiptare të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit anashkalon përgjigjet për disa nga kritikat e forta të misionit të UNESCO – ICOMOS.

Në raportin e monitorimit, që iu dorëzua autoriteteve shqiptare në shtator të vitit 2023, misioni i UNESCO-s shprehte “shqetësim të thellë” për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar të Butrintit nga qeveria shqiptare me heqjen e 600 hektarëve pa dijeninë dhe miratimin e organizatës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


UNESCO KRITIKA TË FORTA QEVERISË SHQIPTARE PËR BUTRINTIN: JA ÇKA KËRKON NGA MINISTRIA E KULTURËS

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për trashëgiminë botërore, UNESCO- thotë në një raport për Parkun më të njohur Kombëtar në Shqipëri, Butrintin, se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimim e integruar të Butrintit.

Më tej Agjencia u rekomandon autoriteteve shqiptare që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo vetëm të një pjese të saj.

Çështja e menaxhimit të Parkut të Butrintit është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila në një gjest të pazakontë, ditë më parë, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s.

Raporti i UNESCO-s është përgatitut në tetor të vitit të kaluar, por qeveria shqiptare nuk kishte dhënë pëlqimin e saj që ai të bëhej publik.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult