
Nastradini, vuri një njoftim në rrugë e sheshe, se kishte ndërmend të shese shtëpinë e tij. Por, kushdo që vinte dhe interesohej për shtëpinë, Nastradini i vinte një kusht: Duhej që gozhda që kishte lënë të ngulur brenda njërës nga dhomat, të mbetej pronë e tij dhe të mos hiqej që andej!”
Njëri nga blerësit, pasi i pëlqeu shtëpia e Nastradinit dhe iu duk i favorshëm edhe çmimi, e pranoi kushtin e çuditshëm të gozhdës. Atij as që i vajti në mendje qëllimi i fshehtë i Nastradin beut.
Disa ditë pasi ishte shitur shtëpia, Nastradini troket në ish shtëpinë e tij. Doli pronari i ri i shtëpisë dhe kur e pa Nastradinin, e pyeti:”Hë Nastradin bej, çfarë e mirë të ka sjellë?”
Nastradini iu përgjigj:”Kam ardhur të sigurohem që gozhda ime është mirë me shëndet!”
Arsye bajate iu duk kjo pronarit të ri, i cili, megjithatë, e mbylli njërin sy dhe e mirëpriti brenda.
Pasi gratë e shtëpisë e qerasën me ç’të mundnin dhe i dhanë edhe për të ngrënë, meqë ishte kohë dreke dhe i zoti i shtëpisë i dha muhabet, pritej që Nastradini të ngrihej dhe të vazhdonte punët e tij, por ai as që e kishte ndërmend këtë. Jo vetëm që nuk po ngrihej e të largohej, por banorët e rinj të shtëpisë u befasuan me Nastradinin, i cili shkon mu poshtë gozhdës së ngulur në mur, shtrin pallton e tij përtokë dhe shtrihet sa gjerë gjatë për të fjetur.
Këtu, pronari i ri i shtëpisë nuk duroi dhe e pyeti gjithë inat:”Çfarë ke ndërmend të bësh zotrote?!”
Nastradini, pa e bërë qejfin qeder iu përgjigj: ”Dua të fle pak nën hijen e gozhdës time të dashur.” dhe mbylli sytë e ia këputi një gjumi të thellë.
Ai filloi të shkojë tek gozhda e tij çdo ditë në kohën e drekës, duke ngrënë e pirë bashkë me familjarët e tjerë.
I ndjerë ngushtë me këtë, blerësi i shtëpisë mori plaçkat e tij dhe ia la shtëpinë Nastradinit. Që atë ditë, u përhap fjala “Si gozhda e Nastradinit” për këdo që nxjerr pretendime të kota për të shtënë në dorë diçka të shtrenjtë.
Në shqip Elmaz Fida
ObserverKult
Lexo edhe: