Besa Kalaja: Kur isha fëmijë u merrja erë mollëve

Nga Besa Kalaja

Kur isha fëmijë u merrja erë mollëve
-Paske veshur bluzën time?
-Po, se ndihem më e lirë në të.
-Të ka dalë krahu, dije.
-Po, po e di.
-T’i shpupurita flokët, i ke shumë të mira.
-Do që t’i rris edhe më shumë?
-Si të ta dojë qejfi.
-Ja që s’dua, nuk më pëlqejnë flokët e gjatë, e kam fytyrën e vogël dhe më mbulohet krejt pastaj.
-Haaaa, çfarë argumenti, na mbyte krejt.
-Vetëm po tregoj si e shoh unë.
-Kafe?
-Po dua.
-Engjëll po të shndrit fytyra.
-Gjithnjë e kam kështu besoj.
-Jo, jo përherë, sot po.
-Seç më deshi Zoti prandaj më bëri kështu.
-Si kështu?
-Ja të pranueshme pra, si engjëll, si thua ti.


-Pse je ulur në tokë?
-Ka kohë që më pëlqen të ulem kështu.
-Do të ftohesh.
-Mbase, por nuk ndalem derisa ta heq merakun.
-Merre kafen dhe..
-Dhe çfarë?
-Do të shkoje nëse vjen dita që mos të të pëlqeja më?.
-Natyrisht.
-Pse po qesh, çfarë ka këtu për të qeshur?
-Asgjë jo, vetëm thash atë që mendoj, do të shkoja natyrisht sepse se di për çfarë do të të duhesha ashtu. Do ikje ti?
-Po sikur të të merrte malli fort- fort do të më thërrisje në telefon?
-Pse po e devijon bisedën, do ikje ti?
-Po edhe unë.
-Më vjen mirë pra.
-Ama po të më merrte malli fort-fort do të të thërrisja në telefon, do të të thërrisja. Dhe po të më vinte të kthehesha, do të kthehesha, do më pranoje ti?.
-Varet, jeta mund të ketë marrë drejtim tjetër.
-Përgjigje diplomatike.
-Do më pranoje ti?.
-Po.
-I marrë.


-Më jep dorën, çohu prej aty sepse pastaj nuk mund të të shoh si vuan, je ftohur keq. -Të tërhoqa më shumë se sa duhet, më fal, por je bërë e rëndë duke qëndruar ulur.
-Jam shëndoshur thua?
-Vërtet je e marrë, do vdes duke qeshur me ty.
-Më pëlqen të jem e marrë.
-Nuk je jo edhe kur bëhesh sikur, nuk je.
-Të ecim pak, nën mollë?
-Ecim.
-Më pëlqen shumë kur ju merr erë pemëve, e ke zakon?
-Po, më pëlqen shumë ta bëj këtë gjë. Kur isha fëmijë u merrja erë pemëve. Nana më shikonte me habi, pasi zakonisht nuk i haja po u merrja erë, kështu që po.
-E çuditshme kjo, s’më ka rënë ta dëgjoj.
-Po sepse unë jam e çuditshme, a s’më thua ti kështu?
-Jo unë të shikoj se si rëndom nuk kërkon asgjë, si ka mundësi?
-Çfarë të të kërkoj, atë që s’ke mundësi ta bësh?
-Jo vetëm kjo, ha pak, flet pak, nuk ankohesh, si ka mundësi?


-Mos e kafsho mollën!
Pse bërtet? Mos më thuaj që sa herë një grua kafshon një mollë ndodh diçka e keqe. S’është e thënë.
-Pse mendon se nana jote është e zhgënjyer me ty?
-Sepse gjithnjë ka menduar se mund të bëj më shumë, se kam kapacitete të bëj më shumë. Sa herë e kundërshtoj, të kam fëmijë më thotë, e kush të njeh më mirë se unë. Më tregon sesi e kishte pasur të lehtë të mi mësonte gjërat kur isha fëmijë. Nuk arrij t’ia shpjegoj asaj se si ndihem për disa gjëra. Jam zhgënjimi i saj.
-Mos ndoshta ajo dëshiron që të jesh pak më praktike, më teknike?
-Këtu kam pasur fat. Jo. As vetë nuk është e tillë, është më shumë se kaq, por çka është nuk e kam të qartë.
-Mund të bëje më shumë se kaq?
-Në këtë rast nuk e di çka është pak e çka është shumë. Mbase po, por gjithë kohën kam këto dreq dilemash. Nëse paradite ndiej se kam bërë diçka të mirë, pasdite më shembet shpirti, nuk di çfarë të mendoj veç faktit se kjo botë mund t’ ia dilte fare lehtë edhe pa mua.


-Jam magnet për idiotët. Herë- herë i largoj me shpejtësi të madhe nga jeta, herë-herë ngulem mirë e mirë në ta, aq sa shpirti fillon e më tkurret.
-E bën nga mirësia?
-Jo gjithmonë. Ka raste për shembull kur vërtet vuaj, por nuk largohem. E di pse? Sepse jam kureshtare të di se deri ku ata mund të të marrin hapësirën. E atëherë kur mbështetem për muri, eh, atëherë e përdor atë armën time të shpërfilljes totale, e cila jep efekte, por dhe një ndjenjë të keqe në shpirt.
-Vuajtja vazhdon edhe pas largimit?
-Po. Shumë bile.
-Pse? E çuditshme kjo pasi do të supozoja që në kushte të tilla e ke hequr një barrë.
-Jo. E mendoj pastaj se si ata rrinë gjithë kohën zgjuar për t’ua bërë jetën ferr të tjerëve dhe në këtë rast çfarë mund të bëjë shpirti të largohet nga ky ferr.
-Janë idiotë çfarë mund të bëjnë tjetër?
-Po ta shohim kështu sikur i amnistojmë.
-Ikim tash. Të hyjmë brenda se po bie terri dhe po bëhet ftohtë. Të thashë që bluza ime po të rri mirë e sidomos kur i mban duart lidhur.
-Sikur ta presim hënën, ajo veç sa s’ka dalë?

ObserverKult

Lexo edhe:

LUAN RAMA: DASHURI SI NË KOHËN E KOLERËS