Midis plejadave, këtyre perëndeshave apo nimfave të mitologjisë, të shndërruara në yllësi, pa dyshim më e shquara është Maja, megjithëse është më e matura dhe më e drojtura nga të gjitha. Ajo iu vodh shoqërisë së të pavdekshmëve dhe jetonte qetësisht në një kodër të Arkadisë, çka nuk e pengoi Zeusin të bjerë në dashuri me të sapo e vë re.
“Në natën më të thellë, kur Hera e bukur fle në krahët e bardhë, ai ndan shtratin e Majës me shumë krela, fshehur si nga perenditë ashtu edhe nga njerëzit”, na thotë Himn për Hermesin i Homerit.
Rreshtat që vijonë janë befasues:
“Me të kaluar koha, ajo lindi një djalë dinak dhe shumë shejtan, një cub, një hajdut kopesh, sajues ëndrrash, një rojtar nate, një hajdut te dera; dikush që do të kryente shumë shpejt gjëra të mrekullueshme midis perëndive.”
Pra, midis hyjnive të tjera, grekët kurorëzojnë një cub!
Një perëndi më afër tyre se gjithë të tjerat në Olimp?
Hermesi është pikërisht modeli i dinakërisë dhe i aksionit. Ditën e parë të jetës, arriti të rrëshqiste jashtë shpellës ku e lindi Maja. Me të dalë, ai shpalosi aftësitë për shpejtësi, me anën e të cilave ishte në gjendje të realizonte ato që kishte në kokë. Pasi gjeti një breshkë, i lindi menjëherë një ide.
E çau trupin e kafshës dhe shtriu mbi zhguallin e saj një lëkurë lope, para se ta lidhte përsipër me litarë prej zorrësh dhie apo lope.
Në këtë mënyrë, ai bëri lirën, veglën e parë me tela.
Pasi e akordoi, Hermesi këndoi një këngë të shkurtër gazmore, që tregonte për netët e dashurisë së Zeusit dhe të Majës, dhe që i falenderonte që e sollën në jetë.
I uritur, pas zbulimit të tij niset për udhë; ai e di se në këmbë të Olimpit kullosnin kopetë e ushqyera mirë te perendive.
Arrin atje pikërisht para se të perëndojë dielli dhe vjedh pesëdhjetë lopë nga kopeja e vëllait të tij, Apolonit. Për të fshehur çdo zhurmë, i detyron kafshët të ecin mbrapsht dhe vetë mbath sandalet prej lëkure marine dhe degësh mërsine.
Duke u kthyer në shtëpi, takon një plak që punonte vreshtat, që bëhet dëshmitar i padëshirueshëm i punës së tij të keqe. Ai e ble dhe i premton të vjela të mbara, nëse nuk e tradhton. Por pak më vonë, pasi fillon dhe dyshon për besnikërinë e plakut, maskohet dhe kthehet ta takojë. Ai shtiret si pronari i vërtetë i kopesë.
Atëherë, në shkëmbim të një shpërblimi të majmë, vreshtari i flet dhe i përshkruan hajdutin e bagëtive, që sapo kishte kaluar andej. Hermesi, tërë kujdes, parapëlqen ta shndërrojë në gur.
Del hëna dhe hyjniu i ri vë përpara kopenë, që shuan etjen në ujërat e lumit Alfeu. Vetë ai ka një etje të tmerrshme; pastaj mbledh dru për të ndezur zjarr dhe ther dy kafshë.
Ndërkaq pret dymbëdhjetë copa mishi dhe i pjek; vetë ngopet me njërën copë, kurse të tjerat ua blaton perëndive. Kur bie agimi, Hermesi fsheh bagëtitë në një shpellë dhe nxiton të kthehet në shtëpi për të zënë qetësisht vend në djepin e tij, si të mos e kishte braktisur asnjëherë. Nëna e tij, që e ka vënë re arratisjen, e qorton rëndë dhe e paralajëmron se Apoloni do ta ndëshkojë për atë që kishte bërë.
Vetitë e Hermesit
Në artin klasik grek, Hermesi është paraqitur si djalosh i pashëm, përgjithësisht lakuriq, nganjëherë si udhëtar me një kapelë, që është e veçantë. Që nga koha helenistike, lajmëtari i perendive është paraqitur me krahë mbi kapelë dhe me sandale që e lejojnë të fluturojë.
Hermesi mban në dorë një shkop, “Shkopi i Merkurit”, që edhe ai shpesh ngrihet më lart se krahët e vegjël. Mbasi ndau një ditë dy gjarpërinj që ishin duke undeshur mes tyre, Hermesi i ruajti të përdredhur rreth shkopit të tij.
Në të vërtetë, Apoloni është i zemëruar. Me gjithë të dhënat e tij prej parashikuesi, iu desh njëfar kohe para se të kuptonte atë që kishte ndodhur. Atëherë hidhet dhe shkon te Maja…dhe gjen veçse një foshnjë gjiri që fle tërë urtësi.
Apoloni, duke qenë i sigurt se hajduti nuk mund ishte dikush tjetër, e bën Hermesin e ri të flasë, por ky e mohon tërë ngulm çdo përgjegjësi, duke pohuar se është shumë i vogël dhe se nuk mund të vjedhë as edhe një lopë. Por Apoloni e di se nuk gabohet dhe e çon para Zeusit, babait të tyre. Perëndia e perëndive shkrihet së qeshuri përballë paturpësisë së shejtanit të vogël. Pastaj, duke marrë pamje serioze, i kërkon të kthejë bagëtitë.
Hermesi duhet të bindet, por pohon se ka therur dy prej tyre për t’u ushqyer.
Pastaj tregon se e ka ndarë mishin në dymbëdhjetë pjesë, çka përputhet me numrin e perendive në Olimp, duke treguar kështu tërë shkathtësi se e llogarit veten në numrin dymbëdhjetë të banorëve të Olimpit.
Ngaqë Zeusi nuk i kundërvihet Hermesit, Apoloni mbetet shumë i hutuar. Kjo e lejoi Hermesin të tregonte se ishte jo vetëm një hajdut i përkryer, por edhe një diplomat i hollë. Ai i jep lirën e tij Apolonit, i cili magjepset nga tingujt melodikë të veglës.
Që atëherë ata bëhen miqtë më të mirë të botës. Apoloni, i çmendur nga gëzimi, ia lë kopenë Hermesit dhe i përkushtohet artit, për të parathënë të ardhmen. Në fund, para se të perendojë dielli i ditës së tij të parë të jetës, Hermesi tregoio se bënte pjesë në dymbëdhjetë perenditë më të rëndësishme të Olimpit.
Falë dhuntive të tij prej iluzionisti të përkryer dhe diplomati të hollë, mund të jetë i dobishëm për të atin. Ai jo vetëm i shërben si lajmëtar për fjalët e tij të dashurisë dhe ndërmjetës në shumë prej arratisjeve të tij sentimentale, por gjithashtu edhe lajmëtar i gjithë perëndive dhe u shërben atyre si diplomat, sapo kanë nevojë për të në Olimp. Hermesi merr përsipër gjithashtu të udhëheqë njerëzit në udhëtimet e tyre dhe t’u prijë shpirtrave të të vdekurve drejt botës tjetër.
Ai është përherë i palodhur në udhë, me shkopin në dorë dhe krahët e vegjël në kaskë dhe në sandale. Zeusi, në shenjë mirënjohje për shërbimet e tij, ndihmon të kalojë një natë dashurie me motrën nga babai, Afroditën, me të cilën Hermesi është dashuruar prej shumë kohësh.
I shndërruar në shqiponjë, perëndia e perëndive i vjedh perëndeshës së dashurisë njërën prej sandaleve të praruara, që ajo e ka hequr për t’u larë. Ai ia kthen sandalen, sapo motra nga babai pranon t’i përgjigjet dëshirës së tij. Nga bashkimi midis Hermesit dhe Afroditës, lindi Hermafroditi, ai që bashkon karakteret e dy sekseve.
Asnjë hyjni tjetër nuk është aq shumë i pranishëm në jetën e përditshme të grekëve sa Hermesi , lajmëtari i perëndive dhe padroni i madh i udhëtarëve e pastaj i tregtarëve. Në çdo kryqëzim lartohet një figurë e stilizuar e perendisë, në fillim një gur i thjeshtë që shërben si shenjë, pastaj në shtyllë që ngrihet mbi një bust njerëzor, dukshëm i seksit mashkull, për të treguar se udhëtimi është një çështje burrash.
Në të njëjtën kohë, perendia e hajdutëve të bagëtive dhe i të dashuruarëve të udhëtimeve bëhet perëndia e tregtarëve dhe e lëvizjes. Në ditët tona, ndërmarrjet tregtare, bankat dhe kompanitë e sigurimeve, në shenjë respekti, përdorin emrin dhe figurën e tij.
*Marrë nga “Mitet më të famshme të lashtësisë” së Gerold Dommermuth-Gudrich
Përgatiti T.K.- ObserverKult
Lexo edhe:
AGIM VINCA: NË FRASHËR, TEK PERËNDITË!…
ObserverKult