Hajdutllëku u bë sikur thua “Nder i Kombit”

elmas lexi

Si u bë kjo punë kështu që hajdutllëku te ne u bë kaq i madh e kaq shumë sa nuk po përballohet më me të thëna e zhargone. Madje, ai po kthehet si të thuash në meritë e lëvdatë. Përse po kthehet ose me saktë është kthyer e po konceptohet si lëvdatë?! E thjeshtë. Se arrestohen, madje edhe burgosen, por pasuria hajdutëve nuk u preket, saqë në opinion të thonë se, “po bëj një burg, ama pas burgut pasurinë e kam”… Çfarë është kjo? Ç’është ky konceptim e qëndrim?! Futen përditë hajdutë nëpër burgje të kategorive të ndryshme për tendera, për abuzime, për mitmarrje, për mashtrime etj.. Këta nuk janë hajdutë xhepash që, meqë janë “të vegjël” e të quhen bracë, por VIP-a dhe këto lloj vjedhjesh u bënë kaq të mëdha e të e modës saqë tashmë janë kthyer në një farë “vlere”, që kur thua hajdut, sikur ke thënë apo po thua “Nder i Kombit”.

Nga Prof. dr. Elmas Leci 

Po përse kështu o njerëz?! Lëre-lëre se me njerëz ne kuptojmë shumicën banuese në këto troje dhe jo abuzuesit. Jo, jo nuk janë hajdutët “ajka” e këtij kombi, as motori qeverisës që duan t’i etiketojnë disa! U bënë shumë. Miliona këtu, kaq aty, kaq atje… Vjedhje atje, vjedhje, vjedhje, vjedhje. Sa shumë?! Sa shumë para paska pasur kjo Shqipëria jonë “e mjerë”, ky populli ynë fukara. Duhet thënë me keqardhje se fukara nga mentë, se ka pranuar ta udhëheqin skuthat, ata që vetëm te vjedhja e kanë mendjen. Dhe një tjetër gjë, që të bën përshtypje që ka plot, që edhe në një farë mënyre e miratojnë vjedhjen. E them me keqardhje, madje të thonë për hajdutin se për vjedhjen edhe “hallall e paste”! Një goxha miku im edhe e “këshillonte me dashamirësi” se në opinionin e botuar para disa ditësh, ku “jepja” edhe ndonjë këshillë miqësore për deputetët tanë që “në Kuvend të bëjnë kuvendime e jo grindje, e me që në të përmendja edhe veprat antikombëtare si krimet, përzënien e popullsisë, abuzimet e vjedhjet”, ai kolegu im studiues më thotë se “mirë-mirë e ke, por atë fjalën vjedhje e hajdutllëk (unë e kisha akuzë) të mos e kishe vënë në shkrim, se nuk janë vërtetuar vjedhjet”! “Si – i them – nuk ka vjedhje te ne”?! “Jo, jo, por deri sa nuk janë vërtetuar (donte ta minimizonte çështjen), nuk duhet përdorur fjala vjedhje”!

“Po si t’u them hajduteve”?! Nejse, kuptova se edhe ky mik i imi, specialist i mirë i studimeve ekonomike, ishte gjithsesi ose me saktë donte ta “zbuste” disi zhargonin hajdut, dmth., kishte konceptin “për t’i dekoruar hajdutët me dekoratën ‘Nder i Kombit’”. Jo miku im jo, nuk ka mëshirë për hajdutin, por atyre duhet t’u vëmë në gjoks një parullë të madhe me mbishkrimin “kujdes se të vjedh”! Kjo që sapo shkrova është hipotetike, por e vërteta është se na hajdutët na kanë vjedhur të gjithëve. Kane vjedhur të ardhurat e pensionisteve, të çerdheve, kopshteve, shkollave, spitaleve, të gjithë mirëqenien tonë (nëse do ishte) na e kanë vjedhur që këtu ku jemi. Ka dy gjëra, ose hajdutë nuk ka dhe opinioni është mbarsur kot me to, ose hajdutët janë e kanë vjedhur, po pasuria e tyre ku është?! Këtë nuk po e shikojmë.

A u merret pasuria hajdutëve që deklarohen të tillë nga organizmat gjyqësore?! Nuk shohim e dëgjojmë. Pak informacion se ku shkon pasuria që ata kanë vjedhur. Apo nuk gjendet?! Madje, lozet herë me sekuestro e herë me sekuestrim. Hajt t’i ndajë opinioni këto dy terma me të cilat lozet, me sekuestro e sekuestrim. Po ato që sekuestrohen ku shkojnë? Kush e rimori pasurinë e vjedhur? Sa ndikoi ajo në buxhetin e shtetit? A nuk do qe më mirë që pasuria e vjedhur dhe e sekuestruar t’i thuhej opinionit se i kaloi filan institucioni bamirës?! Opinioni do të dijë gjithçka rreth pasurisë së tij të vjedhur, sepse është djersa e tij, ajo vjedhja e tyre. Rezulton se hajdutët kryesisht na qenkan funksionarë qeveritarë, të qeverisjes qendrore e lokale. Ministra, deputetë, bashkiakë, drejtorë me dhjetëra.

Ç’bëhet kështu, një pushtet i tërë hajdut?! Hajdutllëk i madh! Të paktën kështu i është thënë opinionit se X-si e Y-i në filan tender, rrugë, vepër bujqësore, shkolla etj., vodhi kaq e aq shuma marramendëse. Kjo pune u bë mullar. Zullumi e mundi – thotë populli – edhe atë pak të mirë nëse është bërë. E për abuzimet, populli përmes opinionit kërkon shpagim dhe shpagimi është “merru paratë dhe jepua popullit në pensione, në infrastrukturë, në shkolla, në nivel jetese etj.. Por, problemi është a u merren paratë, a u merren apo akuzo e dëno “për shpërdorim detyre” e kur dalin nga burgjet pas pak vjetësh, marrin paratë e vjedhura dhe janë përsëri pashallarë! Këto e kanë tronditur shumë-shumë besimin te qeverisja, sa pothuajse janë bërë po aq pesimistë edhe për rrotacionin e domosdoshëm se zullumi u bë mullar e nuk mbulohet më.

Autori: Drejtor ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

ObserverKult

lexo edhe:

Ibrahim Rugova- figurë e madhe e një populli të vogël