Ka kohë që objekti që dikur ishte burg në Prishtinë, objekt ky që mbart mijëra histori vuajtje e rezistence është i hapur për publikun.
Por tashmë në këtë objekt do të ketë edhe risi të tjera drejt funksionalizimit ka njoftuar ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, nëpërmjet një njoftimi në Facebook.
“Pas prezentimit të ekspozitës së përkohshme ‘Burgu i Idealit’ dhe hapjes për publikun, po e bëjmë edhe një hap domethënës drejt funksionalizimit të plotë të Muzeut të Burgut në Prishtinë. Kemi nënshkruar kontratën për kurimin e ekspozitës së përhershme dhe muzealizimin e restaurimin e ndërtesës”, ka njoftuar Çeku.
Tutje Çeku njoftoi se në bashkëpunim me profesionistët e fushave të ndryshme, institucionet publike, ish-të burgosurit politikë, shoqërinë civile dhe gjithë të interesuarit, ndërtesa që mbartë mijëra histori vuajtje e rezistence do të shndërrohet në njërin ndër muzetë më të vizituar në Kosovë.
ObserverKult
Lexo edhe:
ISH-BURGU I PRISHTINËS SË SHPEJTI SHNDËRROHET NË MUZE
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pritur në takim konstituiv anëtarët e grupit punues për shndërrim në muze të ish-burgut të Prishtinës.
Në takim ministrja Vlora Dumoshi u shpreh e lumtur që në mandatin e saj si ministre ish-burgu i Prishtinës filloi procedurat e shndërrimit në muze.
“Burgu i Prishtinës ishte vendi ku shumë figura të rëndësishme të vendit tonë janë burgosur e persekutuar politikisht, prandaj shndërrimi i tij në muze është i domosdoshëm për kujtesën tonë kolektive dhe për njohjen e kontributit të shumë njerëzve në Kosovë”, ka thënë Dumoshi.
Ajo ka theksuar se trashëgimia kulturore e shpirtërore dhe ruajtja e kujtesës kolektive janë prioritet kyç i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ndërtesa në të ardhmen do të menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze.
Gjatë takimit anëtarët e grupit punues thanë se do të angazhohen maksimalisht gjithmonë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, si dhe aspektin shoqëror dhe historik të saj.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult