(Essay për librin e Primo Shllakut “Nji letërsi tjetër”)
“Fshati nuk âsht në botë, ai âsht në shpirt, i mujshëm gjithku…” (Radomir Konstantinović)
Prolog.- Nuk ka diçka ma kercënuese dhe krejt e ngjashme me filozofinë e katunit se socializmi. I mbyllun, i varfun dhe fodull!?
“Na dolëm ratë, sepse regjimi nuk la kân n’kâmë”-thotë Primo Shllaku.
1.
Ni intro si kujtesë.- Deri në vitet ‘90 në Kosovë njiheshin për disidentë adhurues t’Enverit si Adem Demaçi, Arif Demolli e Isuf Gërvalla, porse jo edhe disidentët e vërtetë, si dije e vetēdije estetike disidentët ishin Anton Pashku e Mirko Gashi!?
Dytë, ndonëse t’pa ndaluem, bâhen zâ të avangardës dhe modernitetit.
Në ‘70at u shfaq në Kosovë teksti “doktrinar” Vox Clamentis in deserto, (thirrje e zânave në shkretinë) që theu normën letrare të realsocializmit, qi po përhapej edhe në Kosovë, me autorë Anton Pashku, Gani Bobi, Ali Podrimja, Mensur Raifi, Rexhep Ismajli, Ibrahim Rugova…
Realizmi socialist ishte modeli i ni arti të mbyllun, art të masave që i përshtatej realitetit të diktaturës, që nga Moska në Turanë, pra ishte paraart dhe propagandë për “Kishën e re”, partinë dhe “Njeriun e ri”, pa identitet as kombëtar e fetar (kombi e feja konsideroheshin mbetje borgjeze) dhe të ftyrë!
“Artistët” e masave simas autorit Primo Shllaku, ishin entuziastë që vinin nga të katër anët, por kryesisht ata vinin prej fshatit.
Në librin “Filozofija Palanke” (Filizofia e fshatit”) nga Radomir Konstantinović, shpirti i fshatit rrfen religjionin e mbylljës dhe simas të cilit, nuk ka botë jasht këtij shpirti.
Pra, bota soset m’u n’krye t’sokakut të fshatit ku jetonte entuziasti i real-socit.
2.
Primo Shllaku citon librin unik të Arshi Pipës, “Stalinizmi shqiptar”, per me dëshmu mbylljen hermetike të brendshme të diktatorit shqiptar Enver Hoxha.
Pipa thekson në mënyrë të përsëritun se, nësa regjimi i E. Hoxhës zgjidhte dhe lëshonte aleatë në arenën ndërkombtare, në politikën e tij të mbrendshme ishte rigorozisht konstant dhe mbyllej përherë e ma shum në drejtim të dhanies së ndonji lirie . “Lufta e klasave që ndiqte regjimi konkretizohej në dy drejtime. E para, shtypja e çdo iniciative centrifugale dhe, e dyta, lufta kundër liberalizmit, që në të gjitha rastet e kuptimit të saj shfaqej si alergji ndaj lirive dhe mendimit ndryshe”, shkruen Shllaku.
Autori Shllaku thotë me të drejtë, se Disidenca, në fakt, nuk âsht as metodë, as rrymë, as edhe nji prirje letrare. Nga pikëpamja e qenies së saj, ajo asht nji problem pranëletrar, për mos me thanë, jashtëletrar. Disidenca asht problem njerëzor, asht problem i virtytit qytetar dhe i karaktereve individuale. Pra, në radhë të parë, asht problem moral, i etikës dhe i lirisë.
Sepse, për Filozofinë e fshatit, rreziku për shpirtin e fshatit e përbân bota e madhe që me mundësitë e shumta (stilet) e therrmon këtë unifikim stilesh, këtë ni-ftyrëshmëni, simas Konstantinović, që në thelbin e vet etimologjik âsht pa-ftyrësi!
“Në botën e fshatit, âsht me rândsi me iu nënshtru vesit të nglitun se sa me qenë personalitet.”- shkruen Konstantinović.
3.
Parashenja të disidencës në letrat shqipe u shfaqën, simas Shllakut që me Migjenin, Lasgushin e Koliqin.
Porse, Shllaku disidencën në Shqipni e sheh të shfaqet me poetin shkodran Muhamet Ademi, t’pa botuem deri me ramjen e regjimit dhe e përmbyll me Frederik Rreshpjën.
Simas autorit, Migjeni merret si themelues i realsocializmit edhe pse antropocentrist e policentrist, shkrues i gegnishtes qytetare.
Shllaku veneron se realsoci stimuloi nji lloj “artisti të ri” dalë prej “njeriut të ri”, i cili artin, letërsinë e shifte si nji shans të bukur për me u faktorizue, me dalë mbi ose posë të tjerëve.
4.
Nëse dikush beson se poema e Ismail Kadaresë “Pashallarët e kuq”, ishte shéj e disidencës, Shllaku e demanton tue thanë se ishte nji poemë e dobët, nji pamflet tejet servil politik ku autori kishte humbë ndjesinë e masës së marrjes së direktivës dhe që kthehet në dhanës zellnik të saj. Udhëheqja e kuptoi, nuk ia mori për të keq, por i dha nji shejë bukur domethanëse se monopolin e direktivës dhe të dozimit të luftës së klasave, e kishte Ai, Njishi absolut dhe askush tjetër. Ndalimi i kësaj poeme simas këtij autori, tingëlloi si:
“Zelli tregon se je yni, por mos u ngut me pri se ka të tjerë para teje.” – thotë Shllaku.
Realsoci ishte e vetmja metodë e lejueshme dhe e përkrahun nga shteti. Të tjerat quheshin anmiqësore, dekadente, degjenerative dhe borgjezo-revizioniste.
Mas letërsisë klandestine ose “e nëndheshme”, siç e ka quejtë me të drejtë Visar Zhiti, qëndronin shkrimtarë jokonformistë dhe në thelb antikomunistë.
5.
Epilog.- Autori disidencën e vërtet ndaj realsocit ia njeh ZEF ZORBËS.
“Ardhja e Zorbës në fushën njingjyrshe të letrave shqiptare prej vetiu shkaktoi bujë. “
Tue i bâ ni analizë kritike artit poetik te Zorbës, autori e krahason vargun e tij me kadencën muzikore, me violën jo vetëm si instrument muzikor por edhe si lule.
I dyti vjen LEC P. SHLLAKU (1921-†2007) erudit dhe autor romanesh, shkrue përgjat realsocit, porse botue mas ramjës së regjimit. Dhe i treti âsht FREDERIK RRESHPJA (1940-†2006); poeti që Deri më 1973 ai shkruente me zell proregjimental, përmendte parti, komisarë, dëshmorë, shokë të rënë, “1 Majin”, minatorët, anmiqtë, burokratët, horizontet, shekujt, kaltërsitë, qiellin, ylberët, yjet, komisarët…
Rreshpja e braktisi realsocin për me iu qas poezisë si lirik e andrrimtar deri në simbolist të shquem.
Dhe tue hedhë dritë mi veprën e disidentave, autori pashmangshëm i kthehet e rikthehet Martin Camajt, si ‘refuzues estetik’ i normës letrare.
Primo e di se letërsisë së shkrueme tjetër duhet me iu qasë ndryshe, jo vetëm si kundërshti formaliste e ideologjike por edhe si fakturë estetike, letërsi që përdor ‘mjete letrare’ të avancueme.
Falemneres Mjeshtër!
ObserverKult
——————————–
LEXO EDHE:
“NJI LETËRSI TJETËR”: NË PRISHTINË U PROMOVUA LIBRI I PRIMO SHLLAKUT