Mustafa Nano rrëfen bisedën me kolegun serb: ‘Merrini të gjithë, veç na jepni Kadarenë’

ismail kadarenë shi desha

Për herë të parë, Ismail Kadarenë “e kam takuar” diku nga fillimi i viteve ‘80. Siç mund të merret me mend, nuk ka qenë një takim kokë më kokë (kjo ka qenë e pamundur dhe e pamendueshme, sidomos për sërën time; atëmot më dukej se më lehtë mund të takoja Pérez de Cuéllar-in sesa Kadarenë). Isha në një sallë, tok me të tjerë, dhe Kadareja kishte ardhur për një takim me lexuesit.

mustafa nano per kadarenë

Nga Mustafa Nano

Unë isha student në fakultetin e inxhinierisë, dega elektronikë, dhe ai erdhi në ndërtesën e Korpusit Qendror për të zhvilluar një bisedë me studentët e me pedagogët. Ne e dinim që do të vinte. Nuk e di se si. Ndoshta fjala qarkulloi vesh më vesh, ndoshta ishte vënë ndonjë njoftim në hyrjen e ndërtesës së madhe, ndoshta na e kishte thënë ndonjë pedagog në orën e mësimit. Por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që të gjithë e dinin. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Bisedat publike të intelektualëve të kohës, përfshirë këtu edhe bisedat e shkrimtarëve me lexuesit, ishin një gjë e rrallë. Dukej sikur dikush i shihte me mosbesim. Dikush u trembej. Kushedi pse. Ndoshta prej shqetësimit se protagonizmi publik i njerëzve “jo normalë” të artit e të kulturës, si pa dashje, apo vetvetiu, mund të rivalizonte e eklipsonte protagonizmin e udhëheqësve trashamanë politikë.

Ose ndoshta prej shqetësimit se në një moment a në një tjetër diskutime të tilla publike, nga natyra më të hapura e më të shkriftuara se takimet e udhëheqësve me popullin, mund të dilnin jashtë kornizave. Sikur të mos ishte mjaft kjo, takimet që Kadare bënte me lexuesit kanë qenë edhe më të rralla. Me siguri ka qenë një zgjedhje e shkrimtarit që në vitet ‘80 ishte bërë i njohur në gjysmën e Europës, e për këtë arsye takimet shterpë me lexuesit shqiptarë duhet t’i ketë parë si kohë e humbur.

Nuk jam shumë i sigurt mbi datën. Madje, as vitin e saktë nuk e mbaj mend. Një zë, që më del prej rrënojave të kujtimeve të mia, më thotë se duhet të ketë ndodhur pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, por kjo bie ndesh me ca vlerësime që unë i bëj aposteriori. Ajo kohë (pas vdekjes së Shehut) më bëhet tok vetvetiu me një sjellje të ndrojtur të Kadaresë në publik (shkrimtari ishte i lidhur me familjen Shehu; më saktë, me Bashkim Shehun), mirëpo mua më ka mbetur në mendje që ai veç i ndrojtur nuk ishte në atë takim. Përkundrazi, ishte i sigurt në gjithçka bënte. I shihte të gjithë nga sipër. Sepse të gjithë e shihnin nga poshtë. Mua më dukej se e demonstronte hapur vetëdijen se ishte ndryshe në atë vend, se ishte ndryshe nga ata që po e dëgjonin, e se ishte kështu për të mirën e kënaqësinë e të tjerëve, jo të tijën. Megjithëse, e vlerësuar pas kohës së gjatë që ka rrjedhur, nuk duhet përjashtuar që të kem qenë unë që merrja për arrogancë të Kadaresë magjepsjen e shastisjen e pedagogëve dhe të studentëve të shtypur prej autoritetit të shkrimtarit. Është një detaj që e ilustron këtë. Para se të ulej, Kadareja zuri të hiqte pallton, dhe personi i vetëm që ishte në tribunë me të, në të majtë të tij (nuk di të them se cili ishte; por duhet të ketë qenë një nga drejtuesit e universitetit), në mënyrë instiktive bëri një gjest prej maxhordomi: vuri duart për t’i mbajtur pallton. Por aty për aty u kap prej skrupujve të një dinjitari të lartë, i tërhoqi sakaq duart dhe la Kadarenë t’i shërbente vetes.

ti ishe per mua, poezi nga ismail kadare observerkult

Ishte ngjarja e vetme publike që mua më është dukur interesante gjatë viteve të komunizmit. Ishte një takim që nuk mund të ngatërrohej me asgjë tjetër të ngjashme ato kohë. Në ndryshim nga takime të tjera, që nuk ndryshonin nga njëri-tjetri e që, shí për këtë arsye, ishin shumë të mërzitshëm, ky i Kadaresë bartte apriori interesin, kureshtjen, radhën e gjatë të njerëzve, sallën e mbushur citazi me spektatorë, pritjen se mund të thuheshin gjëra të ndryshme, le të themi sugjestive (sepse ishte koha kur nuk thuheshin gjëra sugjestive), frikën se mos ndonjë gjë, apo çdo gjë, dilte nga kontrolli, se mos prodhohej ndonjë lajm sensacional, dhe kjo do ishte gjëja më e tmerrshme në atë kohë pa lajme të tilla. Sepse Kadareja, edhe nëse nuk thoshte asgjë që mund të merrej me dy, apo me nën, kuptime, edhe nëse, në ato që thoshte, nuk i kapej asnjë insinuatë politike, edhe kur me regjimin bëhej njësh (kjo gjë, afërmendsh, ndodhte të shumtën e kohës), ai dinte të ishte ndryshe. Dhe mua kjo gjë nuk më dukej e lehtë. As një gjë e paktë. Sidomos në rrethanat kur edhe antikomunistët se ç’kishin diçka që i bënte njësh me peizazhin komunist, të paktën në stilin e komunikimit. Ismail Kadare ishte e vetmja gjë e regjimit që nuk puthitej e nuk lidhej tamam me regjimin. Ligjërimin publik ai e kishte si të një kohe tjetër, të një vendi tjetër, të një ngjyre tjetër. Mënyrën e të shkruarit, po se po.

I gjithë ai takim, për të cilin po flas, ishte një ilustrim i kësaj që sapo thashë. Fjala vjen, në atë rast, në përgjigje të pyetjes se “përse nuk shkruan më poezi?”, Ismail Kadare dha një përgjigje “tronditëse” (kjo më kujtohet me saktësi, ngaqë ishte koha kur rrekesha të shkruaja edhe vetë poezi; që i lexoja po vetë). Në thelb ai tha se “nuk do të shkruante më poezi; poezia është një fushë krijimi, në të cilën shkrimtari shteron, është një fushë krijimi që i vë limite shkrimtarit, është një fushë krijimi, në të cilën shkrimtari rrezikon të përsërisë vetveten; shkrimtari bën poezi sa është i ri; me t’u rritur, si njeri e si shkrimtar, ai zbulon se është proza mjeti më i mirë për t’u shprehur.” Thonjëzat zakonisht përdoren kur tjetri citohet fjalë për fjalë, por në këtë rast në thonjëza kam futur mendimin e tij të perifrazuar.

Ky ka qenë “takimi” i parë me Kadarenë. Ndërsa takimin e parë real me të e kam pasur andej nga viti 1999. Duhet të ketë qenë pas Luftës në Kosovë. Tok me Andrea Stefanin e Fatos Baxhakun i kemi marrë një intervistë për llogari të RTSH-së. “Jam i hapur për të gjitha pyetjet, vetëm se kam një kërkesë,” na tha. “Dua që t’i drejtohemi njëri-tjetrit me ‘ju’.” Ishte, në fakt, një shprehje bezdie ndaj etikës së shkujdesur në studiot e televizioneve të reja që kishin lindur. Përndryshe, kjo kërkesë do të ishte e tepërt. Asnjërit prej nesh nuk i shkonte mendja t’i drejtohej Ismail Kadaresë me “ti” në një program TV.

Pas kësaj here të parë, ka pasur edhe herë të tjera. Dhe çdo takim me të ka qenë interesant. Por kjo ishte një gjë që unë e kam ditur apriori. Një bisedë me Kadarenë nuk mund të jetë një bisedë dosido. Mund të jetë një bisedë e poshtër (praktikisht nuk ka qenë kurrë e tillë), por jo dosido. E si mund të bësh biseda dosido me një njeri, i cili, teksa je duke zbritur një palë shkallë (shkallët në dalje të restorant Juvenilja, meqë ra fjala), të drejtohet me fjalët: “Se si janë këto shkallë! E përfytyron dot ti Hamlet-in duke i zbritur apo i ngjitur? Kurrsesi.” Në fakt, kush ka shkuar shpesh te Juvenilja ka mundur t’i vërë re ato shkallë që janë të ngushta në njërën anë e të gjera në tjetrën. Në anën e gjerë të duhet të bësh dy hapa para se të zbresësh një shkallë më poshtë a të ngjitesh një shkallë më sipër. Edhe te lartësia e tyre ka diçka që i bën të pangjashme me shkallët normale, në të cilat “Hamleti mund të zbresë pa asnjë problem”. E dini? Pasi u ndava atë ditë nga Kadareja, me të shkuar në shtëpi, u ula para kompjuterit dhe google-ova një copë herën fjalët “shkallë kështjellash”, te faqja e fotografive, për të verifikuar saktësinë e vëzhgimit të tij. Ai kishte të drejtë.

Një herë tjetër kemi qenë në Torino, në një festival kulturor. Unë isha i ftuar si një gazetar i Tiranës, dhe ai ishte i ftuar si Ismail Kadare. Mbajti edhe një fjalë në frëngjisht, e cila mua nuk më tha ndonjë gjë kushedi se çfarë (m’u duk sikur ia kisha dëgjuar një herë atë fjalë, diku tjetër: ishte mbi raportin e shkrimtarit me diktaturën), por të pranishmit, që mund të ishin rreth një mijë vetë, e dëgjuan me interes të veçantë. Dhe e ndërprenë disa herë me duartrokitje. Në fund e rrethuan për t’i marrë autografe. Gati e mbytën. Por ai nuk shfaqi shenja bezdie, gjë që mua më qetësoi. Prisja që të nervozohej e t’u kthehej lexuesve italianë, që mbanin radhë me librat e tij në dorë: “Oooo, po mjaft tani! E gjitha kjo është e tepërt. Si mund ta humbasë njeriu kohën kështu?” Meqë jemi në këtë pikë, lidhur me kohën, në një bisedë që bëmë pak më vonë duke ecur rrugëve të Torinos, pyetjes sime mbi marrëdhënien që kishte patur me të atin, ai iu përgjigj: “Sikur t’i mbledhësh minutat e bisedave që kam patur me të gjatë gjithë jetës sime, bëhen a s’bëhen pesë.” Mua m’u kujtua marrëdhënia ime me babain. Nuk ka mënyrë më të mirë për ta përkufizuar këtë marrëdhënie sesa të them çfarë Kadare tha për babain e vet. Veçse unë kam komunikuar pak më shumë me tim’atë. Gjithë-gjithë bëhen 7 minuta.

toleranca ndërfetare

Doni edhe një gjë të fundit mes detajeve të panumërta që kam të regjistruar në mendje prej bisedave që kam patur me të, të cilat, ç’është e vërteta, kanë qenë të pakta (ndoshta aq sa ishin minutat e bisedave të Kadaresë me të atin: pesë)? Po flisnim për Nobel-in, të cilin sapo e kishte marrë krejt papritur francezi Patrick Modiano. “Ti vetë me siguri do të doje ta merrje çmimin Nobel, apo jo?” pyeta unë. “Sigurisht,” tha ai. “Pse?” “Do të doja ta merrja për ju, për Shqipërinë,” vijoi. Një sekondë më pas, si të ishte bërë sakaq i vetëdijshëm se e mira e Shqipërisë në këtë mes ishte një pasojë, e jo një qëllim a interes i posaçëm i tij, shtoi se edhe atij, si autor, mirë i bëhej. Librat do t’i lexoheshin edhe më shumë.

Ndër të tjera Nano, ndan edhe një bisedë me një kolegun e tij nga Serbia ku shkruan: Një ditë, në Beograd, po bisedoja me një koleg serb, dhe teksa po i përmendja me nderim Gjokoviqin, Paskaljeviqin, Kusturicën, etj., ai më tha si me dhembje e shpirt të ligur kompetitiv: “jeni dakord ju shqiptarët të bëjmë një këmbim? Merrini të gjithë, veç na jepni Kadarenë.”

*Marrë nga libri “Si e kam njohur”, botim i UET Press-it, viti 2019/ babel.al

ObserverKult