Halil Matoshi fiton Çmimin Kombëtar “Ali Podrimja” / “The Lil’s Poem”, libri më i mirë me poezi në vitin 2023

halil matoshi the lil's poem

Në Ministrinë e Kulturës sot u mbajt ceremonia për ndarjen e Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi për vitin 2023.
Libri “The Lil’s Poem” i Halil Matoshit, botuar nga Shtëpia Botuese “Littera”, është vlerësuar si libri më i mirë me poezi për vitin 2023 duke fituar Çmimin Kombëtar “Ali Podrimja” .

halil matoshi

Juria, e përzgjedhur nga MKRS-ja për çmimet e sivjetme ishte në përbërje: Bardh Rugova, kryetar; Naime Beqiraj, Alban Beqiri, Azem Deliu, Vlora Ademi, anëtarë.

Në vazhdim ua sjellim disa nga recensionet për këtë libër:

Visar Zhiti:  Kush e njeh dhe di për jetën e Halil Matoshit, poet, eseist, tregimtar, gazetar, etj., që merret edhe me pikturë, që ka qenë katër herë i arrestuar nga pushtuesi serb, ndërsa gjatë luftës (1999) e morën peng dhe e dërguan në kampet e tyre të përqëndrimit, etj., shikon se kështu është dhe poezia e tij, një lëvizje dramatike, akte shpirtërore, dashuri dhe nderim…
Halil Matoshi jeton siç shkruan dhe shkruan siç jeton, pa një kufi mes tyre.
Libri i tij më i ri, “Poema e Lilit”, është prurje tjetër në poezinë shqipe, vazhdues i vlerave të përbashkëta poetike dhe pasurues i tyre. Ky libër sublimon kohë dhe vend, pra nga jeta e tij dhe trualli i tij, nga shpirti shqiptar, nga fati dhe trazavajet, nga përvoja më e mirë e poezisë shqipe, veçanërisht nga ajo që është arritur në Kosovë, e derdhur natyrshëm në një formë sa kombëtare, po aq dhe europiane, e gjitha e tij, ngazëllim dhe gjëmë, britmë dhe dinjitet, fashitje dhe vështrim brenda vetes.

Ballsor Hoxha: Kjo përmbledhje në fjalë hapet dhe hyn në botën e poezisë me dashurinë, duke e parë atë nga buzëqeshja fëmijërore , nga subjektivja infantile, në dashurinë e jetës, dhe në fund të nënës, si dyzim kujtimi, dhe shpirtëroreje. Më tutje ajo vazhdon me përjetimet në kalvaret e luftës dhe me vetë luftën çlirimtare të Kosovës, gjithmonë me idealin e paqes dhe të skepticizmit në njeriun e bartur nga ligësia (e një zoti si konstruksion mizor). Përmbledhja, për të kaluar tutje, vazhdon në një temë tjetër, atë të rebelimit, dhe të revoltës, dhe të ëndërrimit, si kompleks i humbjes dhe mungesës së artistëve të mëdhenj kosovar, tanimë të vdekur, si Bekim Lumi, Xhevdet Bajraj, e të tjerë. Dhe në fund të kësaj përmbledhje të poezive, Matoshi i kthehet poezisë në formë të nokturneve,  duke e elaboruar atë në tema mitologjike të një zoti “që na ka mbetë si konstruksion” dhe aq më shumë mizor në këtë konstruksion, apo edhe të temës së maratonomakut të parë në dërmimin nga e sotshmja.

Nerimane Kamberi: Halili ka zgjedhur një titull në anglisht për përmbledhjen e tij, sikur do ta çoj përtej kufijve kombëtarë historinë e tij dhe atë të shqiptarëve, ta ndërkombëtarizoj “kalvarin e tij”, fundja, të thotë se lufta është univerzale, se dhimbja e përshkrume në vargjet e tij nuk i përket vetëm atij, nuk e prek vetëm atë, por ka prekë dhe do të prek secilin, herët a vonë. Dhe pastaj do të mbetet poezia, ca vargje e shumë rrëfime trishtuese. Po u shkrueka poezi edhe pas asaj që i ndodhi Kosovës, që i ndodhi poetit. Poezitë e tij lexohen shpejt e shpejt, sepse Halili ashtu ka dashur, që lexuesin e tij ta hedh sa andej e sa këndej, me “energeia aristoteliane”.
Poezia e tij është ritmike,  gjeometrike dhe  filozofike,  e na bën ta rikujtojnë se dikur Halili kishte studiuar filozofinë e bashkë me Kierkergardin të dëshironte të “kthehet melankolia.” 

Afrim Kasolli: “A mund të shkruhet poezia pas Auschwitzit”? – është njëra nga pyetjet më të njohura që filozofi dhe kritiku i njohur Theodor Adorno, shpreh habinë, zhgënjimin dhe protestën e tij për ngjarjet e kobshme të Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me “kampet e përqendrimit”. Mirëpo, askush nuk e ka kontestuar më shumë këtë pyetje sesa libri më i ri i poetit, publicistit dhe shkrimtarit të njohur Halil Matoshi, të titulluar “The Lil’s Poem” të botuar nga shtëpia botuese Littera. Libër ky, që këto ditë u promovua në prani të miqve dhe adhuruesve të poetit Matoshi në ambientet e Teatrit Oda. Kështu, me anë të këtij vëllimi poetik krahas vlerave estetike, kulturore dhe letrare në fund të fundit poeti na tregon se poezia mund të jetë pikërisht dëshmitare e krajatave dhe vuajtjeve jo vetëm të poetit, por edhe të gjithë atyre që kaluan në kalvarin e persekutimit nën një regjim fashist, sikur se ishte ai i Milosheviqit. Pra ajo i shërben “Mnemosyne-ës” perëndisë së kujtesës, apo “muzës së të gjitha muzave” siç e quanin ndryshe grekët e vjetër memorien. Prandaj, kjo edhe është njëra nga detyrat e poezisë, që të jetë dëshmitare e asaj që ka ndodhur. E të ndikojë që të mos i mbulojë “pluhuri i harresës” ngjarjet e së kaluarës.

Blerina Rogova Gaxha: Lirika e pastër jeton në kënaqësinë e klithjes së bukur, në habinë e saj. Lirika e Halil Matoshit klithë jo prej habisë së bukurisë, po prej tmerrit dhe të pabesueshmes.
Poezia e Matoshit sublimon kohën dhe vendin, rrëfen autobiografinë dhe njëkohësisht i shkruan biografinë shpirtit shqiptar, dhimbjes dhe fatit të njeriut të vrarë e të burgosur, fizikisht e shpirtërisht. Ai derdhë në poezi përvojën personale, por shkrin në të dhe fatin nacional, gjëmën, britmën, dramën dhe tragjedinë e një populli. Ajo është poezi e tij, drama e jetës, por i flet dhe të tjerëve si dramë kolektive që portreton vdekjen, gjakun, eshtrat. Meqë në pjesën më të madhe poezia e librit The Lil’s Poem (Littera 2023), është autoreferenciale, ajo mundëson provën e një monologu të dhimbshëm, të brendshëm, derisa shpërfaqen personat realë, dialogu dramatizon fatin e njeriut në zgrip të ekzistencës. “Poema e tij është place d’armes dhe një simfoni. Një dëshmi jete, gjuhë dhe frymë, poezi e njeriut… Mos gjyko kurrë nji njeri me plagë…” kështu thotë Visar Zhiti për poezinë e Matoshit (2023, f.9).
E parë nga perspektiva e traumës dhe memories së luftës në letërsi, poezia e këtij libri është reprezentim i etosit dhe etnologosit shqiptar, por në të veçantën e vet, farkuar kryesisht si kujtesë apo reminishencë e kujtesës historike-imagjinare. 

Kemajl Aliu: Libri më i ri i poetit Halil Matoshi ”The Lil’s poem” (Poema e Lilit), marrë në përgjithësi është libër me të cilën poeti shënon ngritje cilësore në kontinuitein e krijimtarisë së tij letrare-poetike. Këtë shënim evident ai ka arritur ta sendërtoj përmes, tematikës së shtjelluar, mjeteve shprehëse stilistike, densitetit figurativ si dhe gjuhës specifike, çka e bën një libër poetik, kushtimit përmbajtësor.
Libri “Poema e Lilit”, dallohet jo vetëm për nga mbarështrimi motivor dhe tematik, por edhe për nga qasja dhe perceptimi i materies lëndore; ( burgu, lufta, ndarjet, vdekjet, të zhdukurit), që e mbajnë koshient lexuesin fund e krye leximit. Në pjesën dominante të vargjeve poeti vë thekse dramatike nga momentet e kalimit-përjetimit – mbijetimit të këtyre situatave dramatike, të cilat nuk marrin fund asnjëherë. Ato do të na shfaqen përsëri, tash më të reprodukuara në pasoja…
Libri “The Lil’s Poem”, është libër i veçantë, për faktin se autori ia ka dalë mbanë të ligjëroj me mëvetësi artistike për trajtat e shumëfishuara të dhimbjes duke e vendosur atë në kontekste të ndryshme; individuale, kohore, tekstuale dhe intertekstuale, gjithnjë me dendësi figuracioni.
Duke u nisur nga fakti se vargu i H. Matoshit përmban gjithashtu nuancime të forta të natyrës filozofike, e kësaj kur t’i shtohet edhe fakti i ligjërimit dramatik që e arrin suksesshëm poeti, jo vetëm në “Poemën e Lilit”, por pothuajse në pjesën dërmuese të librit, mendoj se këto veçori e bëjnë një poet të mvetësishëm me një identitet tashmë të formuar artistik.

halil matoshi the lil's poem

𝐁𝐢𝐨𝐠𝐫𝐚𝐟𝐢𝐚

Halil Matoshi (1961) asht poet, eseist, tregimtar, gazetar dhe publicist. Merret edhe me pikturë dhe studime filozofike e letrare. Ka diplomu në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ka një master në gazetari.

Ka punu gazetar, redaktor dhe kryeredaktor i revistave dhe gazetave “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, “Zëri”, “Syri i tretë”, “Republika”, “Sheshi”, “Lajm”, “Gazeta Express”, “Focus”, “Koha Ditore”.
Asht në një mënyrë gazetbâmës.
Tri herë i shpallun gazetari ma i mirë në Kosovë, 1988, 2000 dhe 2004;
Katër herë i arrestuem nga regjimi serbian, gjatë Lëvizjës antifashiste (1990-1999);
Matoshi ishte i marrë peng gjatë luftës për Kosovën (1999) dhe asht mbajtun për një vit në kampet serbe të përqendrimit në Lipjan (Kosovë) dhe Požarevac (Serbi).

Asht autor i librave: “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (1994), “Lajmësi memec” (1996), “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe”, (2000), “Hija e Krishtit” (2004), “Katedrale prej letre” (2012), “N’zanafillë” (2013) dhe “Gdhendje drite”, (2021);

Poezi të tij janë përkthy në gjermanisht, spanjisht, sllovenisht, serbisht e kroatisht, turqisht, rumanisht, greqisht, anglisht.

Libri “The Lil’s Poem” i Halil Matoshit, botuar nga Shtëpia Botuese “Littera”, është vlerësuar si libri më i mirë edhe në Mitingun e Poezisë në Gjakovë 2023.

ObserverKult

Lexo edhe:

HALIL MATOSHIT I JEPET ÇMIMI PËR KARRIERË LETRARE NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR “DITËT E NAIMIT”

“THE LIL’S POEM”, VLERËSOHET SI LIBRI MË I MIRË NË MITINGUN E POEZISË NË GJAKOVË