Nji poet – Nji poezi
Nurie Emrullai: “E përafërt me fatin”
Diku në këtë vend,
brenda kësaj bote,
është dikush,
krejtësisht si unë,
(çfarë fati!)
që u dashuruam në ngjashmëritë tona,
që u çmallëm për gjithë jetët e ndara,
por tani vazhdojmë të rrimë të humbur,
vazhdojmë bëjmë sikur kërkojmë,
duke thënë: “e di, dikund duhet të jetë dikush si unë.”
Prolog.-
Nurie Emrullai, për mue emën i letrave shqipe i zbuluem rishtas, gjatë Festivalit të poezisë “Polip” në Prishtinë.
Poete që vargu i saj të vjen sikur me e deshifru nji gjuhë të zhdukun, fjalorin, gramatikën e sintaksën e saj, varg që të shfaqet sikur astrologët sapo kanë zbulue nji yll të ri ose nji planet t’panjohtun.
Fundësisht kjo autore më bind se poezia ose âsht zbulesë, univers i ri, ose duhet me pushu së foluni për të.
1.
Tue lexu librin e saj “Vargmale nën dhé”, hasa në nji zâ t’ndryshëm i cili vjen në botën e poezisë si fije drite që përthyen ngjyrat e natyrës, si çastësia e beftë e vetëtimes.
Poezia “E përafërt me hapin” âsht hapje e qenies ndaj botës në gjuhë, në marrdhanie me të ngjashmin, njeriun-në-botë.
Në poezinë “E përafërt me fatin”, autorja Nurie Emrullai dëshmon për Dasein-in që âsht un-i i plotë që e ruen qenien, simas Heidegger-it “Njeriu âsht bariu i qenies”.
Vërtet, arti poetik ruen dhe ruhet (Deleuze&Guattari);
brenda kësaj bote,
është dikush,
krejtësisht si unë
Me këtë trevargësh autorja e shpall atë zbulesën Heideggeriane – aletheia – që pēr Dasein-in âsht hapje kuptimore që i pērket zbulimit të botës, ku gjânat marrin kuptim dhe falë ekzistencës, përmes kërkimit vijmë tek thelbi.
…u dashuruam në ngjashmëritë tona,
Dasein-i qenieson tue u dashtunu në tjetrin që ka me e humbun në boshin e jetës, vetëm për hir të kërkimit, për të cilin piktori i madh Pablo Picaso thojke se ai vlen ma shumë se fitorja!?
Tabloja pikturale e Nurie Emrullait âsht e kodifikueme dhe për me i zbërthy të fshehtat e saj, na duhet kërkimi.
Kërkimi universal i të ngjashmit (shpirtit binjak) që na përmbush dhe na e plotëson identitetin si individ.
Poezi e mësymjes njerëzore për veten e dytë që e plotëson qeniesimin në botë. Ndjesia që shkakton estetika e ngjashmënisë në vepër arti.
Bukuria e befasishme kur (sëpaku) në poezi ekziston dikush i ngjashëm me ne!? Nurie, âsht nji poete e re por që e veçon nga poetet e arealit gjuhësor të shqipes, pikërisht kërkimi dhe befasitë që i rezervon ai, në shtjellat e mendimit poetik.
Qeniesim ky në mërzitje të kulluet, që âsht tharmi i dashtunisë e në kërkim të atij që flet si na -të ngjashmit- nji shpirt binak i dritësuem në fjalën që t’bân.
2.
Roli i ngjashmënive estetike (shpirtnave bineq) ne preferencat e tërheqjes nga tjetra/tjetri âsht studju nga Duane E. Lundy, Barry C. Barker, Arika J. Glenn (2013) dhe për këta autorë ngjashmënia estetike është një kontribues i njohtun për tërheqjen mes njerëzve.
3.
Nëse filozofi Peter Singer e shihte njeriun si kafshë, me aftësi njohëse që tejkalojnë shumë ato të kafshëve të tjera, dallimi nuk është arbitrar, por ndryshimi është ai i shkallës, dhe jo i llojit, atëherë na rezulton se poeti pos që âsht në shkallën sipërane të njohjës, ai e fisnikëron (e kullon) dritën e shpirtit nepër gjuhën e zgjedhun, me shpirt, sepse me qenë njeri me shpirt, âsht mënyra ma e mirë me e gjetë shpirtin binak, thotë Thomas Moore.
Porse, neve na intereson metafizika e qenies së përbame nga dy gjysma: shpirti binak, që ngjizet në fjalë, të cilës poetja i jep energji (emnin e saj e emni âsht njeriu!?) në udhët kërkuese të kuptimësimit dhe vetqeniesimit.
Poetja, megjithatë, pos që i jep fjalës dritën (nur-in) e shpirtit, sygjeron ose lëtë kuptohet ss duhet kërkimi!?
Vallë të jetë nji andërr!?
Në Botë. Në gjuhë.
Poezia po rikthehet e rikthehet.
Ajo na bân t’kânun. Ajo na lidh me shpirtin tonë binak – përfundimisht me vetën – tue ndjekun njâni-tjetrin.
4.
Ekzistenca e tē ngjashmit diku në botë âsht për poeten Nurie Emrullai, vet fati që ruen baraspeshën e botës.
Fati dhe Fatumi (Fate and Destiny), simas konceptit të
Richard W. Bargdill nga Universiteti Saint Francis, janë dy terme të dallueshme, tue sqarue se, fati dhe fatumi në greqishten e vjetër rrjedhin nga e njëjta fjalë: moira, kurse në latinisht, fjala për fatin është fatum dhe rrjedh nga “me folë”. Simas Bargdill, Bollas (1989) vëren se fat âsht nji profeci dhe se fatum âsht një orakull. Bollas shprehet se nëse fati del nga fjala e perëndive, fati është një rrugë e paracaktuar që njeriu mund përmbush.
E ajo fjalë të thotë nisu (dil në botë) dhe jij vetvetja, autentikja, kërko dhe mos u shtihav, mos rri e humbun.
Bargdill citon Doob (1988) dhe Bollas (1989) të cilët sugjerojnë që, në përgjithësi, fati ka një kuptim negativ, që do të thotë se njerëzit e përdorin fjalën kur rezultati i ngjarjeve në jetët personale âsht i pafavorshëm.
“Doob thotë se arsyeja e konotacionit negativ për fatin është lidhja e tij në marrëdhënie me fjalët si fatale, dhe fatalizëm, që kanë jehonën e ngjarjeve të pakëndshme.”
Megjithatë, në interpretimin tonë të fatit dhe fatumit, në poezinë “E përafërt me fatin” do të ndalemi vetëm tek filozofia ekzistencialiste, si nji përpjekje për me e dritësu qeniesimin -në-botë, si fatum.
Për mendimtarët ekzistencialë, qëllimi âsht me pranue të dhanat e jetës së dikujt për me bâ zgjedhjen. Bargdill thotë se
Martin Heidegger, gjithashtu dallon fatin dhe fatumin tek “Qenia dhe Koha”.
“Për individin (Dasein) njohja e vdekjes së afërt të dikujt âsht detyra që lejon nji person me u ballafaque me potencialin e fatit të dikujt. (Në kuptimin etimologjik, Da-sein, rrjedh nga, ‘Da’ – të jesh këtu, ‘sein’ – të jesh atje. Pra Da-seini, gërsheton qenien dhe njeriun, “këtu-në dhe atje-në”.)
Sipas Heidegger, fati i Dasein njihet si fundësia e jetës dhe qasja në atë jetë me një ndjenjë urgjence, në të cilën Dasein ia dorëzon veten fatit – për – vdekjen, në një mundësi të cilën e ka trashëguar dhe akoma e ka zgjedhur ”(1962, f. 435).”
Dasein-i që njeh vdekjën bâhet vetvetja, pra âsht në gjendjen e vet autentike.
Fatumi për Heideggerin, âsht nji fjalë që âsht e rezervueme për nji bashkësi të njerëzve, nji kulturë ose një qytetnim.
Sëkëndejmi, tansia e fateve individuale e qartëson fatumin – të vërtetën e plotë – të nji komuniteti në tuebamje.
Pra, simas Bargdill, vetëm tue komuniku me tjetrin/tjerët dhe në luftë vjen në shprehje fatumi që çliron fatin nga joautenticiteti. Heidegger, aftësinë e individit për me e jetu fatin e tij të lirë e sheh të lidhun ngusht me aftësinë e komunitetit për me realizu fatumin e tij.
Fati përdoret për me e përshkru idenë se si Dasein hyn në nji botë pa zgjedhë asnji prej tipareve thelbësore të vetvetes.
“Ne nuk zgjedhim gjininë tonë, periudhën historike ose prindët, as nuk zgjedhim racën ose karakteristikat tona fizike; përkundrazi, Dasein âsht hedhun në botë dhe duhet të pajtohet me atë që i jepet, pra me fatin. Kjo hedhje në botë, pastaj ndan shumë ngjashmëni me të tjerët që konceptohet si fatum.”
Pra, tanesia e fateve munen me ndryshu fatumin.
Ma tutje Bargdill thotë se të dhanat e jetës (fatet) vlejnë për njerëz në të paktën katër nivele të ndryshme sipas Majit: së pari, ai kozmik, lindja jonë nuk zgjidhet dhe koha jonë e pashmangshme vdekja nuk âsht e njohtun për ne; së dyti, niveli gjenetik në të cilin ne nuk kemi zgjedhë gjininë, racën, tiparet e trupit dhe talentet tona; së treti, ne nuk kemi kontroll mbi prejardhjen familjare e klasore, periudhën historike që e jetojmë ose gjuhën që i përkasim. Ne nuk zgjedhim botën ku jemi hedhun, porse, së fundi, ekziston nji nivel rrethanor në të cilin ngjarjet përtej kontrollit tonë – të tilla si luftnat, depresionet ekonomike dhe Zeitgeists – ndikojnë në zgjedhjet tona dhe ky âsht destini apo fatumi ynë.
Ortega y Gasset, nji autor ekzistencialist, gjithashtu e konsideron fatin si të tillë, ato ngjarje mbi të cilat ne nuk kemi kontroll ndërsa fatumi varet nga zgjedhja dhe rrethanat (Bargdill citon Gray, 1977).
Sidoqoftë, Y Gasset i bën jehonë aforizmit të Nietzsche-s për fatumin: “bânu ai që je”, ngase çdo largim nga vetja ose rishikimi rrânjsor i fatit, munet me e shkatrru personalitetin tonë, mundësitë më autentike tonat.
Fati i vërtetë i dikujt âsht veprimi në përputhje me këtë un të vërtetë. Prandaj, fatumi vjen nga një vlerësim i sinqertë i fatit.
Gasset për fatin, (simas Gri 1977, të cilin e citon Bargdill) thotë se njeriu duhet me e zbulu atë që âsht e tij, domosdoshmëni autentike; Njeriu duhet me e gjetë atë në vetvete dhe pastaj me vendosë me qenë ai” (f. 177).
Poetja Emrullai edhepse e di se âsht diku dikush (shpirti binak) shfaq ankthin si gjendje njerëzore (qenie – për-vdekje) në nji pozitë ‘si të humbun’ tue shfaq autentiken, vdekjën si fatum.
Vetëm i lirë (për vdekje) njeriu âsht në ankth të përhershëm sepse, siç thotë Søren Kierkegaard, ankthi âsht marramendja e lirisë!
Vepra e Heidegger-it “Qenia dhe Koha” e shtron si «ekzistencial” kuptimin thelbësor të ankthit. Ankthi na hap drejt thelbësores, sepse te ankthi provohen kufijtë dhe që jepet rrallë, në atë që Haidegeri e quen ekzistencë autentike.
Në ekzistencë autentike, simas interpretimit të Gjergj Sinanit (parathanie për botimin shqip) të qenmit që kthehet në totalitetin e vet, peisazhi sigurues i të vepruemit tonë zhduket, tue na lënë në vetminë absolute, përballë të Paemnuemës. Ajo që «nuk âsht», që nuk âsht ma asgjë nga «të qenurit, që na fut ankthin dhe tmerri i së cilës na zhyt më së pari, është vetë Qenia që, në kushtet e fundësisë tonë të tashme, nuk mund të na jepet vetëm nën këtë mbulesë të Asgjësë – dhe jo të Hiçit.
Në fakt, këtu gjendet pika thelbësore. Ankthi na vendos përballë asaj që nuk ka asgjë si të “qenë” pra, ndaj asaj që âsht për të qenmit, asgjâja, dallimi i saj absolut. Por, ajo që âsht jo-të qenë nuk âsht aspak hiçi si mohim i kulluem.
Nga thelbi, në të fshihet pozitivja, madje është velloja e Qenies.
Epilog.-
Me këtë hov due me e përmbyll kētē ese tue ia dhânë vendin e merituem kësaj poetje në letrat shqipe, si nji zâ ekzistencialist, ndër të rrallët, po i fuqishëm, zâ i vërtetë dhe autentik.
P. S.
Për me e matë fuqinë e fjalës nuk ka nji masë, etalon, përveç sasisë së tingullit që shpërndahet në trajtë drite dhe prek zemrat e njerëzve, pra fjala u shfaqet si “shpirt binak”.
Çfarë është një shpirt binak?
Me gjenealogjinë e vet fenomenit, në rrafshin e psokologjisë aplikative janë marrë sëvoni Barbara Spinelli, një terapiste, eksperte e marrëdhënieve njerëzore dhe Lisa Vallejos, terapiste.
“Shpirtnat bineq janë dy gjysma ose pasqyra të dy individëve të ndryshëm,” thotë Barbara Spinelli.
Këta individë kanë tendencë të kenë pikat e forta dhe të dobëta të ngjashme dhe ndihen të lidhun fort për diçka të përbashkët – zakonisht për dhimbjen e përbashkët, shpjegon Lisa Vallejos, tue përcaktu nji shpirt binak si dy njerëz që kanë një lidhje të thellë shpirtërore.
“Ata duket se pasqyrojnë njâni- tjetrin dhe munden mecqenë nji burim i madh reflektimi dhe rritje, kanë nda rrugë të ngjashme të jetës, histori dhe nganjiherë trauma,” shpjegon ajo.
Vallejos termin “shpirt binak” ecqet në gojë të Elizabeth Clare Prophet, një udhëheqëse e Kishës Universale dhe Triumfuese.
Megjithatë, koncepti i shpirtnave bineq shkon shumë më tej, argumenton Vallejos. Në shekullin e pestë para Krishtit, Platoni shkroi në tekstin e tij filozofik “Simpoziumi” se perëndia greke Zeus i shpërfilli njerëzit duke i ndarë në dy gjysma, meshkuj dhe femra.
Ndërsa disa studiues thonë se mendimet e Platonit përshkruajnë shokët e shpirtit, “shumë prej nesh e përdorin këtë si sinonim për shpirtnat bineq “, shpjegon Vallejos.
“Shpirtnat bineq ju tregojnë frikën dhe pasiguritë tuaja, por ato gjithashtu mund t’ju tregojnë se si t’i kapërceni ato,” shpjegon Spinelli. “Ata thjesht ju inkurajojnë t’i shikoni ato gjëra më plotësisht.”
Ndiheni të lidhur ose të afërt në një nivel të thellë. “Shpesh ka një dëshirë dhe dëshirë të thellë. Ju mund ta gjeni veten tue ndjekun njâni -tjetrin.” – thotë Spinelli.