Halil Matoshi: Heu Adem Gashi, po shpejt ike he burrë i dheut!?

Kam pa nji bandë që ma shkelshin arën e babës e mâ shkundshin kokrrën e elbit. I kam lutë me shkue e dikur tutet kam marrë nji pushkë!
Nuk kam shtënë asnji fishek.
Ishte veç nji ândërr!?
Vallë çka ka me dalë?

Nga Halil Matoshi

1.
Ndër poetët e fundmë të ngritun nga “Rilindja” e viteve të para të autonomisë së Kosovës (‘70at) që kujtojshin me e mbjellë farën e lirisë brenda koreve të librave, sikur në arë të babës!?
Po, ata kanë besu se liria ngjizet në poezi.
Në fjalë!
Adem Gashi përkiste tek brezi i poetëve kosovarë që pandehnin se anmiku i goditun me metafora e breshni anaforash ka me ikë nji ditë e ka me na lânë me rrnu t’lirë në këtë tokë të namun.
Por ah çfarë munimesh hoqëm. Heqamë!
Deri n’liri ishte udhë e zorshme sa që shpirtin tue dalun e kemi nalë n’grykë. Me u çue e me u bâ drejt edhe nji mjes edhe nji ditë…
Dhe qe, vjen ni mjes janari si ky, kur refuzojmë me u çue!?
Si Ademi.
2.
Sëfundi u pamë në promovimin e librit studimor të Blerina Rogova-Gaxhës, për kujtesën në letërsi, masanej pimë kafe te KafeZ.
Folëm për paskejsinë e kërkimit të kuptimit me jetu, paskejsinë e artit letrar. T’jetuemit asht vuejtje e arti âsht zbukurim i dhimtës – me e përballë absurdin. Trimnisht!
Liriku i fundit i poezisë kosovare e kritiku iku, pa lamtumirë, siç fshihen nga bota rëndom, poetët!
Pa gjâmë e bujë!
3.
Ademi, nji profesor letërsie nga Nekoci i Drenicës, njohës p’ej t’mirëve të letërsisë e nji gazetar kulture në Radiotelevizionin e Prishtinës, i burgosun politik i viteve ‘80a pra idealist, âsht shque për lirizmin e rrallë, për dramën e brendshme të transformueme në vargje të lira, tue bâmun (krijue) e ngritun poetikën e dhimbjes për humbjën e etosit, apatinë dhe shthurrjen e etnosit dhe në fund edhe humbjen e telos-it, qëllimit, i cili siguron justifikimin moral për shoqninë.
Me u ringritë si Phoenix…
4.
Me Ademin kemi ndrru fjalë e kemi debatu gjatë, nuk jemi pajtu gjithmonë por jemi nda gjithnji me respekt të ndërsjellë.
Për ma shumë se tri dekada.
Ademi sot paska mësy nji udhë të re, tue na lânë neve knej vetmue, pa njânin p’ej nesh, e pa asnji kuptim t’gjetun pse jetuem!
Na mbetëm ende sa me e kujtu. Njeriu des nga harresa.
Pushoftë në paqen e pasosun Mjeshtri ynë!
Askush nuk del i gjallë nga këtu ku jemi hedhun!
5.
Andrrat shprehin rëndom anën neurotike të personalitetit tonë. Mospajtimin dhe reaksionin.
Habere t’kqia.
Ka nji jetë që udhëtoj nepër ândërr t’keqe…

ObserverKult

LAMTUMIRË, MAESTRO! NDAHET NGA JETA SHKRIMTARI ADEM GASHI

ObserverKult