Halil Matoshi: Lamtumirë Ahmet Brahimaj!

1.
Thanë se në fillim ishte fjala: Poetët.
Adami.
Thanë se në fillim ishte vija. Piktorët.
Vizatimet në shpella.
Thanë se në fillim ishte loja. Aktorët.
Hileqarët që zânë pick ndërgjegjet e sundimtarëve.
Thanë se në fillim ishte tingulli. Muzika.
Apolloni.
Po thom se në fillim ishte lëvizja.
Kur njeri u ngrit në kâmë.
Baleti.

2.
Kosova ka hy në historinë e kombeve moderne, në ditën kur dikujt i shkrepi ideja dhe u ngrit majë gishtave të kâmve, pastaj fluturoi…
Ndejti pezull n’ajr tuj e sfidue gravitetin.
Por kjo nuk zgjatë.
Ahmet Brahimaj âsht ni ndër ata burra që priu në këtë art, që bota e ka më kèt.

3.
E kam njoftë nga prapaskena Theatrin dhe Baletin.
M’ra me punu (2015-2017) në Bordin e Theatrit Kombëtar, me Ahmetin, Agim Sopin e Jeton Nezirajn.
Ahmeti ishte artist dhe shoq i mirë.
Kurrë nuk i harroj përpjekjet e tij epike që t’më afronte me baletin, ta shijoja e ndjeja atë!?
Më ka fascionu gjithmonë baleti dhe diqysh i jam shmangë!?
As sot nuk e di pse. M’ka ngjallë nifar frike të pashpjegueshme baleti, si art që i shkon mirë vetëm ni të riu atlet të përjetshëm, pa mjekërr!?
Epheb-it.
Ndoshta pse âsht lëvizje matematikisht integrale dhe e komplikume me ritëm e takt muzikor, arti i vallëzimit dramatik!?
Lojë zotnash. Apolloniane.
I biri i Zeusit, Zot i harkut, muzikës & vallëzimit, të vërtetës dhe profecisë, mendimit racional, shërimit të sëmundjeve, mishërim i diellit dhe dritës, poezisë.
Nâshta e urrej Apollonin për hatër të vènës mi t’cilën zotnon Dionisi!?
Valltar kaotik, irracional, emotiv dhe instinktiv.
Ndoshta pse gërsheton artet dhe i lidhë me atletikën, akrobatikën…
Po megjithatë baletin e dominon lëvizja që ishte para vijës, para fjalës…

4.
Për t’mramën herë u pamë me 12 mars, ditën kur i dham lamtumirën ni artisti tjetër, Musa Ramadanit.
Më tërhoqi përdore si me zor (!?) me dëshirën me pi ni kafe nalt në byfe, në katin e dytë të Theatrit. Më tregoi për derxhen.
U bâna kishe s’po e nigoja.
Kaluese, i thashë, ai buzëqeshi.
Pagoi tek banaku dhe dolëm.
I thash: Drejtor, gjithni kur dal nga kjo derë e byfesë, tutna që rrëxohna në këtë shkallare para dere!? Serish buzëqeshi!?
Vërtet ishte ni shkallare si kurth në pragun e asaj dere, që më frikësonte sa herë e kalojsha.
Shpesh isha n’tetik me râ.
Gjithni e kam zânë veten n’zgabim.
Ahmeti nuk ra. Ai u ngrit majë gishtrinjsh si më 18 vjetët e tij, qëndroi pezull dhe humbi qiellit n’flut’rim.
Jeta âsht tetik. Kurth!? Si baleti!?
Si ajo shkalla e e byfesë së Theatrit.
Lamtumirë Ahmet Brahimaj!
Pusho në qetim, nga të qenit pezull në njat vallëzim dramatik jetësor!/ ObserverKult