Në veprimtarinë parapërmbyllëse të edicionit të trembëdhjetë të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, shkrimtari dhe publicisti Halil Matoshi do të jetë mysafir i zgjedhur i këtij viti.
Në Bibliotekën e re të Gjilanit “Fan S.Noli”, ku mbahet ky manifestim që nga inaugurimi i kësaj Shtëpie të librit, të shkrimtarit e të lexuesit, nesër nga ora 12:00, për krijimtarinë letrare të Halil Matoshit do të flasin fillimisht poetja dhe studiuesja e letërsisë, Donika Dabishevci e poashtu dhe dramaturgu Jeton Neziraj.
Pastaj përmes një bashkëbisedim letrar nga të pranishmit, do të vlerësohet ky shkrimtar i shquar i brezit të viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, do të lexohen poezi si dhe Halil Matoshi do t’iu përgjigjet interesimeve të të pranishmëve, kryesisht nga fusha e letërsisë dhe krijimtarisë së tij letrare.
Halil Matoshi (1961) është poet, eseist, tregimtar, gazetar dhe publicist. Merret edhe me pikturë dhe studime filozofike e letrare.Ka diplomuar në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Filozofisë dhe Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ka një master në gazetari.
Ka punu gazetar, redaktor, kryeredaktor dhe kolumnist i revistave dhe gazetave “Bota e re”, “Zëri i rinisë”, “Zëri”, “Republika”, “Sheshi”, “Lajm”, “Express”, “Koha Ditore”.
Tri herë i shpallun gazetari ma i mirë në Kosovë, 1988, 2000 dhe 2004; Katër herë i arrestuem nga regjimi serbian.
Matoshi ishte i marrë peng gjatë luftës për Kosovën (1999) dhe asht mbajtun për një vit në kampet serbe të përqendrimit në Lipjan (Kosovë) dhe Pozharevc (Serbi).
Është autor i librave: “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (1994), “Lajmësi memec” (1996), “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe”, (2000), “Hija e Krishtit” (2004), “Katedrale prej letre” (2012), “N’zanafillë” (2013) dhe “Gdhendje drite”, (2021);
Poezi të tij janë përkthye në gjermanisht, spanjisht, sllovenisht, serbisht e kroatisht, turqisht, rumanisht, greqisht, anglisht…
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur me poezi të Halil Matoshit:
Vizllimat e syve homerik
(Refleksion për lirinë dhe dashuninë derisa ajo recitonte Iliadën, mua më vizllonin sytë si ushtarit antik pas betejës…nëse ka mbetë gjallë …E doja o Zot, dhe e ruaja siç duhet dhe ruhet më e lëndueshmja që ke)
Si ta hetoi syni ushtar i verbët nga trimnia
thembrën të lëndueshmen, të shpejtën e Akilit
si ma hetoi zemra e verbër të lëndueshmin synin tënd të pashëm
pushtimin e shpejtë si e pranova o si Helenë?
Unë i forti që fitova të gjitha luftrat unë i brishti
mos më plagos zemrën të lëndueshmen ruama
ta ruaj përjetësisht hijeshinë
mos më vrit me atë shi lotësh të shpejtë shpatë
që vrau fluidin Ayrton Sennën
e urrej shpejtësinë shiun dhe fortesën tënde
dhe secilën teori konspirative për xhama të thyer në pistë
shumëçka është e shkrueme e shumë pak aksidentale
e dua frymën e lagësht dhe njerëzit që nuk godasin delikatesat
ma ruaj vizllimën hyjnoren dashurinë
mos nis shtiza të helmëta kah thembra ime zemër
se ka edhe shumë mileniume pas nesh e duhet me e tejçue
atë vizllimë
befasisht dikur dikush dikujt do t’ia kërkojë t’ia puth syrin
e ne do të zgjohemi së vdekuni e të themi: Krejt si na!
Çupa te kroi
Qetësia mbushi frymë Olimpin pas rënies së zotrave nëpër beteja gjakatare
ajo e bukura kërkonte ta vriste vetminë
frymëmarrja e saj ndjehej si të ishte hymn dhe uji ridhte pandalshëm si historia njerëzore
si një dashuri e pamatshme
ia njoha frymëmarrjen ishte Ifigjenia greke qe ecte drejt flijimit
e kam pa në sytë e Homerit jam takue me të në dramat e humbuna t’Eskilit
ishte Princeshë dardane apo akëcila femën arbërore
ajo u ul me pi
koha u ndal
si ajo fotografi “të shohësh sikur” Ifigjenia po kthehej nga Olimpi në Gërmi
burri i dashunuem përsëri do të vdes në ndonjë betejë të çmendun
çupa nuk do të marrë më frymë ah ç’ironi
por mbetet tregimi i bukur ni fotografi
në memorien e mileniumeve
çupa që ulet me pi
Poezi për një buzëqeshje
(mos kërko shpagim për ato që ke dhuruar)
Buzëqeshe dhe mbulove botën
me ni vullkan margaritarësh
nuk mundesh me i mbledhë ma
janë pak ata që i marrin
edhe ma pak ata që i kthejnë
kurrë asnjëri s’asht ndalë
me thanë faleminderit
E ti mos u dëshpëro
buzëqesh
se shpagim ka
a e ke ditë se diku në ni kopsht në planet
posa ka hapë petalet ni trandafil
Më njih dhe qasmu
(Nov. 16. Për L.)
Ambasadori grek në Prishtina City fliste me zell për pikturën e tij
Unë për hallin tim qysh me dal p’ej lkure ngusht e kam
dhe diqysh po më pengojnë gozhdat e Jezusit ngapak po më rjedh gjak
nga luftrat e zverdhura helene nga historiografia arbërore
i mbërthyer në Rezoluta të UN-it të jesh hiq s’është e pëlqyeshme
dua të ik, të dal në lirinë time
të kthehem në Itakë
Se si me duket Greqia, ëndërr e pame si emër si inat dhe kapriç burrash
Joreale në lajmet ndërkombëtare
Se si e ndjej spikerin tek thotë Paridi i bukur dhe trim Menelau…Akil këmbëshpejti, Itaka…Olympia… Eskili… njehësimi Aristotelian i kohës
koncepti platonian për dashurinë
Pastaj Troja e njejta kohë dyzimi
Më ftoi në Selanik më dole para sysh Ti krejtësish e fjetun
e unë duke t’i lëmue supet gjatë dhe thellë në netët që zbresin hanën
në ujna të ëndërrta të arta…
lermë dhe ca t’i lëmoj flokët e artë lermë të të dua deri në fund
ecja përballë ish Spitalit të veremit në jugperëndim të qytetit
aty e pata lënë nanën – e humba sytë më nuk ia pashë
motra ia kishte mbyll me pambuk – të mos i sulen krimbat
përskaj një kolonë veturash me bori furishëm parakolonin, ishte dasmë
qe Prishtina reale, jeta… Kjo është e dashun
Ndjej humnera tek më përbin
Yllësia ndjej tek më merr mbi
vizllimën e syve të nanës mu bë sikur e pash tek Ty
zhvendose shikimin, kohët, mileniumet…ike si njeriu i shiut
me dritë shpejtësie si Ayrton Sena
si det i pikëlluar kur humbet hana
U bëra i thyeshëm, qava…
Lermë të jetoj në ty – në gjithëkohësi
Ose më lërë atje ku isha në antikë humbës si Eskili
Syni i falun
-4 korrik
Ni ditë ma parë
Ai i tha ma fal synin
Ta mbaj në sy
Të nesërmen ai e vendosi n’poezi
“ma ruaj të lëndueshmen zemrën, synin ta ruaj…”
Ni ditë pas
Ia puthi synin
Thjerrëza lëvizi, hana hijet
dhe qyteti u përmbys
po shkatërrohej syni mbi sy
ta shpëtojmë këtë sy – thanë dhe u ndanë
pas ni mileniumi
u zgjuen së vdekuni tek panë
djali puthi synin e vashës
“Si na” – thanë dhe vdiqën
deri sa puthja të ngjitet në synin tjetër
në ni tjetër milenium
Estetikisht me shpëtue
N’kulm t’dashnisë m’la vetmue
Iku dikah si flutur
Sall ni aurë drite m’u preftue,
E tashti po merzitna, sa fort Zot
N’ket gjendje t’kullueme t’lumtunie
Mërzitja rrfen t’banuemit poetikisht
Kjo s’asht metaforë – asht tuebamësi
me shpëtue…
Hidh farë fjalësh t’nxjerruna nga palcë e shpirtit
Ose nxirrja thelbin fjalës
Nga gzhoja e çelun
Sikur arra t’çkoklueme
E n’mërzitje e sipër ti je i shpëtuem
Je ba send qe ruhet
Dashuria nuk vdes po bëhet pluhur kozmik
Pasqyrë që ra u thye tek këmbët jam unë
shikomë…
më mirë shikoi copëzat e hijeshisë sate
duel i heshtur i ashpër pa fitues
duel i nemur fin pa humbës
pluhuri kozmik i dashurisë ec me erërat
ngjitet në një lule pastaj në një tjetër
mbyllet në poezi a përfundon në abazhur
si flutur
a leckë
njësoj…
ajo ka vdekur
pikëllimi përjetësisht rron
ObserverKult
Lexo edhe:
InterKult: MYSAFIR, SHKRIMTARI HALIL MATOSHI
ZDRUKTHTUAR DRITËN, PËRMBLEDHJA “GDHENDJA E DRITËS”E HALIL MATOSHIT
HALIL MATOSHI: NA DOGJI MALLI, SEÇ NA VRAU – NË UDHËT P’EJ SH’PIE
TRI POEZI NGA MATEJA MATEVSKI, PËRKTHYE NGA HALIL MATOSHI
ObserverKult