Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, Observer Kult kësaj radhe ka mysafire sociologen dhe poeten Sibel Halimi. Ja cilat janë tri librat që Halimi ua rekomandon t’i lexoni:
Lufta duhet të jetë e grave për gratë, duke iu rikthyer trupit jo si materie e as si metafizikë, po vendimmarrje për të
Nga Sibel Halimi
Jetojmë në një kohë kur shoqëria e determinuar nga faktorë të ndryshëm, detyron individin të ridimensionoj veten varësisht nga pushtet dominuese. Njeriu, e ka të vështirë, të persiatë mbi cilindo ndryshim. Ai kryesisht i pavetëdijshëm i nënshtrohet të tashmes me tërë qenien e vet, në të kundërtën ekzistenca e vetes është e papërballueshme. Pikërisht, për shkak të kësaj fuqie marramendëse të së jashtmes mbi jetën e njeriut, ne në çdo situatë braktisim të kaluarën tonë, dhe pavërjetshëm fillojmë të ndihemi komod në jetën e tërësisë, turmës. Zbrazësia shndërrohet në motivin tonë qendror dhe qorrazi strukemi e ndihemi të sigurtë nën pullazet absurde të shtëpive ideologjike. Njeriu pushon së kërkuari përgjigje mbi veten dhe idea mbi lirinë mbetet fat teologjik mbi të cilin as që duan t`ia dijmë.
“Ne nuk jemi gra, ne bëhemi të tilla”, është sintagma e njohur e librit të filozofes franceze Simone De Beauvoir “Seksi i dytë”. Vepër monumentale e shndërruar në lajmotivin kryesor të lëvizjes feministe. Libri vije në kohën kur gratë jetonin me idenë e lumturisë të ndërtuar mbi bazën e miteve të trashëguara që i lënin ato të mbyllura dhe të jetonin në ambiguitet. Vepra, arrin të ndërtoj urën lidhëse në mes gruas dhe vetes. Gruaja nuk është më e vetme, liria që i gurgullon në barkun e saj, nuk është më frikë, siç ajo e kishte projektuar duke mos e njohur. Libri, nëpërmjet dekonstruktimit të miteve që nga antikitetit e deri në kohët moderne, pagëzon lirinë si lëvizje drejt emancipimit, shkëputjes nga e vërteta absolute dhe arrin t`i vë themelet e para në ndërtimin e konceptit të subjektit grua.
Në “Ne bëhemi të tilla” është shoqëria mbi të cilën përdor gruan për të ruajtur rendin dihotomik e stratifikues burrë – grua. Nocioni “bëhemi” në shikim të parë të asocon në një zgjedhje apo veprim të lirë. Por, De Beauvoir e përdor përkufizimin “bëhemi” për t`na përplasur fytyrës të vërtetën e kontrollit që ndjek gruan si fantazmë që nga takimi i parë me trupin e saj. Simone De Beauvoir kishte të drejtë të hezitonte të shkruante për gruan, ngaqë gruaja ishte e rrethuar me misteret më të errëta, duke filluar nga sistemi shoqëror, që përfshinë në vete religjionin, artin dhe letërsinë. Pikëpamje këto që e radhitën këtë qenie përtej aparencave të pasigurta dhe bllokuan rrugën drejt transcendencës!
Albert Camus “I huaji”
Fati i jetës së njeriut është i varur nga historia e trashëguar e kuptimeve mbi dashurinë, jetën, familjen, martesën e vdekjen. Përpjekja e krijimit të një kuptimi të ri, është faza e parë e mundësisë së çlirimit të njeriut. A mund t`ia dalim dhe çfarë ndodh me ne, në momentin kur vendosim ta rishikojmë këtë histori? Janë dilemat të cilat megjithatë mund t`na ndihmoj të krijojmë vetëdijen për veten dhe botën përreth.
Pikërisht, personazhi kryesor i Albert Camus në veprën “I huaji”, Merso bën një përpjekje për të ridefinuar këtë relacion, sa të ndërlikuar aq edhe kontrovers. “Mamaja vdiq sot. Ose edhe dje, nuk e di”, është konfuziteti që shpreh Merso që në fillim të romanit, këto pak fjalë janë megjithatë të mjaftueshme për të krijuar absurdin.
Merso, duke e zotëruar dhe ngujuar veten në të tashmen, shpërfaq individin stoik të pandjeshëm ndaj emocionit që shoqëria tani i ka krijuar standardet si të pakontestuar. Sigurisht, nisur nga indiferenca e Mersos karshi vdekjes së nënës së tij, që nga fillimi i veprës, shoqëria përcakton pozitën e tij, rrjedhimisht edhe fatin e tij! Madje edhe gjykimi që i bëhet atij për shkak të vrasjes së një njeriu, tregon që në esencë është gjykimi që i bëhet indiferencës që ai nuk ka hezituar ta shpreh për vdekjen e nënës së tij. Shoqëria ndihet e përçarë dhe e kërcënuar nga ky relacion, të ndërtuar deri në shenjtërim. Çfarë ajo kërkon është emocioni si fushëbetejë e dhembjes dhe gëzimit, pa të cilat ajo nuk do të kishte edhe kuptimin mbi të cilën sot mbijeton.
Por, sipas Camus, personi, i cili ka vetëdije të zgjuar, e kupton absurdin në të gjitha dimensionet e tij. Kësisoj Camus shkon përtej interpretimit gjenealogjik të absurdit. Te ky shkrimtar e filozof, ky fenomen na paraqitet si një lidhje ndërmjet njeriut dhe botës, ndaj çfarëdo çrregullimi në këtë relacion sjell devijim, siç ndodh edhe në kontekstin aktual kohor. Edhe nga prizmi i të sotmes, shoqëria duke e parë individin së vepruari jashtë parametrave të saj, nuk heziton që ta identifikojë si jo të përshtatshëm, e bile edhe të humbur në kohë e hapësirë.
Prandaj, Camus nëpërmjet Mersos ballafaqon njeriun me absurdin dhe pakuptimësinë e jetës që e rrethon, duke mos u preokupuar më të vërteta e kaluara dhe të ardhmes. Merso, megjithatë na jep mesazhin qendror se shoqëritë përkundur zhvillimit të tyre, të vërtetat metafizike janë përcaktuese qendrore të fatit të tij!
“Historia e Seksualitetit” Michel Foucault
Shoqëria bashkëkohore është e rrethuar me imazhin e trupit. Trupi është kudo. Ai mund të gjendet në reklama, revista, film, televizion, muzikë, posterë e në narracionet letrare.
Në gjithë këtë imponim të trupit, megjithatë ishte Michel Foucault, i cili ka arritur të trajtoj trupin si vend ku pushteti manifestohet dhe në këtë relacion edhe krijon lloje të ndryshme të identiteteve. Foucault gjithashtu konstatoi se trupi është një entitet specifik historiko-kulturor, i cili është përjetuar ndryshe varësisht nga konteksti shoqëror dhe historik, ashtu që ata janë çdoherë objekt i ndryshimit dhe asnjëherë nuk mund të kuptohen si diçka natyrore.
Përkundër që Foucault nuk e fokusoi trupin e gruas në studimin e pushteteve dhe seksualitetit, megjithatë mendimi kartezian dhe vepra e tij e ndihmoi orientimin e teorisë gjinore në trajtimin e trupin e gruas si vend i detyrimit, shtypjes e dominimit. Mendimi feminist krijoi mundësinë e vënies në diskutim dhe përjashtimit të bazës natyrore si përcaktuese qendrore e fatit të saj. Prandaj, fal ndarjes epistemologjike në mes seksit dhe gjinisë, trupi i gruas është kuptuar se është përdorur dhe ka shërbyer si rregullatore e sjelljes së saj, madje edhe i riprodhimit të rolit të nënës përballë nënshtrimit ndaj pushteteve.
Prandaj, nuk është e rastësishme që edhe në shoqërinë kosovare ekziston një koincidencë linguale turp dhe trup, paraqiten si anagram reciprok, me një inversion të dy shkronjave, si për të treguar sa i rrënjosur është turpi në qasjen që kemi për trupin.
Michel Foucault edhe në veprën “Disiplina dhe Ndëshkim” analizon strukturën arkitektonike të panoptikonit si paradigmë e një shoqërie të kontrolluar, në të cilën pushteti është ruajtur përmes vëzhgimit potencial. Struktura e panoptikonit është një ndërtesë me një kullë në mes, në të cilën “të burgosurit” mund të shihen në çdo kohë nga rojet dhe nuk mund të komunikojnë apo të shohin të burgosurit tjerë. Çdo individ është i mbyllur në një hapësirë të vogël, gjithmonë në gjendje për t`u vëzhguar. Megjithatë, ajo çfarë është e rëndësishme është që domosdoshmërish ata mund të përcaktojnë kur janë duke u vëzhguar apo jo.
Efekti i kësaj mbikëqyrje është adresuar edhe nga mendimi feminist, e cila trajton pozitën e grave në kuadër të kulturës perëndimore e që ekziston në hapësirën e kufizuar të dëshirave të burrave. John Berger pohon se “pozita sociale” e gruas është e ndryshme nga ajo e burrave, kryesisht për shkak të këndvështrimit kulturor, sipas të cilit burrat janë veprimi, ndërsa gruaja shfaqja. Pikërisht, te konstruktimi i trupit në kontekstin kulturor dhe social gratë janë të përcaktuara nga prania e tyre vizuale. Si rezultat, gratë do të vlerësojnë dhe monitorojë pamjen e tyre (në gjeste të ndryshme, në zë, në rroba si dhe në shprehje), si mënyrë për të mbështetur praninë e tyre. Sipas mendimit feminist, ky monitorim i vazhdueshëm e detyron atë që të ketë një vetëdije të dyfishtë, të ndarë në dy; shfaqjen dhe shikimin e vetes duke u shfaqur. Kjo ndarje është vetëdija paralelizuar në strukturën e panoptikonit. Ashtu si të burgosurit që janë duke u vëzhguar nga rojet, gratë vëzhgojnë veten përmes syve të jashtëm. Prandaj, edhe në mungesë të njerëzve, trupi i gruas kurrë nuk mund t`i shpëtojë mbikëqyrjes; ky vëzhgim i vazhdueshëm përcakton trupin e gruas në një gjendje të burgut të pashmangshëm.
Prandaj lufta duhet të jetë e grave për gratë, por jo duke iu përshtatur konditave të paracaktuara, duke iu rikthyer trupit jo si materie e as si metafizikë, po vendimmarrje për të. Kjo është e mundshme nga angazhimi i grave për gratë, sepse askush më mirë sesa gratë nuk e dinë se në shoqëritë si e jona të jetosh në trupin tënd është si të jesh e huaj. / ObserverKult