
Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafire e ObserverKult është bibliografia, Teuta Dhima. Ja cilat janë librat që Dhima u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
————-
Ka libra që i marrim në dorë dhe ashtu pa u ndalur, mbërrimë deri në fjalën “Fund”, ka të tjerë që kërkojnë kohë dhe durim për t’i lexuar. Por, ka edhe disa, të rrallë, që nuk kërkojnë asgjë. Thjesht ata ndodhen aty, në raftin e tyre, duke pritur një sy që t’i shohë, një dorë që t’i tërheqë, një gjendje të caktuar shpirtërore.
Rekomandimi i librave për lexim nga një punonjëse biblioteke është më shumë se një rekomandim; është një akt kujdesi i heshtur, që vjen nga përvoja, sepse ajo i njeh librat përtej titujve. I ka parë ata në duart e lexuesve të ndryshëm, ka dëgjuar prej tyre të flitet me pasion ose me zhgënjim.
Një punonjëse biblioteke nuk të imponon, nuk të gjykon për atë që zgjedh të lexosh, por, të ndihmon shpesh të zbulosh veten përmes faqeve të librit. Ajo është një ndërmjetëse e heshtur mes njeriut dhe librave, rekomandimi i saj është ftesë e sinqertë, e paqtë.
Nga Teuta Dhima
Në vijim, do të ndaj me ju tre tituj që më kanë mbetur jo vetëm në mendje, por edhe… në zemër. Titujt janë pjesë e letërsisë bashkëkohore shqipe, sepse të lexosh letërsi shqiptare, është më shumë se një akt leximi, është si të zhytesh në vetvete, të dëgjosh zërin e brendshëm të gjuhës në të cilën kemi thënë fjalët e para, në gjuhën që na ka formuar.
“Epistolate” nga Përparim Kabo
Disa vepra letrare janë shkruar në formë letrash të dërguara nga një person në formë letër këmbimi ndërmjet dy personave. Është një formë e përdorur jo shpesh në letërsinë bashkëkohore, por që e sjellë nga autori dhe filozofi shqiptar Përparim Kabo, vjen si një përmbledhje letrash, ku trajtohen tema të ndryshme sociale, filozofike, kulturore dhe politike. Epistolatet e Kabos nuk janë thjesht letra, ato dëshmojnë fuqinë e fjalës së shkruar dhe janë një urë që bashkon të shkuarën me të tashmen. Një nga qëllimet parësore të çdo autori është komunikimi me lexuesin dhe Kabo vjen pranë lexuesit të tij me një formë shumë intime të të komunikuarit, letrat, ku shprehen mendime të sinqerta, të drejtpërdrejta që e lidhin shumë lexuesin me personazhin. Libri “Epistolate” është një libër voluminoz, por për vetë strukturën e rrjedhshme që ka letra, ato lexohen një nga një dhe pa e kuptuar. Duke lexuar ato provon ndjesinë e të qenurit pjesë e një bashkëbisedimi, e një dialogu mes dy personave dhe vishesh kryekëput me një ndjenjë kurioziteti të ëmbël që të shoqëron përgjatë gjithë leximit të librit. Kabo bashkëbisedon me shumë personazhe të cilat kanë qenë personalitete të shquara…. dhe lexuesi në lidhje me boshtin e diskutimit, qaset me këndvështrime të ndryshme të tyre. Letërkëmbimi me këto figura dhe personalitete të shquara që në të gjallët e tyre, shkëlqyen dhe u shquan, nuk është thjesht një komunikim simbolik, por një mënyrë për të mos i humbur lidhjet me ta, duke siguruar një ndjenjë vazhdimësie midis të shkuarës dhe të sotmes.
“Kronikat e mjegullës” nga Bashkim Hoxha
Të them të drejtën të zgjedhësh në galerinë e pasur të krijimtarisë letrare të Bashkim Hoxhës, nuk është e lehtë, por pasi lexon “Kronikat e mjegullës”, vë disa përparësi. Ky roman nuk bën diferencën jo vetëm brenda aureolës së krijimtarisë letrare të autorit, por edhe për atë që sjell në letrat shqipe. “Kronika e mjegullës” nuk është një roman që kërkon ngut. Ai hapet si një dritare në një qytet të përhimtë, ku kujtesa dhe harresa ecin krah për krah si dy hije të së njëjtës qenie. Në këtë narrativë të dendur me mjegull, nuk ke nevojë të kuptosh gjithçka, menjëherë. “Kronikat” sugjerojnë një përmbledhje ngjarjesh, një radhitje faktesh që kërkojnë të ruhen nga harresa. Por këto nuk janë kronika të zakonshme, të qarta, lineare. Ato janë kronika të “mjegullës”, një mjegull që nuk është vetëm atmosferike, por një shpirtërore, kujtimore, ekzistenciale. Te “Kronikat e mjegullës”, jemi në një terren ku leximi kërkon durim, ndjeshmëri dhe një lloj drite të brendshme për të kaluar, përtej mjegullës. Mjegulla në këtë kontekst bëhet metaforë për: dredhëzimet e kujtesës dhe pasigurinë e së vërtetës, jetën në tranzicion, ku asgjë nuk është e fiksuar, as e plotësisht e qartë. Një libër që vjen si një sage dhe që do të ndihmonte çdo lexues për të njohur kush kanë qenë shqiptarët ndër vite.
“Gruaja që deshe” nga Ridvan Dibra
Mes rrëfimit në vetën e parë dhe të tretë të cilin e ndeshim shpesh, Dibra kësaj radhe ka zgjedhur rrëfimin në vetën e dytë. Po na rrëfen një tjetër vetje e tij, ajo që ka vendosur ta kalojë natën pranë oxhakut. Romani ka në themel të tij një histori dashurie, por mua më la ndjesinë e një rrugëtimi nëpër të cilin kalon çdo çift në jetën e tij: dy njerëz që rriten, secili me prioritetet dhe pritshmëritë e tij/ saj për jetën. Një djalë që bëhet burrë na rrëfen se si një vajzë bëhet grua. Grua që edhe pse e heshtur dhe disi melankolike, bëhet figura bosht e këtij romani duke sjellë me vete emocion në çdo pikë të rrëfimit. Tek e fundit nuk kishte si të ishte ndryshe; ajo mbetet, gruaja që deshe. Ky është një pohim i patundshëm pas të cilit, nuk ka vend pyetja aq simpatike: “Ku me e ditë?”
Ky është një rrëfim që nuk kërkon të të bindë për asgjë, vetëm të të ftojë, siç ftohet një mik për të shëtitur së bashku.
ObserverKult

Lexo edhe:
“DREJT ITAKËS”, POEZI NGA TEUTA DHIMA
PËRSIATJE RRETH LIBRIT “OSE NE” TË AUTORES MANJOLA LLOJA BUSHATI