Hanko Plaka, nëna e djalit dëshmor dhe dy djemve “armiq të popullit”

Historia tronditëse e Shaban Plakës së Gostimës dhe vëllezërve të tij, që luftuan për atdhe, por u persekutuan egërsisht nga regjimi komunist

Nga Luljeta Progni

7 dhjetor 1944. Të qara fëmije e thyen heshtjen që kishte pllakosur mbi kullën e Shaban Plakës në Gostimë të Elbasanit…. Ësht’ djalë…. ishtë zëri i ngazëllyer i Hankos, zonja e kësaj kulle, e ëma e Shaban Plakës. Ishtë gëzimi i parë për të, pas hidhërimeve të shumta që i kishin ngjarë ato kohë.

Pak muaj më heret, Xhemal Plaka, djali i vogël i Hankos kishte rënë dëshmor për atdhe. Kishte qenë pjesë e çetave partizane dhe gjatë luftimeve ishte vrarë dhe ishte shpallur dëshmor. Shabani, djali i madh i Hankos ishte në burg, sepse komunistët e sapo ardhur në pushtet kishin nisur represionet ndaj kundërshtarëve të tyre. Shabani kishte qenë në fillimpartizan bashkë me vëllezërit, Ibrahimin e Xhemalin. Gjatë luftës, Shabani ishte afruar me nacionalistët dhe kështu u shpall armik i popullit me të ardhur komunistët në pushtet.

Arrestimi i Shabanit, për nënë Hankon, ishte ngjarje shumë e rëndë. Pak muaj pasi kishte humbur njërin djalë, i cili kishte dhënë jetën për çlirimin e vendit, tjetri djalë do të burgosej nga shokët e tij partizanë për të nisur një kalvar të gjatë vuajtesh e hidhërimesh në këtë kullë.

Ibrahimi, djali i dytë i Hankos kishte qenë gjithashtu partizan dhe ato ditë ishte zgjedhur si kryetar Këshilli në Dumre. Ishte zgjedhur për kontributin gjatë luftës, por edhe për shkak se ishte vëlla dëshmori. Nënë Hanko ishtë nënë dëshmori, nënë e kryetarit të Këshillit, por edhe nënë e armikut të popullit.

Në këto kushte i duhej të bënte një zgjedhje të vështirë.

Bashkëshortja e Xhemalit, djalit dëshmor të Hankos, bashkë me dy fëmijët u ndanë nga kulla dhe nisën të jetojnë vetëm, nën kujdesin e  Partisë e të pushtetit popullor si familje dëshmorësh. Hanko, mund të zgjidhte të jetonte si nënë dëshmori në atë shtëpi të re dhe me kushte të mira, pension e kujdes nga pushteti popullor.

Por Hanko bëri zgjedhje tjetër. Ajo ia kaloi pensionin si nënë dëshmori, dy fëmijëve të Xhemalit dhe shkoi te familja e vogël e Shabanit, djalit të saj të madh që asokohe ishte arrestuar si armik i popullit.

“Gjyshja ime nuk ndenji me familjen e djalit të saj dëshmor që kishin kujdesin e shtetit dhe trajtoheshin si familje dëshmori dhe nuk vuanin për asgjë… gjyshja iu la edhe pjesën e vet të pensionit dhe u bashkua me ne, me mamanë time dhe mua që ishim vetëm sepse babi ishte në burg. Gjyshja erdhi me ne jo se nuk i donte fëmijët e djalit dëshmor, por ata nuk kishin aq nevojë për të sa kishim unë dhe mamaja ime që ishim të vetëm, të varfër e të sulmuar nga regjimi komunit”, rrëfen Ilmi Plaka, djali i Shaban Plakës.

E bindur se për familjen e djalit dëshmor do të kujdesej regjimi, Hanko u kthye në kullë ku  kishte mbetur vetëm Behija, nusja e djalit tjetër, Shabanit i cili ishte në burg si armik i popullit. Behija, e shoqja e Shabanit ishte në ditët e fundit të shtatzënisë kur Hanko u kthye në kullë.

“Babai u arrestua kur unë nuk kisha lind akoma, nëna ishte në muajin e nëntë shtatzënë me mua. Kam lindur një muaj më pas…”

Të qarat e Hilmiut nisën t’i japin jetë kullës së Shaban Plakës.. Dy gratë kujdeseshin për djalin e vogël, gjithashtu kujdeseshin që të grumbullonin ushqime për Shabanin.

“Në fillim babai u dënua me pushkatim, i akuzuar për vrasjen e …. Por nuk u provua autorësia e vrasjes dhe më pas i kaloi dënimi me 101 vjet burg, më vonë në 25 vjet burg” rrëfen Ilmi Plaka.

Shaban Plaka nuk kishte kryer asnjë krim. Përkundrazi ai ishte një ndër njerëzit që kishte ndihmuar në shumë raste partizanët. Dëshmitë e tyre në gjyq do t’i shpëtonin jetën Shaban Plakës.

Major Rrahman Uruçi:

Në kohën kur okupatori gjerman ishte në fuqi unë kisha lënë familjen time. Shaban Plaka, si ushtar i Ballit Kombëtar, kishte gjetur familjen time, e kishte marrë dhe çuar në shtëpinë e vet dhe e mbajti njëfarë kohe. E lëshoj këtë deklaratë jo për ndonjë interes, por prej shpëtimit të familjes sime që ta përdorë kur t’ja lypë nevoja.

Koço Trëndafili, pjesëtar i forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Batalionin e Dumresë:

Nga fundi i vitit 1943, dy shtabet, ai joni dhe i Rrahmanit, vendosën shpërndarjen e ushtrisë mbasi nuk kishte mundësi rezistence. Atëherë, unë bashkë me dy shokë kemi arritur në katundin Gostimë dhe hymë në shtëpinë e Shaban Plakës, meqë ishim informuar se kjo shtëpi kishte mbajtur edhe partizanë të tjerë.

Kostandin Buda:

Në verën e vitit 1944, Shaban Plaka, në kohën që Elbasani ishte i rrethuar, bënte roje në ullishten e Shën Thanasit. Ka sjellë prej ullishtes shoqet partizane Afërdita Shahini dhe e quajtur edhe Shpresa, bashkë me Persefoni Todri dhe shokun Vasil Jordani. I solli në shtëpinë time, ku hoqën rrobat partizane dhe u veshën si fshatarë, më pas i shoqëroi brenda në qytet mbasi kishin punë me rëndësi sepse vinin nga bazat partizane. Shoqet kanë qarkulluar lirisht e të mbrojtura nën udhëheqjen e Shaban Plakës.

Xhevdet Deshnica, partizan:

Në shtatorin e ’44-ës në brigjet e Shtërmenit dhe Shënavlashit, ramë në përpjekje me forcat e Hamit Matjanit dhe u tërhoqëm të rrethuar, gati të vriteshim. Me anën e Shaban Plakës drodhëm rrugën, shpëtuam prej rrethimit e rrezikut dhe u strehuam në shtëpinë e Shaban Plakës e të vëllazërisë së tij në Katundin Gostimë. Mbeta i arratisur gati gjithë dimrin deri në pranverë. Shtëpinë e tij e kam patur bazë. Fëmijët e mi më të vegjël më kishin mbetur vetëm në mes të dimrit, me vëllain në katundin Shënavlash. Shaban Plaka e vëllezërit e tij kanë shkuar fshehur, i kanë marrë dhe i kanë sjellë në shtëpinë e tij.

Petrit Leci, Thanas Borodani, aktivistë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare:

Ditën që u vra Ali Abazi, prej Rinisë së Ballit Kombëtar, ne u kapëm prej ballistëve, na akuzuan si atentatorë dhe na burgosën. Shaban Plaka na mori në mbrojtje, duke na siguruar nga çdo e keqe, bile na bëri edhe lehtësime duke na ofruar një vend të mirë fjetje. Këtë e bënte për dashurinë që ndjente ndaj nesh si të rinj të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Shabani vetë nguli këmbë për lirimin tonë dhe ia arriti qëllimit duke na lëshuar, e për t’u siguruar nga çdo rrezik na shoqëroi deri në familjet tona.

Ndërkohë regjimi komunist iu kishte sekuestruar çdo pasuri e pronë që kishin në Gostimë. Kishin sekuestruar paratë që kishte në kullë Shabani dhe jeta e tyre ishtë bërë shumë e vështirë. Hanko dhe Behija shitën të gjitha teshat e mira që kishin pasur e të gjitha stolitë për të siguruar mbijetesën.

“Babai kërkonte vetëm duhan e miell të pjekur. Miellin e pjekur e ndante me miqtë e tij të burgosur sidomos në kënetën e Maliqit. Ka shpëtuar disa prej tyre nga vdekja prej urisë apo prej punës së rëndë sepse nëna dhe gjyshja i dërgonin  mjaft miell të pjekur dhe me atë mbanin shpirtin gjallë”, rrëfen Ilmi Plaka.

Ndërkohë që Shabani vuante dënimin, i vëllai tjetër, Ibrahimi, ishte arrestuar si kundërshtar i regjimit komunist.

“Babi im Shabani ishte në burg, ishte arrestuar më 17 nëntor të vitit 1944…. Ishte i pari që hyri në burg dhe ndodhi para se të çlirohej Shqipëria. Xhaxhai, Xhemali ra dëshmor ndërsa xhaxhai tjetër, Ibrahimi u zgjodh kryetar këshilli në Gostimë, e respektuan për shkak të vëllait dëshmor edhe se kishte qenë partizan edhe vetë.

Ibrahimi, ndihmoi Hamit Matjanin dhe çetën e tij në kohën kur ishin në mal të fshehur. I çoi ushqime vetë sepse nuk kishte besim të çonte të tjerë. Xhaxhai im votoi në zgjedhjet e  ’45 dhe votoi të kutia e zezë dhe jo te ajo e Frontit dhe tha atë ditë që: vëllai im nuk e dha jetën për të burgosur të vëllanë”.

Ashtu si mijëra familje të kundërshtarëve të regjimit, për rreth dhjetë vite, Hilmiu bashkë me të ëmën dhe gjyshen vuajtën varfërinë, skamjen e persekutimin e pandalur nga regjimi. Mbijetuan dhe ia dolën të mbajnë gjallë edhe Shabanin e Ibrahimin që ishin në burg.

Në vitin 1954, Shabani u lirua nga burgu dhe u kthye në Gostime për t’ia nisur nga e para jetës. Asgjë nuk ishte si më parë, siç e kishte lënë Shabani. Nuk kishte as prona, as pasuri, por gjeti në shtëpi të birin Hilmiun dhe bashkëshorten e nënën e tij që e mbajtën derën e kullës hapur. Hilmiu nisi të punojë me qeramikë për të mbijetuar e për të siguruar të ardhura për familjen, ndërkohë regjimi komunist vazhdonte ta përndriqte.

“Oficeri i Sigurimit i tha: “Shaban Plaka të kam dalë borxhit.. vendin në burg e ke prapë”… “Vazhdo punën tënde”, i tha  babai, se unë nuk bashkëpunoj me ju…” Më vonë vinin njerëz të njohur të tim eti dhe i thoshin: “Më kanë thirr për të dëshmuar për ty”… Shumë njerëz… Babai i dinte shumë mirë se do arrestohej sërish… Babi iku në Lushnjë për të punuar me punë me qeramikë dhe atje punonte më mirë dhe e realizonte planin se ishim shumë njerëz për t’u ushqyer… Edhe atje e përndoqën…Iku në Lushnjë për të punuar më i qetë…

Mbaj mend një kushëririn tonë, Musa Plaka që i kërkonin shpesh të dëshmonte kundër babait dhe babai i thoshte: bëje dëshminë si të duash, mos u mundo për mua sepse edhe nëse ti më mbron, ata do gjejnë një gjë tjetër. Unë burgun e kam të sigurt, prandaj mos u dëmto për veten tënde…”, thotë Ilmi Plaka.

Do të vinte shpejt edhe dita e riarrestimit. Ishte data 4 janar e vitit 1966.

“Ishte 4 janar. Babai pa lëvizje afër shtëpisë… e kuptoi se do të arrestohej… Ishte ftohtë dhe e mbaj mend që ishte në siklet, kishte vesh një pallto të madhe dhe nuk e  hiqte… dilte e shihte rreth e qark shtëpisë vazhdimisht… Në një moment doli para shtëpisë kur pashë që po vinin disa njerëz… E arrestuan para shtëpisë.

Në atë zyrën që e morën e pyetën, ishte edhe kryetari i kooperativës i cili i kishte thënë babit: Shaban plaka të dija për burrë të mirë….

Një grup tjetër nga Sigurimi i Shtetit erdhën e kontrolluan shtëpinë dhe bënë inventarin e  shtëpisë. Bërtisnin: “Ku e keni pasurinë?”… Ne s’kishim më pasuri se na i kishin sekuestruar kohë më parë… Nëna, gjyshja iu kthye me inat, i tha: Kjo është pasuria e Shaban Plakës… Në një moment u kthye një nga ata të Sigurimit dhe më kërcënoi: I kam hekurat edhe për ty…. Isha 22 vjeç…”, rrëfen Ilmiu.

Ilmiu bashkë me gjyshen e të ëmën vazhduan jetën përmes vuajtjeve, por ia dolën të përballojnë çdo vështirësi. Hanko, gjyshja e Ilmiut nuk mungoi kurrë në dyert e burgjeve të dy djemve të saj, Shabanit e Ibrahimit.

Shabani u lirua pas dhjetë vitesh, në fakt tre muaj para se të mbushte dhjetë vite dënim. E gjeti gjallë të ëmën, Hankon. Ilmiu kishte krijuar familjen e tij, por jetonte bashkë me gjyshen e të ëmën, Behijen. Shabani jetoi vetëm tre muaj pasi doli nga burgu. U largua nga jeta në moshën 53-vjeçare nga një sëmundje e papritur.

Kishte dalë nga burgu i dytë edhe Ibrahimi i vëllai i Shabanit i cili jetoi pak kohë më pas dhe ndërroi jetë në moshën 52-vjeçare. Gjyshe Hanko ndërroi jetë ato kohë pas dy djemve të saj. Ndërsa Behija, e ëma e Ilmiut dhe familja e vogël e tij vazhduan jetën përmes të tjerave beteja. Punuan në punët më të rënda që kishte kooperativa e Gostimës dhe paguheshin shumë më pak se të tjerët. “Jetuam deri në vitin ’90 pa të drejtën e triskës së Frontit, të sulmuar e nëpërkëmbur papushim nga diktatura komuniste”./kujto.al