Hapet dosja: Si u zbuluan grupet armiqësore të vitit 1974

Publikohet dokumenti “Tepër sekret”, nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, pjesë e një dosje voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit, e vitit 1974, ku flitet sesi u zbuluan dhe u goditën disa grupe armiqësore, si: “Gargarelët”, “Holls”, “Sirena e fitores” dhe “Fafajc”, nga Tirana, Lezha, Durrësi, Korça, Berati, Shkodra, Fieri, Elbasani, Tropoja dhe Tepelena, që bënin agjitacion e propagandë dhe hidhnin trakte e fletushka kundër regjimit komunist, ku midis të tjerash thuhet: “Grupet ‘Holls’, ‘Fafajc’ dhe ‘Sirena e fitores. kishin dhe nuance të theksuara organizimi, ata kishin zëvëndësuar teserat e BRPSH-it (Bashkimit Rinisë së Punës së Shqipërisë), me librezat e grupit, paguanin kuotizacion, punonin për krijimin e një fondi financiar, kishin caktuar komisarin dhe kryetarin e grupit, mbanin nofka, parrulla dhe kundër-parrulla të ndryshme, secili për t’u ndërlidhur me njëri tjetrin…”!


Pas fjalës së Enver Hoxhës, mbajtur në 15 marsin e vitit 1973, në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku tema kryesore ishte “Lufta ndaj shfaqjeve të huaja dhe liberale e ndikimit të tyre në art, kulturë, letërsi e gjithë jetën e vendit”, fjalë që i kishte paraprirë ajo e mbajtur në Byronë Politike në janarin e atij viti, ku ai kritikoi dhe goditi për herë të parë Festivalin e 11 Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion, përveç organizatave dhe komiteteve të partisë në Tiranë dhe në mbarë vendin, që filluan mbledhje të shumta “nën frymën e fjalës së shokut Enver” edhe organet e ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, ndërrmorën një fushatë me arrestime dhe “zbulime grupesh armiqësore”.

Sipas dokumentit në fjalë, që është një përmbledhje e një dosjeje voluminoze ku është “dokumentuar” e gjithë puna e Sigurimit të Shtetit në drejtim të këtyre “grupeve armiqësore”, në periudhën 1973-’74, në të vërtetë ato s’ishin gjë tjetër, veçse disa të rinj, apo dhe grupe të rinjsh që asokohe ndiqnin modën, mbanin flokë të gjata, shikonin emisionet në kanalet e huaja televizive të vendeve fqinje etj., të cilët, Sigurimi i Shtetit i etiketonte dhe i akuzonte si “Grupe armiqësore”, që “kishin hedhur trakte dhe fletushka me përmbajtje armiqësore”.

Dokumenti i Sigurimit të Shtetit: “Zbulimi dhe goditja e disa grupeve armiqësore”

Brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 1973 u ndoqën, u zbuluan dhe u goditën 10 grupe armiqësore me mbi 50 pjestarë që vepronin në rrethet Tiranë, Korçë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Berat, Fier, Elbasan etj. Rezultonte se si “Holls” që ishte krijuar që në vitin 1971 në shkollën e mesme Mjeksore në Vlorë dhe që më vonë u shtri në disa rrethe, “Sirena e fitores” që u krijua në Durrës, “Fafajc” që u krijua në Lezhë, “Gargarelët” në Tiranë etj, fillimisht kishin prirje vagabondazhi, shthurje, të dhënë pas modës dhe mënyrës perendimore të jetesës, dëgjonin e shihnin emisione në radio-televizionet e huaja, e gradualisht kaluan në veprimtari armiqësore në agjitacion e propagandë dhe veprimtari të mprehtë armiqësore.

Fillimisht veprimtarinë e zhvillonin si individë, madje në dy tre veta dhe gradualisht i zgjeronin rradhët me të rinj të tjerë, të cilët manifestonin shfaqje të huaja në sjellljen e tyre.

Grupet “Holls”, “Fafajc” dhe “Sirena e fitores”, kishin dhe nuancë të theksuara organizimi, ata kishin zëvëndësuar teserat e BRPSH me librezat e grupit, paguanin kuotizacion, punonin për krijimin e një fondi financiar, kishin caktuar komisarin dhe kryetarin e grupit, mbanin nofka, parrulla dhe kundër-parrulla të ndryshme, secili për t’u ndërlidhur me njëri tjetrin.

Nga veprime të thjeshta që në fillim nuk dukeshin armiqësore, kaluan gradualisht në kryerjen e akteve armiqësore, duke përgatiturv dhe hedhur fletushka, letra dhe trakte anonime me përmbjatje të theksuar armiqësore kundra Partisë dhe pushtetit popullor. Kështu veproi grupi “Sirena e fitores” që hodhi trakte në shkollën e mesme të Mekanikës Bujqësore në Shkozet të Durrësit, nëpërmjet të cilave bënin thirrje për t’u ngritur me forcë kundër pushtetit popullor, “Gargarelët” që hodhën fletushka në Tiranë etj.

Në të gjitha këto grupe ka ekzistuar dëshira për t’u arratisur jashtë shtetit. Ata dolën dhe kundër fjalimeve të shokut Enver Hoxha dhe Pleniumit të IV-të të PPSH-së, duke marrë në mbrojtje armiqtë e popullit, Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja.

Si veçori dilte përhapja e shtrirja e tyre në të gjithë vëndin në një kohë të shkurtër. Kështu si “Holls”, “Sirena e fitores”, “Gargarelët” etj, nga 2-3 veta që kishin në fillim, brenda 2-3 muajve u shtuan në 7-10 vetë.

Ata nuk dukeshin në fillim me nuance kundërrevolucionare, pasi 90 për qind të tyre vinin nga familje me qëndrim të mirë politik, që disa prej tyre prindërit i kishin komunistë, gjë që e vështirësonte shumë punën e punonjësve të Sigurimit për t’i zbuluar dhe goditur që në embrion.

Veçori tjetër, ishte gërshteimi i kësaj veprimtarie armiqësore me atë të elementëve antiparti e të deklasuar dhe se veprimtaria armiqësore e këtyre elementëve të degjeneruar, ishte më e përhapur në qytete se në fshatra.

Vështirësia në punën e Organeve të Sigurimit të Shtetit për zbulimin e goditjen në kohë të kësaj veprimtarie, ishte se ndërsa veprimtaria në rradhët e tyre shtrihej shpejt, ajo nuk konstatohej dot që në hapat e parë me nuance e qëllime kundërrevolucionare, pse shumica e të rinjëve që implikoheshin, ishin me qëndrim të mirë politik e moral. Megjithkëtë, zbërthimi i tyre bëhej më lehtë se me të moshuarit, por nuk konstatohej e lehtë që në fillim.

Nga përpunimi që i’u bë u arritën këto veçori dhe u bë e mundur që brenda 3-4 muajve, të dokumentohet, të goditet dhe parandalohet kjo veprimtari armiqësore. Nga 50 pjestarët kryesorë të këtyre grupeve, u goditën vetëm 11 kryesorët, kurse të tjerët u këshilluan dhe u demaskuan në prezencë të familjeve të tyre, në organizatat e masave, qëndrave të punës dhe shkollave.

Megjithëse pjesa më e madhe e pjestarëve të grupeve ishin me prejardhje të mirë politike dhe morale, kjo nuk u bë pëngesë që të veprohej me vonesë, siç u bë me grupin “Holls”. Që megjithëse problemi u centralizua në qëndër, u veprua me vonesë si nga sektori në Ministri dhe nga Degët e Punëve të Brendëshme në Tepelenë, Tropojë dhe Sigurimin e Ushtrisë.

“Po të mos luftohen që në embrion ndikimet dhe shfaqjet e mënyrës së jetesës revizioniste, ato i hapin shtegun shthurrjes dhe degjenerimit të njerëzve që janë aq të rrezikshëm për çështjen e socializmit”, tha shoku Enver Hoxha në Pleniumit e IV-të të Komitetit Qëndror të Partisë.

Rezultonte se pas të rinjëve me përbërje të mirë morale dhe politike, qëndronin dhe fshihej dora e armikut të klasës, i cili i nxiste dhe i inkurajonte për veprimtari të theksuar armiqësore. Fakti që në përbërje të këtij grupi ishin disa element armiq, të cilët ishin kryesorët që nxitën dhe i çuan në veprime të mprehta armiqësore të tjerët, nxirrte domosdoshmërinë e ndjekjes deri në fund të lidhjeve dhe fijeve të kësaj veprimtarie me elementë armiq të drejtimeve të tjera.

Këtej konkludohet se degjenerimi moral të çon në degjenerimin politik. Kështu shumica e grupeve të zbuluar dhe goditur në vitin 1973-’74, kishin qenë për motive vagabondazhi, shthurje morale, të cilat i çuan në veprime të karakterit politik. Këtu ndikonte edhe puna armiqësore e komplotistëve që ishin në krye të Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe që në praktikë, në më të shumtën e rasteve, problemet ndaheshin: Kjo është e thjeshtë, i takon policisë, kjo është objekt pune për Sigurimin etj. Partia duke konstatuar këtë praktikë të shtrembër e kritikoi dhe caktoi detyra për forcimin e bashkëpunimit midis organeve, sektorin e ndjekjes së krimeve në qëndër e rrethe.

Më mirë, duhej ndjekur dinamika e ngritjes së përpunimeve në element me mosha të reja dhe me prejardhje dhe qëndrim armiqësor aktual, sepse mosha deri në 25 vjeç, zinte numrin më të madh të përpunimeve dhe elementët e deklasuar nuk vlersoheshin e ndiqeshin si duhet, në këtë drejtim. Në vend që të merreshin në përpunim këtë element, merreshin në fakt, ata që nuk ishin armiq, por që ndikoheshin nga armiqtë.

Vëmendja,-  theksonte Partia, – duhej përqëndruar më shumë, në radhët e të deklasuarve, për t’u futur më thellë, në mënyrë që të studioheshin, zgjidheshin e tërhiqeshin në shërbim, si bashkëpunëtorë të kualifikuar, duke kryer më tepër veprime operative./Memorie.al