Hapet gara për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, Veliaj: Më moderni në Ballkan

Bashkia e Tiranës ka hapur garën për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mbledhjen e këshillit bashkiak, në të cilën theksoi se puna për ndërtimin e godinës së re moderne do të nisë shumë shpejt.

“Me vendimin që marrim sot kalojmë fazën e fundit burokratike, hapjen e garës ndërkombëtare, e cila zgjat 60 ditë, dhe me të shpallur fituesin do të fillojmë ndërtimin e Teatri të ri sipas projektit danez të Bjarke Ingels. Do të kemi teatrin më modern në Ballkan! Viti 2025 do e gjejë Tiranën me një teatër të ri, edhe pse njësoj si me projektin e Unazës së Madhe tek Astiri, sherri na mori 3 vjet kohë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar është bërë edhe reflektimi i nevojshëm në buxhet, si pasojë e ndryshimit të çmimeve të materialeve të ndërtimit për shkak të luftës në Ukrainë.

“Në fund të vitit të kaluar e kaluam projektin në buxhet, por asnjë prej nesh nuk e kishte pritur që në 24 shkurt do të fillonte agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, çka do të sillte një trazim të tregjeve, sidomos të çmimeve të hekurit dhe çelikut. Si element bazë ndërtesat kanë çelikun, hekurin dhe betonin, prandaj e kishim të pamundur të hapnim një garë ndërkombëtare me çmimet e paraluftës”, sqaroi Veliaj.

Veliaj siguroi se teatri i ri do të jetë një tjetër sukses në kryeqytet, si Liqeni, Pazari dhe Unaza e Madhe.

“Një pjese të atyre që ndihen ende të lënduar për teatrin u kam kërkuar ndjesë, por shpresoj që me kohën – ashtu siç shumë prej njerëzve që protestuan te Liqeni, tani çojnë fëmijët të luajnë aty, apo shumë prej atyre që protestuan tek Astiri, tani shkojnë për dy minuta në shtëpi prej Unazës së Madhe, apo shumë prej atyre që e quanin monument kulture asbestin dhe eternitin te “Pazari i Ri”, sot kalojnë një pjesë të ditës duke bërë pazarin aty, e shumë prej tyre që shanin kullat, sot i nxjerrin në Instagram – pra, me kalimin e kohës edhe kjo pjesë do t’i bashkohet modernizimit dhe do të kuptojnë se nuk kemi prishur një monument kulture, por një ngrehinë prej tallashi, për të cilën u debatua 30 vjet.

U kërkoj ndjesë nëse i kemi lënduar, qoftë edhe për mënyrën sesi e prishëm, por nuk bëhej ndryshe. Duhej ta bënim në një moment kur liderët ishin duke gërhitur, se po ta bënim me gjithë militantët e tyre aty, do shkonim në një konfrontim pa sens e do bëheshim gazi i botës. Ishte një nga vendimet më të vështira, por besoj se koha do na japë të drejtë”, nënvizoi Veliaj.

Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, teksa theksoi se projekti i ri do i shërbejë gjeneratës së ardhshme.

“Disa e duan projektin e ri dhe disa duan projektin e vjetër, pa u përfshirë politikisht. Detyra ime, por edhe e juaja si këshilltarë, është të bëjmë më të mirën për qytetin, jo çfarë është më e mira për sondazhet. Unë nuk udhëhiqem si do dalë sondazhi i radhës.

Unë udhëhiqem si do dalë gjenerata e radhës dhe nëse gjeneratës së radhës, pra e atyre që vijnë pas nesh, e fëmijëve tanë, u lëmë një teatër prej tallashi, ku në dimër shkohet me batanije dhe në verë me peshqirë, sidomos në 40 gradë, kjo do të thotë se ne paskemi humbur shansin e një gjenerate për ta ndryshuar këtë për 100 vitet e ardhshme”, përfundoi Veliaj./ATSH


Lexo edhe:

NAUN SHUNDI: KRIJIMI I NJË TEATRI NË BANESË, ËSHTË NJË FINANCIM QË NUK VETE DËM