Për të dhjetin vit me radhë Qendra Kinematografike e Kosovës vazhdon të jetë prezente në festivalin e Kanës me pavijon në tregun më të madh të filmit në botë “Marche Du Film”. Njëherit ky do të jetë rikthim në normalitetin e festimit dhe promovimit të filmit pas pandemisë, ku vitin kaluar Kosova mori pjesë në tregun virtual të Kanës.
E veçanta e këtij edicioni të 74-t është se Kosova për herë të parë ka dy filma që do ta kenë premierën në festivalin e Kanës: filmi i gjatë artistik nga Luana Bajrami “Luaneshat e Kodrës” bashkëprodhim me Francën, i cili shfaqet në programin Director’s Fortnight; dhe film i shkurtë “Pa vend” nga Samir Karahoda i cili garon për Palmën e Artë.
Qendra Kinematografike e Kosovës do të promovoj filmat e fundit kosovar në kategori dhe faza të ndryshme të zhvillimit, gjithashtu do të ketë takime me partner ndërkombëtar të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të mëdha ndërkombëtare dhe producent e distributor të ndryshëm.
Shtandi i Kosovës gjendet në Village International Riviera – Pavilioni Nr. 128.