Hapet zyrtarisht Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias, Hajrulla Çeku e konsideron të rëndësishëm për diplomacinë kulturore

Republika e Kosovës për herë të tetë do të marrë pjesë në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit – Bienalen e Venecias me një projekt të artistes Doruntina Kastrati të titulluar “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” të kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe me komisionere Hana Halilaj, raporton Ekonomia Online.

Në projektin e saj për pavijonin e ardhshëm të Kosovës, artistja ka propozuar një instalacion skulpturor. Siç ceket në aplikimin e saj, pavijoni do të trajtojë punën e feminizuar, pabarazitë në vendin e punës. Projekti niset nga konteksti lokal dhe shikon nga afër tranzicionet ekonomike dhe politike dhe se si ato kanë prekur grupet më të cenueshme.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se përzgjedhja është bërë nga një juri profesionale vendore e ndërkombëtare.

“Më 18 prill të këtij viti hapen dyert e Pavijonit të Kosovës për adhuruesit e artit për të parë përfaqësimin artistik të vendit tonë një nga ngjarjet të nivelit më të lartë botërorë. Ministria e Kulturës tash e dy vite bën përzgjedhjen e artistit përfaqësues të Republikës së Kosovës. Ndjek një praktik ndryshe përzgjedhja në këtë Bienale behet përmes një jurie profesionale e artistike të përberë prej profesionit vendor edhe ndërkombëtar dhe me aplikim vullnetar të artisteve me projektet dhe vullnetin e tyre. Besojmë fortë që kjo praktikë është e shëndosh, ofron mundësi të barabarta për të gjithë artistët që kanë potencial dhe interesim”, tha Çeku.

“Anëtaret e jurisë profesionalë kanë zgjedhur unanimisht projektin e artistes Doruntina Kastrati me titull ‘Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës’. Ky përfaqësim në republikën tonë është shumë i rëndësishëm për diplomacinë kulturore dhe publike”, tha tutje Çeku./EO

ObserverKult


Lexo edhe:

“BËJ KUJDES SE KE VËLLEZËRIT NË AMERIKË”, E BIJA E NAUM PRIFTIT TREGON SI E PARALAJMËRUAN BABAIN