Harrohet shtëpia e Dritëro Agollit, shteti s’kujdeset për të

Në fshatin Menkulas aty ku lindi dhe jetoi Dritëro Agolli, sot nuk ka asnjë gjurmë të tij. E vetmja ndërtesë që u projektua për të qenë shtëpi-muze sot është kthyer në një ndërtesë të harruar. ”Këtu ka hedhur një lopatë llaç edhe Dritëroi vetë. Pastaj siç bëhen këto lëvizjet e pushteteve nuk ka pasur dashamirësi që të ndërtohet kjo”, thotë Jani Begolli, koordinator i “Shoqata Devolli”.

Sami Begolli ndihet i lodhur nga çdo gjë dhe nuk ka besim se dikush do e ndërtojë përsëri këtë ndërtesë. Ndërkohë nga shpirti i dalin disa fjalë rebeluese.

”Po mos e kishte Menkulasi Dritëronë, atëherë do ishte si tërë fshatrat e tjerë. Nuk do vinit as juve, as presidenti, as kryeministri as me radhë. Si të duan le të bëjnë, unë po bëj punën time”, tha Sami Begolli.

LEXO EDHE: DËSHMIA E RRALLË E DRITËRO AGOLLIT: SI MË VËZHGONIN NJERËZIT E SIGURIMIT

Një tjetër mik i shkrimtarit, Avni Hoxha tregon se një figure të shquar si Dritëroi nuk po i jepen vlerat e duhura.

”Të bëhet kjo sa jam unë gjallë do të shkoj i ngopur në atë bote. Sepse shoku i mirë i imi dhe i tërë fshatit dhe i gjithë Shqipërisë nuk po gjen vendin e merituar”, tha Hoxha.

Eduart Duro, kryetar i bashkisë Devoll thotë se projekti është gati, por bashkia nuk ka buxhetin për ta financuar.

E deri kur ministria në Tiranë të hedhë sytë drejt këtij fshati në Devoll. Kjo ndërtesë do të vazhdojë ende të tregojë se Dritëroi i madh nuk po vlerësohet ashtu siç duhet. /Euronews Albania/