Në Sri Lanka, në qytetin Anuradhapura, njohur si vend i shenjtë dhe Toka e Mbretërve, mijëra turistë dhe pelegrinë mblidhen për të adhuruar tempujt e shumtë budistë, por edhe për një mit që qarkullon e që i bën të gjithë shumë kureshtarë. Prej kohësh, në këtë vend të mbrojtur nga UNESCO, flitet për një gdhendje, e cila sipas miteve, simbolizon një “portë” antike përmes së cilës njerëzit mund të hyjnë në univers.
Shpesh prej spekulimesh të tilla, kanë qarkulluar dhe teza që lidhen me prezencën e simboleve dhe kodeve të lëna nga jashtëtokësorët. Me përmasa rreth 1.8 m në diametër, Sakwala Chakraya (“Cikli Universi”) është gdhendur mbi një faqe shkëmbore në mes të rrënojave të tjera arkeologjike.
Grafiku apo harta përbëhet nga shtatë qarqe koncentrike të ndara nga vija paralele vertikale dhe horizontale. Ndarjet gjithashtu përmbajnë rrathë të vegjël, të kryqëzuar. Kur krahasohet me gdhendjet e tjera të ikonografisë tipike Budiste, grafiku vihet re se është pa kontekst fetar, duke e lënë atë pa një shpjegim të qartë.
Akademiku i parë që vuri në dukje rëndësinë arkeologjike të grafikut ishte britaniku H C P Bell, në vitin 1911, sipas të cilit kjo hartë astronomike ilustron nocionet Budiste për universin. Ndërsa teoritë e konspiracionit vunë në dukje se porta e yjeve e Anuradhapura kishte forma dhe simbole gati identike me ato të gjetura në Abu Ghurab në Egjipt dhe La Puerta de Hayu Marka në Peru. Ngjashmëria më e habitshme, sipas tyre, është se të tria ndodhen pranë burimeve ujore, kështu qeniet jashtëtokësore do të mund të përpunonin ar nga uji i tokës.
Së fundmi, shkencëtarët janë të mendimit se kemi të bëjmë, në fakt, me një skicim projekti të madh e kompleks që ndërtoheshin asokohe. Për studiuesit, sfida më e madhe në identifikimin e funksionit të grafikut ka qenë mungesa e provave për datimin e saktë të tij. Megjithatë, tisi i misterit dhe mitet e shumta për kuptimin që ka harta e gdhendur, vazhdojnë të tërheqin turistë, studiues dhe historianë të shumtë./a2news.com
LEXO EDHE: Misteri: Çfarë kishte në Univers, para Big Bengut?