Ngjarja e panjohur më 1933: Pse u qëllua mbi Hasan Prishtinën në Selanik?

Publikohet historia e panjohur e ndodhur plot 88 vjet më parë, më 14 gusht të vitit 1933, kur teksa ishte duke shëtitur në një prej rrugëve kryesore të Selanikut, në rrethana jo shumë të njohura, mbeti i vrarë në një atentat, Hasan Prishtina, ish-deputet i parlamentit shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë, i cili ishte si refugjat politik në Greqi.

Sipas shtypit grek që i referohej organeve kompetente të policisë vendase, personi që qëlloi me pesë plumba revolveri mbi politikanin e njohur shqiptar, quhej Ibrahim Çelo dhe ishte mik i ngushtë i viktimës!

Dëshmitë e rralla të studiuesit, publicistit dhe historianit të njohur, Gani Demiri (Ratkoceri), mbi përpjekjen e një grupi intelektualësh me origjinë nga Kosova, të cilët në vitin 1960-të, arritën të bindin autoritetet përkatëse të Tiranës zyrtare rreth figurës së Hasan Prishtinës dhe t’a kthenin atë nga “tradhëtar dhe armik të popullit shqiptar” siç konsiderohej ai në tekstet shkollore dhe librat e Historisë së Shqipërisë, së asaj kohe, në një “patriot të madh të çështjes shqiptare”!

Plot 88 vjet më parë, më 15 gusht të vitit 1933, pothuaj të gjitha gazetat që botoheshin në Shqipëri si dhe ato të diasporës së saj, publikuan lajmin e bujshëm të vrasjes me atentat në qytetin e Selanikut në Greqi, të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Hasan Prishtinës.

Sipas shtypit shqiptar të asaj kohe, i cili për atë ngjarje më së shumti i referohej gazetave greke, atentatori që kishte qëlluar me pesë plumba revolveri mbi politikanin e njohur shqiptar, që asokohe qëndronte si emigrant antizogist në Greqi dhe disa shtete të tjera të Evropës, ishte po një shqiptar, madje mik i nguhstë i viktimës dhe quhej Ibrahim Çelo.

Në faqet e gazetave të shumta të atyre ditëve që komentuan gjerësisht atë ngjarje, bëhej me dije se personi në fjalë, i cili ishte me origjinë nga shqiptarët që banonin në Resnjë të Jugosllavisë, kishte qëlluar mbi ish-kryeministrin shqiptar, teksa ishin duke shëtitur bashkë, krah për krah në një prej rrugëve kryesore të qytetit të Selanikut.

Po si qëndronte e vërteta rreth atij atentati dhe cilat ishin arsyet kryesore që e shtynë shqiptarin Ibrahim Çelo për të qëlluar mbi politikanin e njohur, i cili përveç postit të kryeministrit të Shqipërisë, që e kishte mbajtur vetëm për pesë ditë në dhjetorin e vitit 1921, kishte qene i zgjedhur si deputet në disa legjislatura ne parlamentin e Turqisë dhe atë të Shqipërisë?

Lidhur me këto, po japim vetëm disa prej komenteve që u bënë në atë kohë nga shtypi shqiptar dhe ai grek, një përmblëdhje të shkurtër të jetës dhe veprimtarisë politike e atdhetare të Hasan Prishtinë (sipas Fjalorit Enciklopedik, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 1988), dhe dëshminë ekskluzive të studiuesit, publicistit e shkrimtarit të njohur, Gani Ratkoceri (“Mësues i Popullit”).

I cili në vitet ’60-të, së bashku edhe me disa intelektualë të tjerë me origjinë nga Kosova, ndërhyre tek autoritetet përkatëse shqiptare të asaj kohe në Tiranë duke bërë të mundur rehabilitimin e Hasan Prishtinës dhe nga “tradhëtar” që etiketohej ai në tekstin e Historisë së Shqipërisë së asaj kohe, e kthyen në “patiot të madh”!

Lajmet dhe komentet e gazetave greke dhe shqiptare, për vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik

Gazeta ‘Vatra’: Hasan Prishtina u vra dje mbrëma me pesë pushkë në rrugët e Selanikut. – Vrasësi u arrestua nga autoritetet. – Ç’thonë gazetat greke për shkakun e vrasjes.

Me anë të radios u lajmërua se dje mbrëma në rrugën kryesore të Selanikut, Hysen Tolja Ibrahimi nga Resna, shtiu pesë herë me revolver kundër Hasan Prishtinës, të cilin e la vdekur. Vrasësi u zu me njëherë dhe u vu nën hetime, për të mësuar shkakun. Autoritetet vazhdojnë hetimet mbi shkakun e vrasjes.

Disa gazeta thonë se vrasja është bërë për arsye personale, një pjesë tjetër e gazetave tue marrë parasysh se vrasi disa ditë më parë kishte ardhur prej vendit të tij, supozojnë se ai gjishte të huaj në këtë vrasje.

Hollësirat e vrasjes së Selanikut në botimet e gazetave greke

Qysh ndodhi vrasja e Hasan Prishtinës?

I vrari i pat propozuar guximtarit atentat kundër Mbretit Zog. Shkruan gazeta “Fos”, ndërsa “Informationi” thot se e kanë shtyrë të arratisurt.

Selanik 16 Gusht – Aty nga ora 2 mbasdreke të së Hënës, dje domethënë, Hasan Prishtina dhe Ibrahim Çelo (dhe jo Hysen Tolja Ibrahimi), kalonin rrugën “Cimiski”, tue kuvenduar me zë të lartë në gjuhën shqipe.

Kur arritën në kryqëzimin e rrugës “Vogaciku”, Ibrahimi nxorri me shpejtësi revolverin sistem “Smith” dhe shkrepi dy herë kundër Hasanit, tue e shtrirë këtë pa frymë në tokë. Me gjith këtë, guximtari u ul mbi trupin e shtrirë dhe zbrazi mbi kryet e të plagosurit edhe tre pushkat të tjera të revolverit për të përfunduar krejtësisht qëllimin.

Mbas këtyre, guximtari vrapoj për t’u larguar nga rruga “Vagaciku”, aty nga Mitropolia, nga shkaku që të shpëtonte prej popullit i cili u grumbullua shpejt.

Turma filloj të gërthiste dhe t’a ndiqte, dhe kjo sqenë duket se turbulloj Ibrahimin i cili, i shushatur u rrëzua mbi vitrinën e një dyqani atje afër dhe të cilën e theu, por shpejt fitoi fuqinë dhe vrapoj nga rruga e Mitropolisë.

Por populli e ndiqte nga pas dhe ky ahere u fut në shtëpinë e doktor Dukidhit, ku pastaj e zuri një polic.

Ky e vuri në një motoçikletë dhe e shpuri në qëndrën e policisë, ndërsa Hasan Prishtina, sillej në spitalin bashkiak, ku doktorët vërtetuan vdekjen. Vrasësi i ish-kryeministrit Shqiptar, quhet Ibrahim Hysen Çelo, edhe është në moshën 37 vjetësh.

Është prej Resnjë të Shqipërisë (gazeta greke “Fos” që shkruan këtë, gabohet pasi Resnja është në Sërbi), nënshtetas shqiptar, mjaft intelektual, flet frëngjisht dhe italisht pa gabim dhe turqisht në gjuhën amtare. I sjellshëm në mënyrat, i veshur bukur, bën përshtypjen se është një njeri që nuk ësht lindur për vrasës.

Në Greqi erdhi prej Nicës të Francës më 9 Maj 1933 edhe pse nuk u paraqit të rregullohet sipas ligjit për të huajt, u dënua me një gjobë prej 230 dhrami.

I vrami Prishtina Hasan Ahmet, edhe ky shqiptar, i ardhur dikur si nënshetas austriak, ka qenë Ministër i Punëve të Brendëshme dhe i Punëve Botore në Shqipëri dhe për një kohë të gjatë kryeministër i Shqipërisë në regjimin e Fan Nolit.

U tha konkretisht prej qarqeve shqiptare të këtushme, se ky qe nënkryetar i fanolistëve dhe përfaqësonte në Ballkan, Turqi dhe Evropën e mesme Fan Nolin, i cli ndodhet në Rusi tue drejtuar propagandën kundër Mbretit Zog.

Vrasja e Hasan Prishtinës, është një mister i math për arsyen pse autoritetet mbajnë një fshehtësi të madhe. Por megjith këtë, prej lajmeve që kemi mbledhun, kuptohet se gjatë shumë ditëve, shikoheshin që të dy bashkë e sidomos në hotelin “Astorja” ku banonte i vrami.

Bashkëfjalimet e tyne dukeshin miqësore edhe për të njohurit e tyne përshpëritesh si “diçka përgatitnin”, e cila plasi në vrasjen e djeshme.

Nga sa kemi mundur të informohemi prej burimeve të ndryshme që mundin t’a dijnë më mirë se si qëndrojnë punët, Hasan Prishtina qe një tip i njeriut të çqetësuar, që mundohesh me çdo sakrificë t’organiozojë organizata komplotiste, gjë që i ka kushtuar kurdoherë ekspulsive (ekstradime), shënimi ynë), nga gjithë shtetet e Ballkanit ku banonte.

Hasan Prishtina në Nicë të Francës

Hasan Prishtina vajti në Nicë të Francës edhe atje u njoft me Ibrahim Çelon që ish instaluar aty prej 26 vjetësh dhe qëndroj atje gati 20 muaj, duke ikur prapë në Turqi. Nga Turqia u ekspulsua dhe u instalua në Sofje, nga ku i shkrojti Shelos një letër, tue e ftuar atë të zbresë dhe të takohen në Selanik kur do të vinte edhe ky.

Në letrën politikani shqiptar nuk përmëndëte shkakun pse e thërriti, por i theksonte se kish për t’i ngarkuar një punë që do të merrte 5000 dhrami në muaj.

Kështu pra Sheloja mbasi dërgoj të shoqen dhe kalamanit e tij në Spanjë, nga ku është e shoqja e tij, mbërriti në Greqi ku u prezantua ne i vëllaj viktimës, pronuar në rrugën “Tsimiski”, Z. Omer Fejzi.

I tregoj letrën e këtij, por ky i’u përgjigj, se i vëllai nuk ka ardhur ende nga Vjena edhe se nuk dispononte as një peshës për politikë pse nuk përziesh në të.

Prishtina i propozon Ibrahim Çelos të vrasë Zogun

Para një muaji, Sheloja marsi shikonte se kish mbetur pa të holla, u nis për në Vjenë për të takuar Hasanin, por për fat të keq, kur ay nisesh për në Vjenë, ky i fundit kthehesh për në Selanik. U kthye këtu para 14 ditëve dhe e takoj duke dashur të mësoj se ç’punë do t’ë bënte që të merrte 5000 dhrami në muaj.

Prishtina pa shumë dredhina, i tha se ishte koha të vritet N. M. Tij, Mbret i Shqipëris Ahmet Zogu dhe disa nga Ministrat e tij dhe kjo do të bëhesh shkak që të ngrihesh statut për shërbimin që do t’i sillte vendit. Sheloja u trondit nga ky propozim dhe i tha, se duhet të mendohet. Por i kërkoj t’i nepet ndonjë punë tjetër, nga ku të fitonte të 5000 dhramitë në muaj.

Qysh atë ditë, gjatë këtyre 14 ditëve takohesh ditë për ditë me Prishtinën dhe dje i tha qartas, se nuk mundje të bëjë një punë të tillë, se me një anë të mëndohet për familjen e tij dhe nga ana tjatër nuk mund t’i bëj varrin Shqipërisë.

Por i kërkoj që të mos shkelë zotnimin e tij, që t’i gjejë një punë që të marrë shumën e premtueshme. –Unë nuk të solla të të jap para për sytë e bukur t’ujët. Ja se të veç në Bullgari, ku të marësh dhjetë komitaxhi të vrasësh Zogun, ja po të ikësh s’ë këndejmi. Mbas kësaj përgjigjie, atentatori nxorri revolverin dhe i’a zbrazi kundër nënkryetarit të partisë fanoliste.

Qarqet e Konsulatës Shqiptare kur u pyetën dje prej redaktorit të “Fosit”, thanë se e dijnin prej kohe ardhjen e Prishtinës këtu, por nuk kish asnjë lajm për vrasjen e tij. Zoti Konsull as nuk do t’i shkojë nëpërmënd se shkaqet e kësaj vrasje janë politike. Gjithesi çfaqi tmerrin e tij për këtë krim.

Gazeta “Information” shkruan se e ka shtyrë Moska

Nga ana tjatër, fletorja në gjuhën frëngjishte “Information”, tue u marrë me shkaqet që munt të kenë shtyrë guximtarin të futet në këtë vrasje, shkruan se simbas informatave të saj, Ibrahimi do të jetë shtyrë nga të arratisurit politikë shqiptarë.

Gazeta në fjalë, zhustifikon këtë version në këtë mënyrë: Të arratisurit politikë shqiptarë janë ndarë në dy grupe. Njërin e kryesonte Hasan Prishtina dhe tendencat e këtij grupi kanë qenë konservative, ndërsa grupi tjetrë lidhet drejt për drejt me Moskën.

Tani vazhdon fletorja greke, ka shumë të ngjarë që Ibrahimi të jete shtyrë nga grupi që lidhet me Moskën për të çkatërruar grupin konservativ.

Jehona e shtypit të Selanikut për vrasjen e t’arratisurit politik

Në Selanik, pesë plumba revolveri të zbrazura njëri pas tjetrit nga një dorë shqiptari me nënshtetësi të huaj, çkëputën, tragjikisht, përin e jetës të një ish-Kryeministri Shqiptar, të arratisur për arsye politike.

Gazetat greke të atij qyteti, shkakun e asaj ngjarje të shëmtuar, e mpështetin në dy arsye. E Para: se Hasan Prishtina – viktima, nuk e mbajti premtimin që i kish dhënë me letër Ibrahim Çelos, – guximtarit, – për t’i gjetur në Greqi një punë të ndershme, ndërsa me gojë i shpjegoj se ato të holla, 5000 dhrami në muaj, – do t’i paguheshin vetëm kur të vriste Mbretin e Shqiptarëve, por Ibrahim Çelua, i zëmëruar me lodrën që i luajti, i mërzitur nga mungesa e të hollave nga shkaku i Hasanit që e solli në Selanik, dhe i inatosur për propozimin e dedestuar që i bëri, nxori në një minutë dëshpërimi revolverin dhe e shtriu në tokë të vrarë.

E dyta: se shqiptarët e arratisur janë ndarë në dy grupe, njërin të kryesuar prej Hasan Prishtinës, me tendenca konservative dhe të dytin të dirizhuar prej njërzëve me tendenca bolshevike, të lidhur drejt për drejt me Moskën, dhe nga kjo antagonismë parimesh, Ibrahimi është vënë nga grupi i dytë për të çdukur personin e Hasan Prishtinës që do të sillte çkatërrimin e partisë konservative në dobinë e së parës.

Ngjarja u zhvillua në një qytet të një shteti të huaj dhe tye qene gjithashtu se kaq guximtari sa dhe viktima kanë jetuar përsëriu në vendet e huaja, është shumë zor, ose më mirë e pamundur që të jemi në pozitë të formojmë, qoftë dhe një supozim, mbi shkaqet e vërteta që përfunduan në tragjedinë e Selanikut.

Jemi pra të shtërnguar, që për të komentuar vrasjen e shëmtuar të së hënës, të bazohemi në botimet e gazetave greke. Megjith këtë, është mirë të shënohet, kështu midis parëthënësit, se opinioni i gazetave të Selanikut, nuk duhet të hidhet dhe kaq mbrapa krahëve.

Fletoret e republikës greke në çështjen konkrete, duhen të jenë të paanshme, se ngjarja ka rrjedhur midis dy personave që s’kanë të bëjnë me çështjet e brëndëshme të Greqisë.

Por sidoqoftë puna, dy gjëra mund të nxjerrim nga vrasja e Selanikut, dhe meqë të dyja janë nga ato çështje që provokojnë përbuzjen e çdo shqiptari që i dhëmbet atdheu dhe që dëshiron të mbajë nalt prestigjin dhe nderin shqiptar.

Shqiptari me këto parime, i dënon kryekëput atentatet, kushdo qoftë ay që shkrep pushkën dhe kushdo qoftë ay që pranon plumbat në trupë.

Gjith ashtu, ay shqiptar me ato parime, dënon përsëri kryekëput çdo person që mejton të ngrejë dorë kundër Mbretit të Shqiptarëve. Fati i atdheut t’onë lidhet ngushtë, shumë ngushtë, me personin e Zog-ut dhe kush është kundër këtij, duhet të dijë se është kundër atdheut. Bisedim mbi këto dy pika nuk hyjnë.

Dhe ja pse, populli shqiptar dëgjoj me përbuzje atentatin e shëmtuar të Selanikut dhe dënon me koshiencën e tij me tradhti të naltë, çdo shqiptar që mejton të prekë Udhëheqësin e sotëm të Shqipërisë.

Hasan Prishtina, sipas Fjalorit Enciklopedik, i hartuar nga Akademia e Shkencave

(1873-1933). Patriot e demokrat revolucionar i shquar që luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, për demokratizimin e jetës së vëndit, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Lindi në Vuçiternë në një familje patriote. Studimet e larta i kreu në Stamboll për shkencat politiko-juridike. Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë në parlamentin osman, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.

Në fillim të vitit 1912 së bashku me Ismail Qemalin ishte ndër nismëtarët për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri ku u shqua si udhëheqësi kryesor. Në vitin 1912, u ngarkua me detyrën e ministrit në qeverinë kombëtare të Vlorës.

Me themelimin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (shih) u zgjodh antar i tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919, komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris, ku do të kërkonte bashkimin me shtetin kombëtar shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.

Mori pjesë aktive në organizimin e Kongresit të Lushnjes në vitin 1920 (shih) dhe në prill të vitit 1921, u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

Në dhjetor të vitit 1921, kryesoi një ndër qeveritë më demokratike të vendit. Hasan Prishtina ishte një nga drejtuesit dhe organizatorët kryesorë të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922. Gjatë viteve 1922-1923 u shqua si kundërshtar i vendosur i reaksionit të brendshëm.

Shquhet si luftëtar për mbrojtjen e “Zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i lëvizjes nacionalçlirimtare dhe i çetave kryengritëse në Kosovë kundër sundimit serb. Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen e Revolucionit demokratiko-borgjez të Qershorit të vitit 1924 (shih) dhe luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga ky revolucion.

Në shtator të vitit 1924, në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkoi në Lidhjen e Kombëve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë. Pas dështimit të revolucionit të 1924-ës u largua jashtë Atdheut.

Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933) qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarko-fashiste, kundër tiranisë zogiste në Shqipëri dhe zgjedhës serbo-madhe në Kosovë.

Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës” i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional (shih). Hasan Prishtina, luftën nacionale në Kosovë u përpoq ta bashkrendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë.

Disa herë u bë nismëtarë i bashkëëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve shoviniste të huaja.

Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arriej sipas tij me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonizmit ndaj tjetrit. Katër herë armiqtë organizuan atentate me armë.

Dy herë e burgosën pushtuesit serbë dhe bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje: xhonturqit, feudali e vegla e Serbisë, Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut. Më 14 gusht 1933 u vra me atentat nga agjentët e Ahmet Zogut në bashkëpunim me qeverinë jugosllave.

Hasan Prishtina ka lënë një varg artikujsh si dhe kujtimet e tij për kryengritjen antiosmane të 1912-ës që kanë vlerë për historinë e lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. (A. Ha.) (Marrë nga Fjalori Enciklopedik i Shqipërisë, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 1988)

Deri në vitin 1960, Tirana zyrtare, e konsideronte tradhtar Hasan Prishtinën!

Si rrallë ndonjë figurë tjetër e politikës dhe historisë së Shqipërisë. që aktivitetin dhe veprimtarinë e tyre e patën gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar, Hasan Prishtinën, e ndoqi i njëjti “fat” si në gjallje, ashtu dhe pas vdekjes së tij.

Kjo ka të bëjë me faktin se ashtu si gjatë gjithë veprimtarisë së tij politike, ku pati një sërë oshilacionesh, me mjaft ngritje dhe ulje (nga deputet i parlamentit turk dhe atij shqiptar, në kryeministër i Shqipërisë dhe më pas emigrant politik në disa shtete të Evropës), edhe pas vdekjes, për një pjesë të shqiptarëve, ai mbetej një “patriot dhe atdhetar i madh i çështjes kombëtare”, kurse për një pjesë tjetër të shqiptarëve, ai s’ishte gjë tjetër veçse një “renegat dhe tradhtar i atdheut”!

Madje edhe historiografia dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës, deri në fillimin e viteve ’60-të, Hasan Prishtinën e konsideronte një “reaksionar dhe tradhtar të adheut”, gjë e cila ishte e shkruar mjaft qartë në të gjitha tekstet shkollore dhe ato të institucioneve shkencore dhe akademike të shtetit shqiptar të asaj kohe.

Edhe pse në historiografinë dhe librat e ndryshëm të botuara deri në atë kohë në Shqipëri, vrasja e Hasan Prishtinës në Selanik në vitin 1933, ishte e kurdisur nga Mbreti Zog, propaganda zyrtare e asaj kohe, vazhdonte ta etiketonte atë si tradhtar të atdheut.

Sipas dëshmive ekskluzive të studiuesit, publicistit dhe shkrimtarit të njohur Gani Demiri (Ratkoceri), me origjinë nga Kosova (ish- burgosur politik para viteve ’90-të dhe Mësues i Popullit), rehabilitimi i Hasan Prishtinës, u bë i mundur vetën në fillimin e viteve ’60-të, kur një grup studiuesish, historianësh e publicistësh kosovarë që kishin ardhur si emigrant në Shqipëri, si: Ajet Haxhia, Gani Demiri etj., i bënë kërkesa të shumta Komitetit Qëndror të PPSH-së, duke i kërkuar rishikimin e figurës së Hasan Prishtinës.

Mbas një sërë takimesh e konsultash me studiues dhe profesorë të historisë, ata patën një takimi edhe me ish-ministrin e Arsimit të asaj periudhe, Manush Myftiun, të cilit i parashtruan shqetësimin e tyre për figurën e Hasan Prishtinës.

Pas atij takimi, çështja filloi të merrte rrugë dhe figura e Hasan Prishtinës u mor në shqyrtim nga Instituti i Historisë. Sipas Gani Ratkocerit, ai personalisht, ishte ndër të parët që e ngriti problemin e figurës së Hasan Prishtinës, gjatë një bisede të lirë që kishte pasur me profesorin e tij, Aleks Buden, të cilit i tha: “Profesor, ne në Kosovë e kemi njohur për patriot Hasan Prishtinën”.

Sipas Gani Ratkocerit, pas një sërë debatesh dhe mbledhjesh, diku atu nga viti 1961-1962, më në fund u vendos që Hasan Prishtina, të shpallej patriot i atdheut dhe si i tillë të trajtohej edhe në librat dhe historiografinë zyrtare të regjimit komunist të asaj kohe. Pas rehabilitimit të figurës së tij, regjimi komunist i Tiranës, bëri të mundur edhe sjelljen e eshtrave të tij në Shqipëri në vitin 1977./Memorie.al

LEXO EDHE: HASAN PRISHTINA-KORRESPONDENTIT GJERMAN: NJË MESAZH PËR TURQIT…