Havzi Nela: Kurrë s’u ulëm në nji sofër, kurrë, o Nana ime…

Poezi nga Havzi Nela

Po, o nanë, po,
N’emën të ligjit jam arrestue,
E duert m’i kthyen prapa policët e zi,
N’hekur me tutjus m’i kanë ngujue!
Me gazin 69 u pamë sy ndër sy,

Si me keqardhje m’u ba se më vështroi,
E kur lëshova kambën mbrenda me hy,
M’u ba se psherëtiu, m’u ba se rënkoi!
Ndoshta e ndjeu veten fajtor,

Pse erdhi e më mori përsëri!
Ndoshta i gjori ishte lodhë,
Gjithkah n’udhtim nëpër Shqipni.
Gjithkund tue shkue nëpër atdhe,

Sa djem nanash kështu po i merr!
Si nji kuçedër në “Shqipnin’ e re”
Emni i tij ka futun tmerr!
Ti mos u druej, o Nana ime,
Sido të bahet jam pa faj,

Qëndro malsore, mbahu trime,
Mos e mbyll jetën me vaj!
Djali yt s’ka me t’turpnue,
Gjinin tand s’do ta tradhtojë,

Shqiptar i ndershëm ka me qëndrue,
Po prehnin tand do ta kërkojë.
Ka me dasht me t’pasun pranë,
Ta vështrosh, ta ledhatosh,

E nji fjalë t’ambël me ia thanë,
Plagët zemrës t’ia shërosh!
Pusho, mos qaj, o nanë e mjerë,
Ti me mue s’je kënaqun kurrë.

N’merak e mall ke qenë përherë,
Qysh i vogël dhe sot burrë!
Qysh nand’ vjeç m’ke nxjerrë prej shpie,
Jetim, pa babë, bukën me nxjerrë;
M’shkule nga prehni prej vorfnie,

Vetë jam rritun derë më derë!
Tri ditë bashkë s’i bamë në votër,
Shtëpia jonë nuk qeshi kurrë;
Kurrë s’u ulëm në nji sofër,
Kurrë, o Nana ime, kurrë!

ObserverKult

——————————–

Lexo edhe:

32-vjetori i varjes së poetit Havzi Nela, bashkëshortja kërkon hapjen e dosjes

Në 32-vjetorin e varjes të poetit disident Havzi Nela, bashkëshortja e tij kërkon nga SPAK hapjen e dosjeve dhe zbardhjen e plotë të saj.

Lavdije Nela thotë së përgjatë gjithë kësaj periudhe, asnjë institucion drejtësie dhe qeveri nuk ka bërë asgjë për të zbardhur dhe çuar para drejtësisë urdhëruesit e varjes të poetit.

Havzi Nela, pas një kalvari vuajtjesh dhe internimesh në kampet famëkeqe të komunizmit, u burgos në burgjet politike të Burrelit dhe Spaçit e me pas në 10 gusht 1988 u var në qendër të qytetit të Kukësit me akuzën e tradhtisë së lartë ndaj Atdheut.

Pas pluralizmit politik ai u shpall martir i demokracisë. Vetëm pas 30 vitesh, bashkia e Kukësit, në vitin 2018 vendosi bustin e tij dhe rindërtoi shtëpinë muze në Kollovoz, fshatin e lindjes, ndërsa emrin e tij e mban gjimnazi i qytetit.

Për 32 vjetorin e vdekjes së poetit disident reaguan dhe presidenti Meta e kreu i PD, Lulzim Basha, të cilët postuan në rrjetet sociale poezi të Havzi Nelës.