60 vitet e jetës me Ismail Kadarenë, pas vdekjes së tij, për Helena Kadarenë sikurse ka përshkruar rrugëtimin me gjeniun e letrave shqipe në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”, sot ngjan edhe më e pamjaftueshme se më parë.
Veçse me kujtimet që i ka të shtrenjta që i ndan me miqtë e Kadaresë, figura publike të rëndësishme, artdashës e të afërm në këtë moment homazhi, përkujtimore.
“Kanë kaluar 40 ditë dhe për mua e njerëzit e dashur është ende prezent. Akoma nuk po e kuptoj që nuk është më”, u shpreh Helena Kadare.
Me dhimbje të thellë Helena Kadare ka përjetuar humbjen e shkrimtarit të madh, e cila i ka qëndruar në krah si bashkëudhëtare në jetën e tij me pengesa siç zgjedh ta cilësojë, por gjithashtu edhe në krijimtarinë e pasur.
“Prezenca ime afër Ismailit, ka qenë një rrugë e gjatë e shkëlqyeshme dhe e lodhshme gjithashtu. Gjithmonë janë miliona adhuruesit e tij nëpër botë, e sigurisht duke filluar nga shqiptarët. Por ka qenë edhe rruga tjetër e sulmeve që janë bërë kundrejt tij. Jam përpjekur të jem një grua e një shoqe për ta mbështetur në momentet e vështira, por njëkohësisht janë të shumta momentet e bukura që kemi kaluar së bashku”, tha Helena.
Helena e duruar pranonte sakrificën e ndarjes së dashurisë së Ismailit vetëm me librat, që sot e ngaherë janë një thesar për letërsinë, e që e bëjnë Kadarenë të pavdekshëm.
“Jam përpjekur ta bëj jetën e tij që të mos e ndjej kurrë nevojën e diçkaje, them diçkaje të thjeshtë të përditshme. Domethënë ai merrej vetëm me punën e tij dhe e vuante shumë nëse nuk bënte ato dy orë e gjysmë shkrim në ditë, që i ka bërë ditë festash, udhëtimesh të pafundme tonat. Vetëm çështja e Kosovës e ka bërë që ai të heq dorë nga ajo punë që e kishte aq përzemër”, tregon ajo.
Në rrëfimin e saj të parë pa Ismailin, Helena kujton çdo moment të jetës së tyre të përbashkët, e ka në mend fjalët e tij…
“Për ta përfunduar siç thoshte ai vetë shumë bukur që ‘kam bërë një gjë normale në një vend anormal”. Dhe siç e dini ju të gjithë e ka bërë me shumë sukses, e jam shumë krenare që kam qenë në krah të tij”, kujton Helena./javanews.al
ObserverKult
Lexo edhe: