Ismail Kadare: Vallja shqiptare

Poezi nga Ismail Kadare

Tri herë opinga rrahu dheun
Sikur kërkoi leje prej tij;
Pastaj shamia palët ndehu
Me qetësi dhe madhështi.

Kështu mes qiellit dhe tokës
Vallja u lind, vallja u shpall;
Këmba sinjale i çon tokës
Dhe dora qiellit i jep lajm.

Dhe vallja rrokulliset tutje
Mbi kohra hedhur si hobe;
Prilli përsipër i hedh lule,
Dhjetori borën shkund atje.

Valle shqiptare, shënja në erë
Ylbere tirqesh tej-e-tehu;
Kush ju kërceu ju njëherë
Dhe këmbët rob s’i mbenë tek ju?

Kush ra midis vorbullës suaj
Dhe s’u përzhit dhe s’u përflak,
Ju bubullima me opinga
Që nëpër shekuj brodhët varg?

ObserverKult


Lexo edhe:

BRENDA SHTËPISË SË KADARESË …

Në shtëpinë e Kadaresë

Tashmë të gjithë mund të vizitojnë shtëpinë ku lindi, u rrit dhe hodhi në letër krijimet e para shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare. Teknologjia bën të mundur një vizitë të plotë në ambientet e shtëpisë në Gjirokastër.

Muzeu “Shtëpia Kadare” është restauruar duke ju përmbajtur plotësisht projektit fillestar. Ndërtesa ka dy kate, nga qilari që ndodhet në katin përdhes ku mbaheshin zahiret (rezerva ushqimore) të dimrit.
Ky kat shërbeu edhe si vendstrehim gjatë bombardimeve në Luftën e Dytë Botërore.
Në themelet e shtëpisë ndodhet sterna e ujit që grumbullon ujin e shiut nga hulluqet e çatisë dhe është origjinale.
Ndërsa ne katin e parë (nëndivani) janë hajatet që përdoreshin për kafshët dhe veglat e punës.

Në katin e dytë ndodhen ambientet e banueshme të shtëpisë. Dy oda të mëdha ku qëndronin miqtë dhe dy oda të vogla “dimërore” që përdoreshin nga familja.
Brenda shtëpisë së Kadaresë gjenden disa sende origjinale të familjes si mangall, sënduk, një helmetë e Luftës së Vietnamit ku Ismaili ka qenë reporter.
“Shtëpia Kadare” është bërë e njohur për vizitorët falë romanit “Kronikë në gur” ku shkrimtari përshkruan çdo detaj të saj.

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU