Nënës sime vazhdimisht
i ikte jeta
dhe kur u frikësova nga poezia
siç frikësohej ajo prej meje,
kuptova që e kemi shtyrë njohjen:
u rrita duke mos njohur nënën time,
dhe ajo plakej duke mos ditur për mua
asgjë veç se si të më ushqejë
Nëna ime mund të ishte nëna e kujtdo,
e mbaja sa më larg meje,
u shfaq si pjesë e një identiteti të pazakontë:
Nëna ime beson në shatë, tokë
dhe në një zot krejt të zakonshëm
i cili frik, është e sigurt, do ta kallë botën
Nënën time shpesh nuk e zë gjumi deri në mëngjes
dhe atëherë shkruan poezi edhe pse mezi lexon
E zgjuar, na rriti me bukë dhe supë:
uria ato vite ishte e madhe, por nëna ishte më dinake
Nëna ime nuk i lan dhëmbët
e bindur se tashmë vërtet është vonë për të gjitha këto
siç ishte vonë gjithë jetën e saj
Nga të dyzetat e saj
për herë të parë më lejoi t’ia rruaj sqetullat
Kurrë nuk u grimos, nëna ime,
dhe s’di të flasë me njerëz të arsimuar,
por mund të rris mjaftueshëm perime
që askush të mos frikohet urie
Po, i ngjaj asaj
siç vajzat e dashura
ngjajnë nga mungesa e butësisë
Po, i ngjaj asaj
si trishtimi i kujtdoqoftë
i ngjanë atij tjetrit
Sipas kujtimeve jo të besueshme
nëna ime nuk veshi kurrë fund
kur doçkat e mia ishin ende mjaft të vogla
me flokët e gjata guduliste ngulmin e tyre
Pastaj gjithmonë dukej si një djalë,
siç dukem edhe unë
e ngulitur fort në brishtësinë e tokës,
por shumë më labile se ajo
në trupin e pafund të gruas
Poezi nga Monica Herceg
*Titulli i origjinalit: Njohja
E përktheu nga kroatishtja: Lulzim Haziri
Monika Herceg (Sisak, 1990) – poete, dramaturge, skenariste dhe redaktore kroate. Ka fituar disa çmime letrare, mes të cileve edhe “Urat e Strugës”.
ObserverKult
Lexo edhe: