Heronjtë e vërtetë janë ata që punojnë pa zhurmë e pa rrahur gjoksin

Këpucët që kërkonin dritë…

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja Sabina Darova.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Për mua lumturia e përkryer janë udhëtimet. Më ndihmojnë të harroj akrepat e orës e të admiroj të bukurën që rrëmben shpirtin. Adhuroj dhe kërkoj kudo bukurinë.

Cila është frika juaj më e madhe?
Të humbas vetëveten.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Vajzën. Sukseset dhe arritjet e saja në përkushtim ndaj dijes.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Emmeline Pankhurst. Është e para grua që themeloi në 1903 Women’s Social and Political Union, duke luftuar betejën më të vështirë në Perëndim për të drejtat e gruas në përgjithësi, si edhe të drejtën e votës. I detyrohemi asaj për disa liri që kemi fituar. Por, rruga për emancipimin femëror për fat të keq, edhe pse ka kaluar më shumë se një shekull nga vdekja e saj, është ende e vështirë.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Entuziazmi që më rrëmben si fëmijë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Shtirjen dhe indiferentizmin.

Në cilat gjëra e teproni?
Me udhëtimet. Nuk ngopem kurrë dhe xhepat mbeten gjithnjë bosh.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Perfeksioni.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Parisi. Është minierë e të bukurës, elegancës dhe të madhështisë.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Pasuri shpirtërore.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që nuk kam arritur të shkruaj një pjesë të konsiderueshme të fantazisë nokturne. Fle pak dhe truri punon intensivisht. Shkruaj skenarë filmash të cilët mëngjesi i fshin me thirrjen për t’u kthyer me këmbë në tokë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Vajza dhe libri.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Uri për të ditur e dëshirë për të shkruar.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Gjatësinë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Vendosmërinë për të jetuar pa kompromise.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Të rilindja në Shqipëri pa komunizmin.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Një aparat fotografik.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Dija.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Varfërinë shpirtërore dhe përtacërinë.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Francë, ose më saktë, në Paris

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Të menduarit në mënyrë lineare.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Inteligjencën, kurajën dhe forcën e dashurisë që ngjiz brënda saj për ti rezistuar maskilizmit. Tek femra artiste, vlerësoj forcën për të kontrastuar paragjykimet dhe stereotipet e krijuara përgjatë makinës së kohës, duke zgjedhur si objekt direkt shpesh herë vetë trupin e saj, si prani e feminilitetit dhe e sensualitetit në përmasat e intimitetit të përditshëm pa maska, duke interpretuar realitetin bashkëkohor e verifikuar kufijtë me të cilat vihet në provë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Janë shumë…Pyetje e vështirë sepse çdo periudhe moshe i përgjigjet vetëdija, ndjeshmëria dhe pjekuria personale e sejcilit prej nesh. Po veçoj tre periudha: Gianni Rodari në fëmijëri, Leon Tolstoi dhe Balzak në adoleshencë, Pennac në të tashmen.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Njerëzit e heshtur. Ata që punojnë e kontribuojnë në të përditshmen pa bërë zhurmë e pa rrahur gjoksin duke treguar me gisht: ” Këtë apo atë e kam bërë unë”.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të luaja në piano si im atë.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Duke udhëtuar.

Cila është motoja juaj?
Platoni thotë që jeta pa kërkime ndaj ç’ka e rrethon, nuk është e denjë për njeriun që thotë se ka jetuar.
Arti është një formë apo gjuhë që ndihmon për të kërkuar ndaj jetës dhe vetëvetes. Dhe kjo arrihet vetëm me mund. Për të lënë gjurmë nuk duhet të reshtin së qënuri kureshtja dhe dëshira për punë./ ObserverKult