(Fragment nga romani “Peter Camenzind” i nobelistit Hermann Hesse)
Pas pak i kërkova Erminias të më tregonte diçka për jetën e saj.
-Çfarë dëshironi të dëgjoni?
-Gjithçka, – i thashë. – Mbase më mirë një histori dashurie. Më pas do t’jua tregoj edhe unë njërën, të vetmen që kam. Është shumë e shkurtër, e bukur dhe do t’ju argëtojë.
-Meqë e thoni ju! Ma tregoni, atëherë!
-Jo, ju së pari! Tashmë dini shumë më tepër për mua, sesa di unë për ju. A keni qenë ndonjëherë vërtet e dashuruar, apo ju, siç unë druaj, jeni shumë e mençur dhe krenare për këtë?
Erminia u mendua për një çast.
-Kjo është një tjetër ide juaja romantike, – tha ajo, – të dëgjoni natën histori dashurie nga një grua, këtu mbi ujin e zi. Por, për fat të keq, nuk mund ta bëj këtë. Ju poetët jeni mësuar të thoni fjalë të bukura për çdo gjë dhe të mos jua besoni zemrën atyre që flasin më pak për ndjenjat e tyre. Keni gabuar me mua, sepse nuk besoj që dikush mund të dashurojë më fort dhe më fuqishëm se unë.
Po, dua një burrë që i takon një gruaje tjetër, dhe ai më do mua jo më pak; asnjëri prej nesh nuk e di nëse do të bashkohemi në këtë botë. I shkruajmë njëri-tjetrit e, ndonjëherë, edhe takohemi.
-A mund t’ju pyes, nëse ju bën të lumtur apo të mjerë kjo dashuri; apo të dyja?
-Oh, dashuria nuk është aty për të na bërë të lumtur. Mendoj se ajo është aty për të na treguar sa të fortë mund të jemi në vuajtje dhe durim.
E kuptova ç’më tha dhe s’munda ta parandaloj që diçka, një si rënkim i butë, të më dilte nga buzët në vend të përgjigjes. Ajo e dëgjoi.
-Ah, – më tha, – edhe ju e njihni këtë ndjesi? Jeni ende shumë i ri! Dëshironi të më rrëfeheni tani?
Përktheu: Ana Kove
ObserverKult
Lexo edhe: