Histori tragjike: Eldën e varrosën pas ndërtesës së spitalit të vogël infektiv…


Nga Artan Gjyzel Hasani

Eldën e varrosën pas ndërtesës së spitalit të vogël infektiv. Ishte një varrezë e vogël për fëmijët e lindur të vdekur. Ca grumbuj dheu të mbuluar me plisa të gjelbër mes të cilëve ishte ngulur një copë dërrasë me një numër.

Nën to një arkë e vogël – banesa e parë dhe e fundit e të vegjëlve të fikur që nuk kishin jetuar aq sa për të pasur një emër.
Në atë kodrinë të mbushur me grumbuj dheu vetëm një varr kishte emër.
Varri i Eldës. I shkruar mbi një gur.

Nëna kaloi në depresion pas humbjes së vajzës dyvjeçare. Fëmija i parë. Kalonte çdo ditë nga varreza dhe i fliste Eldës. Në pranverë i vinte një tufë manushaqe që i mblidhte nga bari i varrit të vockël.

Dimrit ia pastronte dëborën aq sa të dukej guri me emrin e saj.
Meqë gjendja e saj shëndetësore po përkeqësohej mjekët i rekomanduan të shmangte rrugën që e çonte për te Elda dhe të mos shkonte më te varri i saj.

Pak nga pak koha bëri të vetën dhe njëzetvjeçarja doli nga vorbulla e errët e humbjes. Më pas lindëm edhe ne, dy djemtë. Nëna u mësua të mos kalonte më kurrë nga Elda, por, meqë shpirtërat komunikojnë, Elda netëve filloi ta vizitonte më shpesh gjumin e së ëmës.

Një të diel, shumë vite më pas, trokiti dera dhe pas pak pashë se si prindërit e mi dolën si të çartur me vrap. Por kishin arritur vonë. Urdhri i qeverisë ishte të ndërtohej një lagje brenda një dite. Buldozerët kishin gërmuar krejt kodrinën dhe mes aksionistëve entuziastë që po ndërtonin banesat e reja, mes dheut dhe baltës të mbushur me kocka dy prindër të fyer e të dëshpëruar kërkonin eshtrat e vajzës së tyre.

Nuk i kishte lajmëruar askush që të shkonin e të merrnin eshtrat e vajzës para se buldozerët të fillonin punën.
Kur prindërit u ankuan qeveritarët lokalë i panë me habi.

“Qetësohuni, ne ju kuptojmë, ne ju kemi lajmëruar!”, gënjyen ata “por fundja nuk është ndonjë qamet i madh. Në vend që të gëzoheni për ato banesa të reja që partia i ndërtoi brenda një dite për popullin, ju ankoheni e qani për dy kocka!”.

Në ato vite të largët e në ato treva sipas traditës njerëzit nuk mbanin zi për fëmijët nën tre vjeç, aq më pak kur foshnja ishte vajzë.
Nuk kishte humbur vetëm varri. Por kishte humbur edhe Elda. Këtë herë përgjithmonë.

“Tani nga Elda kanë mbetur veç këto,” dhe na tregoi një qese që e mbanin në një valixhe të vogël druri. Gërsheti i saj i vajzërisë dhe një tufë flokësh të verdhë të Eldës. Trishtimi dhe melankolia ia venitën përsëri fytyrën e bukur. Filloi të kalonte çdo ditë fshehurazi nga ajo lagje e porsandërtuar. Zhdukej mes pallateve deri sa arrinte atje ku kujtesa i tregonte varrin e dikurshëm të Eldës.

Kësaj here mjekët heshtën dhe nuk i rekomanduan asgjë.
Dhe përsëri koha bëri të vetën.
Shumë vite më vonë, ndërsa më kishte parë që kërkoja diçka në valixhen e drunjtë, nëna ishte afruar, kishte marrë në dorë gërshetin e vajzërisë dhe qesen e vogël ku ishin dy cullufet e verdha te Eldës, i kishte vështruar një copë herë dhe kishte thënë “Hidhini këto leshra, ç’ti mbajmë kot!” ‘Pse kot, o ma?”.

E kisha parë në sy me habi, por ajo ishte e qetë dhe pas pak çastesh buzëqeshja e saj kishte spërkatur kotësinë e pyetjes sime.
Gjithnjë kam menduar se pikërisht atë ditë filloi pleqëria e saj.

Trillet e fatit dhe rastësitë e jetës nganjëherë përputhen me destinet e brendshme të shpirtit. Pak kohë pas prishjes së varrit të Eldës, në pallatin tonë erdhi me banim një familje vajza e së cilës quhej Elda, aktore e ardhshme.

Sa herë që e thërriste në emër nëna ime mbulohej nga një dritë e mirë që unë e kam parë vetëm në imazhet biblike. Po kështu, kur jetuam në Vlorë mbesa e fqinjës sonë quhej Elda, një vajzë gjimnaziste në atë kohë e që më vonë fati e solli të ishte infermierja që u kujdes dhe i mbylli sytë sime mëje në shtratin e vdekjes…Në të njëjtën datë si Elda…16 Qershor.

(nga “RUTINA PERFEKTE”, 2019)


*Titulli i origjinalit: “Elda”

Në foto: Nëna e Artan Gjyzel Hasanit në çastet e fundit te Eldës (16 qershor, 1958)

ObserverKult


artan gjysel hasani

Lexo edhe:

ARTAN GJYZEL HASANI: TI E PANJOHUR QË ME ZJARR MË SHKRUAN

Poezi nga Artan Gjyzel Hasani

… se gjithsesi duhet të ketë një mënyrë
që unë dhe ti të mbysim botën
në një puthje, mbase edhe në dy,
po kur gjinjtë e tu kokëfortë
të humbasin krenarinë në gishtërinjtë e mi
si do t’ia bëjmë pastaj?
gjethet cila dorë do t’i shfletojë?
kush do t’i shkruajë vargjet?

se shkëmbi është shkëputur nga mali
rrokullisur përplasur thërmuar
një gur i vogël ka mbetur në fund
me mungesën e lartësisë i mësuar
tespije për kujtimet e ndokujt…

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult