Historia e dashurisë që ende “jeton”, së bashku pushtuan botën

trishtim respekt Jorgo...
Foto ilustrim

Historia e dashurisë mes kalit dhe të paepurit që mposhti persët përgjatë 22-vjetëve, është nga më të bukurat, madje një nga më tërheqëset. Të dy kishin të njëjtën moshë dhe të dy, vdiqën sapo kishin mbushur të tridhjetat. Së bashku, ata pushtuan botën.

Në Punjab, në Pakistanin verior, Jhelum është qyteti me hije anonimati. Bën nxehtë, ka 170000 banorë dhe format e ëmbla të tempujve evokojnë Indinë. Që ndodhet jo shumë larg; lumi përkëdhel muret, gjurmët e elefantëve të perandorisë Mughal: përhapet lagështi, me gjallërinë e insekteve. Njëfarë force e egër i karakterizon banorët e Jhelumit: në vitin 1857, u rebeluan kundër sundimit britanik. Duke vrarë disa dhjetëra ushtarë të Madhërisë së Saj. Ata u detyruan të dorëzohen.

Kohë para se të merrte këtë emër, Jhelum ishte Bucefalia, më saktë Aleksandria Bucefalia, qyteti që ndërtoi Aleksandri i Madh në nder të kalit të tij, Bucefal.

Në Idaspe, lumi i cili rrezaton qytetin, Aleksandri kishte mundur mbretin Porus në vitin 326 para Krishtit, një nga fitoret e tija lavdiplote. Me 30 mijë ushtarë, ai arriti të mposhtte, në territorin e huaj, ushtrinë prej mbi 50 mijë këmbësorësh.

Por luftonte me një kavaleri elefantësh, inteligjencë luftarake e lartësuar nga Plutarku. Gjithsesi “pas betejës kundër Poros, Bucefali vdiq… pak kohë më pas, teksa i kuronin plagët e luftës…

Aleksandri ishte shumë i prekur, pasi besonte se kishte humbur një shok dhe mik, kësisoj ndërtoi në kujtim të tij një qytet afër Idaspe, që e quajti Bucefalia”. E mbushi qytetin me maqedonas, pajisur me shpata, të prirur ndaj ekzotikëve.

Historia e Bucefalit lidhet ngushtë me Aleksandrin e Madh, një hon për gjeniun e Indisë. Plutarku tregon për fuqinë e kalit sjellë nga Thesalia. Si dhuratë për Filipin e Maqedonisë, një kalë i pazbutshëm.

Bucefali ishte aq i rrëmbyer, saqë askush nuk kishte mundur t’i hipte. Aleksandri 12-vjeçar arriti ta zbusë egërsinë e hamshorit shtatlartë. Kur kuptoi se kafsha dëshironte të vraponte “kundër diellit: në fakt, egërsohej kur shihte hijet e projektuara në tokë”.

Bucefali dhe kalorësi i tij, Aleksandri, personifikojnë qenien utopike më të arrirë, më të shkëlqyer. Zbuti të pazbuturin, studioi sjelljen e kalit për t’i gjetur të metat. Mësoi se kali kishte frikë nga hija e tij, ashtu edhe nga ajo e njerëzve.

I butë dhe përkëdhelës, djaloshi arriti që ta vendoste kalin përballë diellit dhe, më pas, e kalëroi për disa orë. Pasi zbuti kalin, Filipi “qau nga gëzimi” dhe profetizoi të ardhmen e të birit: “Kërko një mbretëri që të përshtatet: Maqedonia është tejet e vogël për ty”.

Aleksandri dhe Bucefali, përzgjedhur prej drite, të destinuar për të mposhtur hijet, pushtuan botën, së bashku. Vdekja e Bucefalit përkon me fundin e iniciativës lindore të Aleksandrit. “Lufta kundër Poros i kishte dobësuar maqedonasit. Dhe i frikësonte të përparonin drejt Indisë”.

Aleksandri dëshironte të kapërcente Gangesin, por e kishte të pamundur të bindë popullin. Për Bucefalin, kalin-dem, kalin-luan, një lloj përbindëshi, një minotaur. I hyjnizuar po kaq sa padroni arian në “Ngjitja e Aleksandrit”: Aleksandri themeloi qytete.

Njërin e quajti Nikea, në nder të fitores ndaj indianëve, tjetrën Bucefala, në kujtim të kalit Bucefal, i cili vdiq atj. I rraskapitur nga lodhja dhe mosha, pasi ndau me Aleksandrin vështirësitë dhe rreziqet –  lejoi të kalërohej vetëm prej tij, shtatlartë dhe zemërgjerë.

Në librin “Tregime të Aleksandrit të Madh”, Curzio Rufus rrëfen për disa persë, në Irkania, “Toka e ujqërve”, përgjatë Kaspikut, të cilët gjatë një sulmi vjedhin kalin e mbretit. “I tronditur nga zemërimi dhe dhimbja përtej normales”, Aleksandri urdhëroi të rrafshoheshin pyjet derisa t’i rikthenin Bucefalin.

Në këtë kontekst, Bucefali përkon absolutisht me kthesat e fatit të tij mbretëror, maqedonasi takon Talestrin, mbretëreshën e amazonave. Dhe vendos një pakt politik dhe erotik: “Më i zjarrtë se ai i mbretit, pasioni i dashurisë së gruas e bëri të ndalet për disa ditë. Trembëdhjetë u konsumuan për të përmbushur dëshirën e saj”.

Çdo mbret ka nevojë për një kafshë të ngjashme, po aq mbretërore, të jetë përmbledhja, pika e pandryshueshme, e ekzagjeruar. Po ashtu, Aleksandri shquhet për marrëdhënien me qenin Perita, të cilin e zbuti dhe e rriti, i vuri edhe qytetit emrin e tij. Mbase, i edukuar në misteret e rilindjes, Aleksandri preferoi shoqërinë e kafshëve, sesa atë të njerëzve.

Sipas Franc Kafkës, Bucefali nuk vdes në Pakistan, në brigjet e Idaspes. Pas luftës, kali jep dorëheqjen për t’u bërë avokat. “Kemi një avokat të ri, Dr. Bucefali.

Fiziku i jashtëm vështirë se të sjell ndërmend, kohën kur ishte ende kal beteje i Aleksandrit të Maqedonisë. Sidoqoftë, ata që njohin situata të caktuara mund të vëzhgojnë disa detaje…”, – kështu fillon historia “Avokati i ri”, i shkruar në 1917, pjesë e “Doktori i fshatit”, koleksion botuar në 1919 nga Kurt Wolff.

Disa nga tregimet më të njohura të Kafkës janë “ Përpara ligjit”, “Çakejtë dhe arabët”, “Një mesazh nga perandori”, “Një raport për një Akademi” etj. Këtu, Kafka përmbys planet e historisë: në fakt, Aleksandri pushon së qeni Aleksandër. Duke u kthyer sërish në Babiloni, kur Bucefali vdiq; për Kafkën, Bucefali bëhet avokat, sepse “Sot – nuk mohohet dot, – nuk ka Aleksandër të Madh. Ka shumë që dinë të vrasin… por askush, askush nuk di të udhëheqë drejt Indisë”.

“India dhe oqeani”, për një sovran perëndimor, janë fjalë që tejkalojnë dëshirën për të pushtuar, idenë e pushtetit: ato lartësohen në detyrë, në poetikë, në fjalë që i merr era.

Kur vdiq Aleksandri, u shua edhe ideja e Indisë si vend i paarritshëm dhe oqeani u zbraz: “shumë rrëmbejnë shpata, por vetëm për t’i tundur. Kurse vështrimi që duhej t’i shoqëronte, humbet”.

Ç’kuptim ka shpata, nëse roli i saj është vetëm të plagosë, të presë, të vrasë, pa treguar, pa hapur rrugën? Kështu, Bucefali zhytet në kode, në ligje.

“I lirë, duke mos ndjerë më ijët e kalorësit mbi të, nën dritën e zbehtë të llambës, larg zhurmës së betejës së Aleksandrit, ai lexon dhe shfleton librat tanë antikë”. Ligji mbizotëron te njeriu me supozimin e lashtësisë. Një arsye ogurzezë, e mbyllur për interpretuesin, duke e vulosur atë.

Aleksandri kujton se kodi i vetëm është mishi, klithma e shenjtë. Angazhimi për të kapërcyer Gangesin dhe, së fundi, ta zhytë thundrën greke në harresë.

Bucefali, kali që e bëri kalorësin e tij mbret, nënshkroi një pushtim. Parandaloi një tjetër, duke propozuar tjetrin: udhëtimin në të përtejmen./Konica.al

LEXO EDHE: Aleksandri i Madh premtoi ta rindërtonte Babelin