Historia e dhimbshme e ish-të burgosurit shqiptar që u takua pas 47 vitesh me bashkëshorten e tij italiane…

Kur merr me hy në Skuraj dhe e kapërcen përruen e Urdhazës, fillon ngjitja malore, nëpër kodrën që quhet e Lekbibajve. Kalon me radhë tre mullinjtë që njihen si të Gjin Pjetrit, që ngrihen njeni pas tjetrit.

Kalon dhe kullën dykatëshe të Ndrec Pjetrit, vëllai ma vogël i Gjinit e pastaj, ndesh në një brez shkëmbor mbi të cilin ngrihet një kompleks prej tri ndërtesash gurore, kullat historike që njihen si kullat e Gjin Pjetër Pervizit të Skurajve, udhëheqës i kryengritjes së Kurbinit.

Këto ndërtesa dominojnë krejt luginën, që formohet nga bashkimi lumenjve Mat e Fan (degë e Matit), deri në Milot. Pothuaj një kala, që ruen e mbron vendin nga ekspeditat e ushtrive pushtuese të huaja, që mund të depërtonin nga ajo grykë, deri sa të ndesheshin në murin e maleve të Skurajt, ku, ngriheshin kullat që përmendëm.

******

Pritje pafund e krye

Lajmi i ishte dhanë Gorit me shumë kujdes nga Ministria, nëpërmjet Shtëpisë së Oficerëve, ku kishte shërbye Valentini dhe ku ai figuronte akoma efektiv (si rob lufte).

Sidoqoftë Gorit, me  gjithë kujdesin e treguar, nga oficeri përgjegjës, lajmi i kishte shkaktuar tronditje e, kishte kalue në depresion, ku iu desh të shtrohej disa ditë në spital.

E ama i kishte vdekur, ashtu dhe vëllai e tre motra. Kishte mbetur vetëm njena, mjaftë e pasun, që kujdesej për të. Këto Valentini i mori vesh shumë ma vonë.

Ambasada nuk do të kishte arrirë kurrë, të merrte një informatë të tillë. Por qëlloi që një mik i yni i lirë, të cilit i lipsej një dokument për motrën e tij të martueme në Itali, dhe ishte lejua të hynte në Ambasadë, vetë ambasadori e kishte pyetur, nëse e njihte dhe dinte gja për një Valentin Pervizi.

Ai që na njihte fare mirë, i kishte tregue se si Valentini, gjendej i internuem pa shpresë lirimi, në Gradishtë. Ky mik punonte e banonte në Lushnje dhe meqë ndonjëherë e takoja, më tregoi për Ambasadën, ku e kishin pyetur për Valentinin.

Gjendja shpirtërore e Valentinit, ishte randuar. Ajo si duket ndikonte në shëndetin e tij. Andej nga 1974-a, duke u kthye nga Lushnja me biçikletë, ishte rrëzua nga një marrje mendsh. Kjo pati pasoja dhe ai u detyrua të vizitohet, ku e shtruan menjëherë në spital.

Mjeku i pavijonit qëlloi Dr. Çabej (vëllai i Eqrem Çabejt), mik i yni, i cili konstatoi se diçka kishte në mushkëri dhe duhej patjetër të shtrohej në Sanatariumin e Tiranës. Duke qenë se duhej leja e Degës, që ndoshta e pengonte atë punë, spitali e mori përsipër, duke raportuar në Degë, se i quajturi Valentin Pervizi, duhej shtruar urgjentisht në Sanatorium.

Kështu Valentinin e çuan në Sanatorium me ambulancën e spitalit. Drejtor e kirurg, ishte Prof. Ndroqi, që na njihte mirë. Pas kontrollit që bani, doli se Valentini kishte diçka si plagë në mushkëri, dhe lipsej patjetër të operohej dhe i kërkohej të pranonte e të firmoste, për atë ndërhyrje.

Firmosi. Operacioni doli me sukses. Ishte një proces ekinokoku i përthamë. U desh të hiqej një pjesë e mushkërisë, për t’u siguruar nga përhapja e një infeksioni. Kështu Valentini, qëndroi afro një muaj i shtruam nё Sanatorium. Gjendja e tij shёndetësore u përmirësua plotësisht. 

Ndërsa gjendja politike, ishte për faqe të zezë. Revolucioni Kulturor kinez, preku dhe Shqipninë. Diktatori kishte kalue në një fazë shëndetësore, që mezi qëndronte në këmbë. Kishte kalue një ose disa infarkte. E kishte pushtue, një lloj shthurje mendore.

Kjo i jepte shkas së shoqes, Nexhmijes, t’i rrinte mbi krye e të udhëhiqte punët politike, me mbështetjen e Ramiz Alisë. Ndërkaq kishin ndodhë ngjarje të rënda, si pushkatimet e Beqir Ballukut, Petrit Dumes, e të tjerë.

Pastaj vrasja e Mehmet Shehut (që u prallis si vetëvrasje) dhe arrestimi e dënimi i përkrahësve të tij. Ekzekutimi i Kadri Hazbiut e kompani. Çifti Ramiz-Nexhmije, i kishte hap rrugën vet-vetës, për të vazhdue me mbajt shtetin e partinë në dorë. Masha ishte Nexhmija, dhe punët i kryente Alia.

Kërkohej një rrugëdalje, sepse po shihej se sistemi komunist ishte në dështim të plotë, si brenda vendit, ashtu jashtë tij, në republikat motra, ku nisën valët e protestave antikomuniste, që përfunduan me vrasjen e Çausheskut me të shoqen, në Rumani.

Kjo u kalli frikën, sundimtarëve komunistë shqiptarë. Aq ma tepër kur nisi invadimi i ambasadave të huaja, nga mija qytetarë të pakënaqur, që kërkonin shpëtim nga skëterra komuniste shqiptare. Jo vetëm ata që ishin damkosë si reaksionarë, por dhe vetë komunistët, u strehuan me forcë në ambasadat.

Saqë u detuyrua vetë Perez de Kuelar me ardhë në Shqipni dhe me ua imponue qeverisë, lejimin e largimit të refugjatëve të ambasadave, si dhe dhënjen e pasaportave të internuarve që mbaheshin në kampe pune, dhe të familjeve të damkosura; si reaksionare e të deklasueùme.

Në këtë kontekst, Sigurimi luajti rol të madh, duke nxjerrë jashtë vendit, me qindra agjentë e spiunë të tij, për të mbajtur nën kontroll situatën brenda dhe jashtë vendit.

Por njëkohësisht duke u kthye te Valentini, atij iu hap shpresa se mund të përfitonte për t’u bashkue me gruan në Bolonja. Siç e përmendëm, letër-shkëmbimi i tyne, u ba më i rregullt, dhe e shoqja dërgoi edhe disa pako, si dhe dollarë. 

Ajo shfaqte dëshirën, që të vinte vetë në Shqipni, duke qenë se u hapën dyert e lirisë. Por Valentini e këshilloi, mos me e ba atë hap e, ta priste në Bolonja, ku do të vinte vetë. Po të kishte ardhë gruaja, ku ta çonte, në kampin e Gradishtës?!

Mirë do të kishte qenë, për të njohur kushtet mizerabel ku kishte jetue e punue, “Uliksi” i saj. Me urdhrin e lëshimit të pasaportave, Dega e Brendshme e Lushnjës, kishte njoftue të internuarit, që të dilnin në fotografi për pasaportat. Kështu Valentini, bashkë me ne e të tjerë të internuam, i dorëzuan nga dy fotografi në Degë. Dega do të nxirrte emrat me radhë, për tërheqjen e pasaportave.

Këto filluan të jepeshin deri në një far kohe, pastaj u bllokuan përsëri. Nisën akroballëqet e oficerit të Sigurimit, i caktuem për këtë punë.

Me 100 dollarë, e kishe pasaportën e siguruar, por duhet të gjeje njeriun, mik të atij oficeri, pa të përfitoje pasaportën. 100 dollarët në atë kohë, kishin vlerë të madhe.

Me 400, dollarë blejë një shtëpi në Tiranë. Si me ia ba, si mos me ia ba. Neve na doli një njeri yni, mik, i internuar si ne, por që kishte miqësi të madhe, me brigadierin e tij.

Ky nga ana e tij, e kishte mik të ngushtë atë oficerin. Kështu me 100 dollarë ne, unë, gruaja dhe dy djemtë (i treti ishte ushtar në Himarë), morëm pasaportat. Valentini e mori vesh dhe u inatos. Nuk jap asnjë lek. E kanë për detyrë. Nuk e pranoi atë allishverish.

Ne arritëm të largohemi në tetor 1990, në Belgjikë. I lamë porosi atij mikut tonë, që të ia nxirrte edhe Valentinit pasaportën. Me ikjen tonë, Valentinit iu mbush mendja dhe i dha 100 dollarët. Kështu u pajis me pasaportë. Vizën ia dhanë menjëherë, në Ambasadën italiane.

Por, çfarë ndodhi?! Tue shkue poshtë e nalt në kohë dimri, nga Gradishta në Lushnje, disa herë, deri sa ia dhanë pasaportën, mori një ftohje të rëndë e, mbeti i gozhduam në krevat nja dy javë, me penicilina e streptomicina.

Sikur po e ndiqte e torturonte dhe fati, për ta penguar në udhëtimin e fundit, për në “Itaka” të Bolonjës. Më 20 shkurt 1991, pikërisht në ditën e rrëzimit të monumentit së diktatorit, gjendej në aeroport, për të hipur në avionin për në Bolonja. Demonstrata e madhe në sheshin “Skënderbeg” për rrëzimin e monumentit, ishte marrë vesh anembanë.

Valentinit i hyn frika mos krijohej ndonjë incident dhe pezullohej udhëtimi. Këtu si duket, fati hoqi dorë nga e mbrapshta dhe avioni u nis. Pas dy orëve, Valentini zbriste në aeroportin e Romës, ku e priste me padurim, “Penelopa” italiane.

Ai zbret dhe shiko këndej shiko andej, nuk e dallon gjëkundi gruan e tij. Shkon e rri në një qoshe të sallës së pritjes, duke shikue nga jashtë, me mend se Gori, do t’ishte vonue ose, mund të kishte ngatërrua orarin.

Në anën tjetër, e shoqja edhe ajo po priste, sepse nuk e kishte dallue “Uliksin” e saj, ndër udhëtarët që zbritën. Kur vendi u boshatis, ajo dalloi atë njeri që po rrinte në anën kundrejt, me shpinë të kthyeme, tue shikue jashtë nga xhamat.

Ajo afrohet dalëngadalë, deri afër personit, dhe me një gjysmë zani i foli: “Scusi Signore, lei non è per caso Valentino… “? Valentini ishte kthye: “Gori” ? …dhe u përqafuan, pas 47 vjetësh, tashmë si pleq.

Ky “Uliks” i shekullit njëzet, ia kishte kalue Uliksit, të 3000 vjetëve ma parë, sepse jo 20 vjet, por ma tepër se dyfishin e kohës, i ishte dashun të përballonte stuhitë e tallazet e deteve ideologjike të komunizmit, për të arrirë të përqafonte të dashurën e tij, që ia kishin grabitë nga krahët, në moshën ma të bukur të rinisë.

E tashti pas 47 vjetësh, arritën të bashkohen, sa thue nuk po njihnin njeni tjetrin.

E vetmi ndryshim ishte, se “Uliksi” Valentin, nuk e gjeti pallatin të pushtuam nga pretendentët ndaj “Penelopës” tij. S’pati nevojë me tregue, se kush ishte, as me luftue kundër tyne e me i zhduk. Bashkimi me gruan, krijoi për të dy një periudhë qetësie e, çlodhje mendore.

Ata e ndienin mungesën e një fëmije, e një “Telemaku”. Fati nuk ishte treguar shpirtmadh, me i lanë ashtu dy pleq, të vetmuar. Në këto kushte, ne shkuam disa herë në Bolonja. Pastaj e morëm Valentinin, në Belgjikë. Vizituam Parisin, me monumentet e Pallatet Mbretërore e, Perandorake. Kryesisht Luvrin, me kryeveprat e artit botëror e, me admirua Mona Lisën e Leonardos.

Amsterdamin, me u njoh me veprat e Rembrantit dhe të Van Gogut. Me Valentinin, shkuam edhe në Amerikë, në New York, ku ishin instalua gruaja e fëmijët e vëllait tonë, Gencit, që kishte vdekur në prag të shembjes së diktuarës, dhe i kishte tërheq, një dajë e tyne atje.

Pra Valentini, pati mundësi të shijonte diçka nga bota e lirë, prej së cilës e kishin izoluar hermetikisht, 47 vjet. Ku asht pa e dëgjue, një tragjedi e jetueme në kushte dënimesh, pa fund e krye, dhe ku Valentini, ishte cilësue si një “armik i popullit” që zor të fitonte një ditë lirinë.

Ky ishte përfundimi i ambasadorit italian në Shqipni më 1967, të cilit Ministria e Jashtme Italiane, i kishte kërkue informatë për togerin Valentin Pervizi, siç e treguam ma sipër. Në kushtet e lirisë së fitueme, Valentini nisi të shkruaj kujtimet e veta në disa fletore, me qëllim që të botonte një libër. Por duke e pa se po binte nga shëndeti e, pas një operacioni të vështirë, m’i dorëzoi gjithë shënimet që kishte rreshtua, me porosi që t’i plotësoja për një botim.

Punë që unë po bëj. Sëmundja iu rëndue dhe mbeti i shtruar në spitalin Sant’Orsola e, pastaj Malpighi të Bolonjës, ku unë i qëndrova të kryet, katër muaj rresht, deri sa vdiq, me 4 mars 1999, në moshën 79 vjeç.

Ashtu i sëmurë siç ishte, që nuk ngrihej dot nga krevati, një ditë mu drejtua: “Dëgjo Lek, sa të shërohem, do të shkojmë bashkë në Shqipni e, t’i rregullojmë disa punë…! Dëshira e tij ishte e parealizueshme, por se pakut, atë e mbante shpresa e shërimit.

Në varrimin e tij, morën pjesë oficerët e lagjes ku banonte, dhe ato të regjimenti tij. Historia e tij ishte e njohur, dhe gjithkush tregonte ndaj tij, sa jetoi, nderim e respekt, dhe në Shtëpinë e Oficerëve, e thërrisnin Gjeneral.

Ai sa ishte gjallë, e kishte ba kërkesën për ndërtimin e karrierës dhe ngritjen në gradat që i takonin. Mendimi ishte se mund t’i njihej grada e gjeneralit, duke qenë se ai kishte qenë në shërbim efektiv, deri në çastin që vetë komanda e kishte lirue nga shërbimi (si gjithë oficerët e tjerë), në armëpushimin e dytë me gjermanët.

Koha e Shqipërisë si i burgosur nën diktaturë, i njihej si rob lufte. Por nuk u ba gja, sa ishte gjallë. Dy vjet pas vdekjes i erdhi së shoqes, vendimi për njohjen e gradës, si nënkolonel.

Ata të komandës tij, u çuditën dhe u shprehën për një vendim të padrejtë, Valentinit duhet të ia kishin njohur gradën e lartë, si gjeneral. Ai kishte dhanë prova të aftësive ushtarake të tij e, quhej një hero (i pashpallur), i betejës së Tivolit pranë Romës, më 8-15 shtator 1943. Po ashtu një rob lufte, në kushte dënimi me burgje e kampe përqendrimi. Një rast unikal, në historinë e ushtrisë italiane, që meritonte ma shumë vëmendje, nga autoritetet e larta kompetente.

Gorit, tashmë grua e vejë, ne i rrinim pranë në çdo rrethanë. Ajo nuk pranonte me ardh në Belgjikë. Ishte tepër e lidhur me kujtimet e familjes, që kishte jetua vazhdimisht në Bolonja dhe me praninë e Valentinit, dhe i dukej një mospërfillje, largimi i saj nga ai qytet.

Në vitin e fundit, që ishte mjaft e sëmurë, ajo e kishte thirr gruan time, që të rrinte me të. Kështu ime shoqe, ndeji pranë saj gati një vit, deri ditën e fundit, kur vdiq në spital.

Në spital, nuk kishte krevat të lirë, dhe duke qenë se e donte gruan time aty pranë, ime shoqe, flinte pranë krevatit saj, mbi dyshemenë, ku kishte shtrue disa kartonë.

Drejtori spitalit kur e mori vesh dhe e konstatoi vetë gjendjen, u shpreh se kjo grua, meriton të shpallej heroinë. Koha bën të vetën dhe kështu edhe Gori, kjo “Penelopë” e shekullit njëzet, ndërroi jetë, për t’u bashkue me “Uliksin” e saj, Valentinin, në përjetësinë e Parajsës. Ky ishte romani i jetuar nga ky çift, njё Odise e vёrtetё e Pafajësie.

Kjo ishte i gjithë historia e Valentinit, e denjë për pena të forta e regjisorë filmash. Ne e dhamë thjesht ashtu siç ishte zhvillu, pa ia teprua me përshkrime të stërholluar.

Besojmë se lexuesi do të mbetet i emocionuam nga kjo histori e dhembshme, ku del ne pah kriminaliteti i një diktature çnjerëzore, që shtypte mizorisht të drejtat e njeriut deri dhe në jetën private të njerëzve, duke mos ua lë juve që ta jetojnë e gëzojnë.

Fati u tregue i pamëshirshëm ndaj Valentinit, tue e përfshi në një shtegtim shumë të gjatë e, të trishtë. Një udhëtim jo nëpër tallaze e stuhi detare, por vuajtjesh e mjerimesh të papërshkrueshme. Gjatë 47 vjetëve, iu desh të përballonte terrorin komunist, që ia grabiti një jetë të tanë.

Kur u arrestua, ishte 24 vjeç, dhe kur u lirua, 70 vjeç. Ndërsa “Uliksi”, që kishte shkue në luftën e Trojës, 20 vjeç, u kthye në Itaka, në moshën ma të mirë, 40 vjeç, ku e priste krahëhapur Penelopa, akoma e re, e bukur dhe besnike.

Ndërsa “Uliksi” tjetër, Valentini, do të takohej me “Penelopën” e tij, pas 47 vjetësh, në moshën mbi 70 vjeç, ku dallohet fare mirë tragjedia që e kishte përfshi kët çift fatkeq.

Një fat mizor, që ua shkatërroi jetën. Për të njohur ferrin komunist, që e gjunjëzoi gjithë Shqipërinë, gjatë një gjysmë shekulli, tue e katandisë në një gjendje të mjerueshme, mjafton të ndjekin nga pas Valentinin në atë udhëtim të gjatë, që e katandisi nëpër ato guva skëterre, ku ishin stivosë e vuanin me mija e mija qenie të pafajshme.

Në udhëtimin e tij imagjinar, Dante takohej me personazhe të ndryshme, të dënuem në Ferr për mëkatet, krimet e fajet e tyne. Ndërsa me anë të Valentinit, njihemi me personazhe të vërtetë, të njollosur me akte katilësh, duke krye krime të çdo lloji, mbi krijesa njerëzore të pa pambrojtje.

Paradoksi qëndron në faktin, se këto mëkatarë e kriminelë, jetonin në nj Parajsë të tyne tokësore, ndërsa njerëzit e mirë e të pafajshëm, i kishin mbërthye e pllakosë, në shpellat e një ferri real e të kobshëm. Sa për Valentinin, nuk kishin mjaftua 25 vjetët e Mandelës, por ishin shtue pothuaj dyfish, deri në 47 vjet, një jetë të tanë.

Nelson Mandela, gëzonte të drejtën të vizitohej në burg nga ministra, parlamentarë, gazetarë, politikanë, etj., dhe të ndiqte studimet universitare e të diplomohej aty.

Ndërsa disa qindra Mandela të Shqipnisë, me nga 45 vjet dënime mbi kurriz, s’guxonte kush me u afrue dhe jo ma me u ba vizita zyrtare, me fol e shkrue gazetat e, aq ma tepër me vazhdue universitetet e me fitue diploma në kushte burgu.

Kështu edhe Valentini, jo vetëm se nuk mund të guxonte kush t’i vinte në takim, por ai vetë po t’ishte afrue ma tepër te telat me gjemba të rrethimit të kampeve, rrezikohej të gjuhej e të vritej nga armët e rojeve çerbërë e kriminelë.

Ai i shpëtoi vdekjes së dhunshme, por jo vuajtjeve dhe vështirësive të panumërta që ishin një Kalvar i vërtetë në një rrugëtim aq të gjatë e të lodhshëm, që me aq mundime i doli në krye, por në një moshë që s’premtonte ma për mirë./ Memorie.al

ObserverKult


Lexo edhe:

MARTIN CAMAJ: DHE DASHUNOJ MÂ TEPËR ATE GRUE

E kujtoj fëmi endè para kandilit
ftyrën tande mâ të ndritun se flaka.
Dhe e dijsha se ke me u bâ e hijshme
kur pijshe ujë etshëm mbas shujte.
E dijsha se vjeshta ka me mbushë pusat
me pika shiut plot e për maje.

Tash del hana e re çdo muej
e më bjen me vehte jehonën
e vonueme të kohës sate.

E pyes vehten: si mundet ajo
me kthye buzë pusave të ngimë
ku tash janë mure punue me gur
të latuem dhe ndoshta ndrisin dhe kandila të ri
ngarkue me tym.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


EDWARD E. CUMMINGS: EJA ME MUA, TË IKIM LARG…

Poezi nga Cummings

Ti je e lodhur,
(mendoj)
nga ky mister i
vazhdueshëm i të jetuarit e
vepruarit.
Edhe unë.

Ndaj,
eja me mua
të ikim larg e më larg-
(veç unë dhe ti, kupton!)

U argëtove,
(mendoj)
dhe i bëre copë e çikë lodrat
e tua më të shtrenjta,
tani disi e lodhur je;
E lodhur nga gjërat që
thyhen, dhe-
Thjesht e lodhur.
Edhe unë.

Por sonte vij me një ëndërr
në sytë e mi,
dhe trokas me një trëndafil
në portën e pashpresë të
zemrës sate-
Hapma!
Do të të rrëfej për vende që

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult