Rrëfejnë se një fëmijë jetim, i vetmuar, endej gjithandej, nëpër tokë. I vetmuar, i trishtuar; askush nuk kujdesej për të, askush nuk pyeste për të.
Dhe vogëlushi jetim e i braktisur endej i vetmuar. Por, edhe pse tejet i mjeruar dhe i trishtuar, ai nuk qante. Nuk qante, sepse lotët ende nuk ekzistonin, aso kohe.
Një natë plot dritë, fëmija që endej i vetmuar, ngre vështrimin nga qielli dhe shikon hënën. Vështrimi i mbeti mbi shkëlqimin dhe bardhësinë e saj të mrekullueshme.
Edhe hëna i kishte ngulur sytë mbi fëmijën jetim. Hëna, kur shikon vuajtjen dhe trishtimin e pamasë në sytë e vogëlushit, mallëngjehet dhe nuk duron dot. Ajo zbret sakaq në tokë dhe ulet pranë jetimit. Dhe, gjithë butësi e përgjërim, i thotë:
– Qaj, vogëlush! Qaj se do të ndihesh shumë më mirë… Por mos i lër lotët që të bien dhe të prekin tokën. Lëri lotët të rrjedhin mbi mua dhe unë do t’i marrë me vete, kudo në qiell.
Atëherë vogëlushi bën siç i thotë hëna: fillon të qajë. Për çudi, nisi të lehtësohej vërtet; tashmë, ndjehej shumë më mirë.
Kështu pra, kanë lindur lotët e parë, të cilët ranë mbi faqen e Hënës.
Dhe ti, që e mësove këtë histori, ngrije kokën dhe shikoje hënën e plotë! E shikon sa e bukur dhe e larë është? I shikon njollat e saj? Ta dish se ato janë shenjat e lotëve të parë në këtë tokë. Dhe ta dish se ishte hëna ajo që, një natë, arriti të qetësojë trishtimin e një fëmije jetim dhe të braktisur.
*Titulli i origjinalit: “Lotët në hënë”
Në shqip: Bajram Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:
NËSE QAJ, LOTËT E MI NGRIJNË… S’KA KUSH T’I FSHIJË…
Shqetësime sentimentale
Nga Teresa Wilms Montt (Kili, 1893 – Paris, 1921)
XIII
Ndërsa valët e detit, kur fryn era, shtohen dhe rriten, pak nga pak, ato shtojnë edhe dhimbjet e mia, duke më lënduar shumë; atëherë, unë, me kokën në duar, futem në kujtime.
I kam zili ato qenie që nuk kanë të hanë, por që kanë atë pasuri të madhe, që gjithë bota mua nuk m’i jep dot.
Ata dikush i do; dikush i dëgjon me dhembshuri ankesat e tyre për jetën, dhe, mrekullisht, ndan me ta çaste të rralla lumturie.
Në vetminë e dhomës sime të gjumit nuk e gjej kurrë prova që ekzistenca ime të jetë e këndshme për dikë tjetër; nuk ka asgjë që më thotë: «Ji e qetë, se je duke jetuar në një zemër tjetër».
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult