Historia e dhimbshme e njeriut që u thinj në internim gjatë komunizmit

Ishte 6 vjeç kur e internuan në vitin 1945, dhe përjetoi gjithë kalvarin e kampeve të internimit në Shqipëri, nga Berati në Turan, në Tepelenë e deri në Gradisht të Lushnjes, ku jetoi nën terrorin komunist, deri në vitin 1991… Me një varg fatkeqësish, ai u nda nga jeta më 7 gusht 2019, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 80-vjeçare. 

Rreth 46 vjet, përjetoi mbi lëkurën e tij, persekutimin më të egër që mund të përjetojë një fëmijë që rritet, burrërohet dhe nis të plaket, një jetë të tërë kampeve të internimit në luftë të përhershme me urinë, varfërinë ekstreme, terrorin psikologjik dhe mungesën e përhershme të lirisë.

Sherif Kaloshi ishte simbol i këtij persekutimi të egër e të pashoq. I lindur në vitin 1939, në Dibër, jeta e tij u shenjua prej privimit të lirisë dhe vështirësive të shumta nëpër kampe që në moshë fare te re, duke nisur nga viti 1945, kur regjimi komunsit u instalua dhunshëm në Shqipëri.

Familja Kaloshi, dhe sidomos Azisi, i ati i  Sherifit dhe vëllezërit e tij kishin pasur aktivitet të ngjeshur nacionalist gjatë viteve të luftës dhe si të tillë, ishin shpallur kundërshtarë të regjimit dhe ideve komuniste. Për këtë shkak, së bashku me shumë familje të tjera antikomunsite, familja Kaloshi, mes tyre edhe Sherifi atëkohë 6 vjeç, u morën me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe u internuan fillimisht në Berat, ku pas disa vitesh, do t’i largonin për t’i çuar fillimisht në kampin e Turanit, ku u përballën me vdekjet masive të fëmijëve dhe pleqve, prej epidemive dhe urisë e më tej, në kampin e Tepelenës, i ngritur në breg të lumit të Bënçës, ku dikur kishin qenë kazermat e ushtrisë italiane.

Pas vitit 1953, prej kampit të Tepelenës, Sherifi dhe familja e tij u internuan sërish, këtë herë në Lushnje në Gradisht, ku ata qëndruan deri në vitin 1991.

E gjithë familja përjetoi gjatë këtyre viteve, persekutim të pashoq dhe fatkeqësi të shumta. Në arkivën tonë, profilet e të burgosurve, të pushkatuarve dhe të internuarve të fisit Kaloshi, janë të shumtë.

Me përmbysjen e regjimit komunist, për të luftuar për secilën padrejtësi që iu bë fisit të tij dhe gjithë të përndjekurve të tjerë të regjimit në Shqipëri, Sherif Kaloshi i përqendroi gjithë energjitë dhe vullnetin e tij për rehabilitimin e klasës së të përndjekurve, duke qenë për shumë vite edhe në krye të Komitetit të të Përndjekurve Politikë në Shqipëri. Po ashtu, ai u angazhua, që prej themelimit të Partisë Demokratike, në vitin 1990, si një prej themeluesve të degës së Lushnjes, ndërsa jetonte ende në Gradisht në Lushnje.

Edhe pse  epoka e persekutimit ishte mbyllur përgjithmonë, në familjen e tij, Sherif Kaloshi vijoi të përjetonte dhimbje të mëdha, me vrasjen e të nipit, Bujar Kaloshit, në vitin 1996 e pak vite më parë, edhe të djalit të tij, në Kanada. Pas gjithë këtij kalvari, nën kthetrat e një sëmundjeje të pashërueshme, në moshën 80-vjeçare, Sherif Kaloshi i mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë pas një histori vërtet të trishtë, me bilanc tragjik dhe pa mundur të vendosë drejtësi për gjithë terrorin e përjetuar./kujto.al

Lexo edhe:

Dëshmia rrëqethëse: Kur dola nga burgu nuk i njihja fëmijët

ObserverKult