Historia e dy mollave

Nga Daut Dauti

Dy molla me ngjyra të ndryshme kanë hyrë në historinë e dy popujve që gjenden në dy skaje të ndryshme të Evropës. Fjala është për Mollën e Kuqe dhe për Mollën Bojëhini (Ngjyrë e Hirtë). E para, pra Molla e Kuqe, gjendet në historinë e shqiptarëve kurse kjo e dyta në atë të anglezëve.

Në vitin 1066 mbreti anglez Haroldi, e mblodhi ushtrinë e tij te Molla Bojëhini në Hastings për ta ndalur invazionin e ushtrisë normane që erdhi nga Franca e që udhëhiqej nga mbreti William, i cili më vonë mori mbiemrin Pushtuesi. Ushtria angleze pësoi disfatë katastrofale. Kjo ka qenë beteja dhe humbja e fundit që anglezët e kanë zhvilluar në trojet e tyre. Përfundoi me humbje të turpshme por në fakt kjo doli të ishte fitorja më e madhe e anglezëve në historinë e tyre.

Deri në vitin 1066 anglezët kanë qenë të paorganizuar dhe bënin jetë kaotike sikur sot që bëjnë shqiptarët. Që nga largimi i romakëve, anglezët nuk e morën veten dhe dëshmuan të ishin popull mjaft primitiv. Vepronin si pula pa krye – siç thotë një fjalë e jona popullore pellazgo-iliro-dardane. Por, pushtuesit norman vendosën rend dhe qetësi në Angli. Anglezët nuk arritën të çlirohen kurrë nga normanët. Normanët themeluan një rend ekonomik dhe politik në të cilin anglezët do të organizoheshin për t’u bërë superfuqi dhe për ta sunduar botën anipse jetonin nën pushtet të huaj. Për këtë arsye anglezët ua dijnë shumë për faleminerë normanëve që i kanë pushtuar.

Por, Molla Bojëhini ka mbetur simbol i humbjes për anglezët. Kështu është edhe me shqiptarët për shkak se një mollë me ngjyrë tjetër, në këtë rast Molla e Kuqe, është bërë simbol i humbjes së territoreve shqiptare. Këtu ka elemente të përbashkëta në mes anglezëve dhe shqiptarëve – dy popujve luftarakë dhe të lashtë evropianë. Molla te të dy popujt është simbol dhe ushqim i rëndësishëm. Anglezët, sikur edhe shqiptarët, kultivojnë dhe konsumojnë shumë lloje të mollave. Madje, këtu ekziston edhe një bashkëpunim në mes shqiptarëve dhe anglezëve. Shqiptarët në Kosovë kanë marrë nga anglezët sortën e mollës Delicious por të cilën ne e quajmë Delishec.

Në rastin e këtyre dy popujve, me dy lloje të mollave, ka edhe disa dallime. Ta zëmë, anglezët e dijnë saktësisht se ku ka qenë Molla Bojëhini kurse shqiptarët nuk kanë ide se ku ka qenë ajo e tyrja – e kuqja. Plus, anglezët nuk bëhen aspak merak për ngjarjen e mollës së tyre bojëhini kurse shqiptarët ende vajtojnë për mollën e tyre edhepse nuk e dijnë se ku ka qenë. Me pak fjalë, anglezët janë popull praktik dhe jetojnë në realitet kurse shqiptarët në andrra. Ky është njëfar dallimi./ ObserverKult