Historia e fotografisë së Pandeli Koçit, shkrepur nga Qerim Vrioni

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë shkrimtarit, Pandeli Koçi.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Nga Qerim Vrioni

Pandeli Koçi, shoku im prej gjimnazit “Ali Demi” të Vlorës, futej atëherë në grupin e shokëve që shkonim për plazh te Kalaja e famshme e vlonjatëve, 2 km. larg qendrës së Lagjes Uji i Ftohët. Në shkollë e dinim se ai merrej me letërsi, jo si ne të tjerët, vetëm duke lexuar, por edhe shkruante dhe botonte në fillim te “Pioneri” dhe “Zeri i Rinisë“. Më vonë Pandeliu nisi të botonte edhe tek gazeta “Drita”dhe revista “Nëntori”.

Pas fillimit të universitetit në degën gjuhë-letërsi, Pandeliu bashkë me familjen, u zhvendos në Tiranë, ku u afrua me qarqe letrarësh dhe artistësh. Ndërkohë, nisi botimet e krijimtarisë së tij. Veçse, ai e pjesëtoi autorësinë e shkrimeve midis emrit Pandeli Koçi dhe emrit letrar Sazan Goliku (deti Adriatik dhe mali i fshatit të origjinës, Lekëli). Kështu, në vitin 1972, botoi vëllimin “Pasqyra e thyer (tregime e rrëfenja) që ishte dalja e parë para lexuesve me një botim. Prej atëherë, ka botuar mbi 30 libra për fëmijë dhe mbi 15 për të rritur.

E vyer dhe kurajoze është ndihmesa e Pandeli Koçit në vitet ’70-të për njohjen dhe sjelljen para publikut shqiptar të letërsisë së shkrimtarëve nga Kosova. Të mos harrohet se ishte koha e kur politika zyrtare kishte bërë të vetën parrullën qesharake “vëllezër kinezë dhe miq kosovarë“.

Për disa vite u përqendrua edhe në letërsinë për fëmijë, ku ndihmesa e tij për këtë degë të letërsisë, në të dy anët e kufirit londinez të shqiptarëve, është shumë e ndjeshme.

Puna e tij në fushën e letrave që i mori shumë kohë, ishte redaktimi. Sot ai mbahet si një nga “dinosaurët e fundit” të redaktimit te ne, një profesion që dita-ditës, po humbet, natyrisht, në dëm të letërsisë.

Redaktimi i jep mjaft kënaqësi Pandeliut aq sa edhe kur ka përpara diçka vetëm për lexim, ai merr penën dhe nis korrigjimet. Kështu ndodhi edhe atë ditë pas kafes, kur nisi të lexonte diçka, nxorri penën dhe filloi punën…

Në atë çaste e fotografova ashtu të kërrusur mbi një dorëshkrim.

Ishte tetor 2018.

ObserverKult


Lexo edhe:

QERIM VRIONI: GJERGJ LEKA- SIMBOLI I MUZIKËS SË BUKUR