Mark Topallaj ka lindur më 18 gusht 1937 në Rrëshen, në rrethin e Mirditës – aktor dhe regjisor. Jeta e tij dhe kontakti me artin skenik është e karakterizuar me ngjarje dhe kthesa të pabesueshme.
Mark Topallaj, punonte si teknik gjeolog në Rubik, dhe aty luhej një dramë në të cilën merrnin pjesë puntorë dhe mësues. Topallaj kishte një rol të vogël.
Asokohe Rubiku ishte një zonë që ishin të pranishëm shumë intelektualë. Ishin inxhinierë sovjetik, shqiptarë dhe mësues, njerëz që e kuptonin dramën ndaj dhe në fund pati një sukses. Pas këtij momenti njerëzit e inkurajuan që të konkurronte.
Topallaj ashtu veproi , shkoi në Tiranë dhe hyri në konkurs. Ishte viti 1959 në këtë konkurs, në juri, ishte dhe pedagogu i tij i famshëm Xhemal Broja, Drejtor i Teatrit dhe i Institutit të Arteve. Ishte Prof. Andrea Malo, (regjisor) dhe një regjisore ruse e quajtur Cefranova.
Në konkurs ishin 40 veta nga ku fituan nga konkurrentët vetëm dy. Regjisori dhe aktori i ardhshëm Topallaj do të interpretonte një pjesë nga poezia e Migjenit “Poema e mjerimit” dhe një pjesë ruse. Keshtu fiton ai dhe Irena Ballkameni një vajzë nga Korça.
Pas tre javësh në shkollë ai detyrohet ta ndërprejë atë nga një urdhër që i erdhi atij dhe që duhej të kalonte në Mirditë, si gjeolog, pasi kishte bërë një kurs njëvjeçar për gjeologji. Nuk arrinte ta besonte këtë gjë, i kishin thyer ëndrrën e jetës.
Kthimi në shkollën për aktor do të ishte një tjetër surprizë po kësaj radhe e kënaqshme. Një histori e gjatë dhe e bukur. Regjisorja e atëhereshme e Teatrit rusia Çefranova, pas prishjes së mardhënieve, natyrisht si shumë të tjerë ikën në Rusi. Ndërkohë edhe vetë aktorin e largojnë në janar të vitit 1961.
Kthehet në Lajthizë të Oroshit ku rifillon punën si gjeolog. Por Mark Topallajn më vonë e thërrasin edhe njëherë në shkollën e aktrimit. Në një intervistë dhënë në gazetën më të madhe ruse, “Pravda” për artin në Shqipëri, ajo midis të tjerave kish thënë se aty nuk respektohet arti, sepse një djalë të talentuar me emrin Mark Topollaj, e heqin nga shkolla pa asnjë arsye. Pra, në Shqipëri nuk vlerësohet arti, as njerëzit e aftë. Markut do ja thonë të gjitha këto dhe vetëm një vit më pas në janar 1961, ndërsa ndodhej në Lajthizë të Oroshit, Lurë, ku kishte rifilluar punë si gjeolog.
Puna i kishte ngelur e gjitha mbi shpatullat e tij mbasi të gjithë specialistët rusë kishin ikur. Çuditërisht, një ditë vjen aty, drejtori i Gjeologjisë Bajram Cuku dhe një teknik që do merrte dorëzimet, duke ia transmetuar vetë ai lajmin Markut.
Jepi dorëzimet këtij tekniku, se do të ikësh në shkollë për aktor. Edhe njëherë nuk po e besonte megjithatë kësaj radhe gati sa nuk fluturonte nga gezimi. Ai do të mesojë se këtë nder e ka nga Xhemal Broja, një njeri me zemër të madhe. Gjithsesi kthehet në Tiranë në shkollën ku kishte dy muaj që kishte filluar.
Vetëm pas tre javëve rifillon odiseja e ikjeve dhe e kthimeve. Instruktori i Komitetit Qendror Tafik Çaushi ja komunikon Drejtorit te Teatrit, Broja që Mark Topollaj do të shkojë në Mirditë. Drejtori e kundërshtoi, por instruktori e la drejtorin duke i thënë që kështu ka vendosur Partia. Marku do të detyrohet të ikë me lot ndër sy, përsëri. Aty në Mirditë e thërrasin për një rol tek filmi artistik “Komisari i Dritës”.
Të themi të drejtën roli kryesor i ishte caktuar pikërisht Mark Topallajt por me urdhër të Fadil Paçramit ju kalua Rikard Ljarjes. Që nga Mirdita Marku do kalojë në një fshat të largët, Prosek.
Aty e caktuan përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës. Kjo siç duket e revoltoi Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës dhe dërgoi tek ai shkrimtarin Ali Abdihoxha, për ta takuar. Ai ishte zëvëndësminsitër në atë kohë dhe pasi e pyet sa gjatë e gjerë “Pse të hoqën, ç’ke bërë, me kë je zënë?” ikën. Më pas, aty tek Marku do të vijnë Thoma Deliana, atëherë, ministër dhe skulptori i madh, Kristaq Rama, i cili më vonë u bë miku i tij më i madh.
Ministri i transmeton Markut qe kishte folur me ata të partisë në Mirditë dhe do të kthehej në Tiranë. Mark Topallaj priste por më kot, në fakt mbas disa ditësh do të ndodhej për një punë në Shkodër, rastësisht aty takon Thoma Delianën, Ministrin, që pasi e merr vesh flet me Sekretarin e Parë, Jorgji Shuli dhe Topallajt i vjen transferimi i menjëhershëm në Tiranë në Kinostudio. Aty kishte filluar të konsolidohej.
Punohej me shumë pasion. Topallaj do gjej ketu shumë njerëz të përkushtuar, por problemi i tij tani do të ishte fjetja ku detyrohej të shkonte në Hotel por rroga nuk i dilte ngaqë ishte dhe i martuar.
Atëherë Kryetar i Tiranës ishte Abdyl Këllezi dhe më ndërhyrjen e Thoma Delianës i japin shtëpi menjëherë. Ai kishte filluar prap të mos i besonte këto kthesa të menjëhershme. Tani kishte nje shtëpi në qendër të Tiranës nje shtëpi e vogël, por me vlera të jashtëzakonshme.
Në Kinostudio fillon punën si asistent – regjisor me Dhimitër Anagnostin, tek “Plagë të vjetra”. Pedantizmi i tij i bëri shumë mirë duke e vënl atë në punë. Anagnosti do t’i kërkonte gjërat me një precizion të lartë. Topallaj ishte asistent për aktorët, por ndërkohë bënte edhe rikuizitën.
Njëkohësisht, i dhanë dhe një rol. Pra, asistent, rekuizitën dhe rolin, tre punë bashkë tek ky film. Pastaj më vonë do të jetë si asistent në filmin “Mëngjese lufte”, me regjisor Kristaq Dhamo. Pra, ai kishte shansin që punoi që në fillim me dy regjisorë shumë të mirë, nga të cilët përfitoi shumë.
Mësonte me shumë zell ai nga regjisorët edhe ngaqë ishte i ri. Njëri ishte korrekt, tjetri kishte një fantazi të çuditshme. Me Kristaqin, pastaj do të fillojë të bëjë edhe regjisorin.
Do të jetë vetë Kristaq Dhamo që duke e lënë në kontroll do ta lejojë Markun të xhirojë rreth 30 përqind të filmit “Mëngjese lufte”. Këto ishin dy filma ku ishte asistent. Më vonë do të xhirojë vet filma, dokumentare dhe akoma më tutje do të ketë edhe një rol te filmi “Lugina e pushkatarëve“.
Filmi i parë i Topallajt si regjisor do të ishte “Dollia e dasmës time” i cili u prit shumë mirë. Filmat tanë aprovoheshin nga Komiteti Qendror. Kur kishte shkuar ky film për aprovim, erdhën zërat se e kishin pritur shumë mirë.
Më pas filmi i kalohet për ta parë Enver Hoxhës. Ai e pa, u entusiazmua dhe ka shkruar rreth tre faqe analizë, tek vepra e tij e 36-të. Aty flet për një vajzë, ku Enveri e krahason me Brixhid Bardonë, ku ai vlerësoi skenarin, artistët, por për regjisorin, për Mark Topallaj ai nuk do të thotë asnjë fjalë. Fakti është se filmi u pëlqye por ai nuk u vlerësua.
Pastaj, ai do të bëjë filmin “Heronjtë e Vigut”. Film artisik me skenar të Kol Jakovës. Pra, pas një suksei të madh të filmit “Dollia e dasmës time”, ky film u bllokua fare. Nuk u la të shfaqej. Për të pati shumë diskutime, dikush thoshte ishte skenar i dobët, dikush regjia e dobët, dikush të tjera, por filmi u bllokua.
Ramiz Alia, bashkë me Drejtorin e Kinostudios dhe disa antarë të KQ, e thërrasin Markun dhe e lajmërojnë se filmin do ta bllokojnë me një motiv te thjeshtë, pasi atë rol që luante Ndrek Luca ishtë një përfaqësues i legalitetit, dhe njerëzit kanë nostalgji për legalitetin, ndaj nuk duhen zgjuar këto simpati.
S’duam t’ia dëgjojmë as emrin legalitetit. Pyetjet që do t’i bëheshin atij nga Ramiz Alia ishin: “Pse e ke nxjerrë Mirditën revolucionare?” Unë kam qenë Sekretar i Rinisë në kohën e luftës në Gojan të Mirditës, kur u futëm në fshat gjithë burrat ikën nga shtëpitë dhe na shikonin nga larg, se çfarë do bënim.
Donin të na vrisnin në qoftë se do të hynim në shtëpi. Pra, Mirdita ka qenë katolike reaksionare, e theksoj këtë. Pse e ke nxjerrë Mirditën revolucionare? – këmbengulte Ramizi.” Mark Topallaj në momentin më të vështirë të jetës së tij do të përgjigjej: “Mirdita ka pas dy cilësi, kush ka qenë kundër Partisë ka vdekur, kush ka qenë me partinë ka vdekur për partinë.”
Në këtë moment i ndjeri Kol Jakova, një burrë i mirë, luajti nga vendi dhe i thotë Ramizi që nuk kishte punë me Markun, skenarin e kishte shkruar ai….. Marku merr frymë thellë duke u ndier disi i liruar mbasi ishte i sigurt se askush nuk do t’i dilte për zot.. Që nga ky film, atë e lanë dy vjet pa i besuar asnjë film tjetër. Gjithashtu ai vazhdonte të ishte në tension të madh, se kudo në parti diskutohej ky film.
Në parti nuk thuhej se ishte gabim ideologjik, kjo ide rrinte varur, ata thoshin se Topallaj nuk kishte bërë punë të mirë, si regjisor. Pas dy vjetësh atij do t’i ofrojnë disa filma dokumentarë si dhe filmin “Hetimi vazhdon”. Pas këtyre ai ka bërë filmin me shkrimtarin Agim Gjakova, “Guri i besës”, një film artistik për revoltën e puntorëve të Rubikut. Pastaj ka vijuar duke bërë një skenar tjetër me poetin Ndoc Papleka, “Dasma e shtyrë” dhe shumë filma të tjerë.
Ndër filmat dokumentarë, do të veçojmë filmin “Shqipëria turistike” i cili shfaqet dhe sot me shumë sukses. Por dhe ky film atëherë nuk u shfaq në publik, por vetëm në ambasadat tona nëpër botë, se për kohën u cilësua film shumë modern. Sot i tregon vlerat.
Veçohet edhe një dokumentar tjetër “Për shëndetin e popullit”, në vitin 1976 ku ai kishte filmuar për herë të parë Sali Berishën, që atëherë ishte mjek shumë i ri. Berisha do te bente praktiken në qendrën e Radiologjisë në Tiranë, dhe pedagogu i tij, Hysen Karai kur Topallaj i kërkon një personazh, e adreson atë tek Sali Berisha.
Mund të kujtojmë një episod nga jeta artistike e regjisorit dhe aktorit Topallaj. Në vitin 1962 do të vinte për vizitë në Shqipëri Çu En Lai. Po merreshin masat për një pritje madhështore. Për nder të tij do të recitoheshin dhe poezi që flsinin për miqësinë midis dy vendeve.
Drejtori i Teatrit Xhemal Broja dhe regjisori i talentuar Kujtim Spahivogli caktuan Mark Topallajn dhe Roland Trebickën.. Recitimi do të bëhej në Pallat të Brigadave ku do të ishte dhe shoku Enver. Markun e marrin për timbin e zërit dhe për arsye se ishte shtatgjatë dhe kishte nje zë të fortë.
Ai e pranon njëherë por të nesërmen Marku ndërron mendje. Shkon tek të dy dhe u thotë që nuk do të shkojë të recitoj. Ata shtangën. – “Në vend që të gëzohesh ti na thua jo, si ta kuptojmë këtë? S’ka arsye të mos shkosh. Mos e ço ndërmend se është punë me përgjegjësi” Marku këmbëngulte jo që jo.
Ata s’po u besonin veshëve. Xhemal Broja atëherë ngrihet në këmbë dhe godet me grusht tavolinën. “Ç’është kjo që po thua? Është detyrë e partisë, a e mendon ç’po thua? A e kupton sa pasoja ka kjo sjellje? Pa na thuaj arsyen, pse?
Marku i turpëruar, dhe kokëulur u thotë që nuk kishte pantallona, dy palë që i kishte i ishin grisur. “E si mundem të kthehem nga skena në ikje duke treguar mballomat”. Të gjithë qeshën dhe ia rrahën krahët.
Që atë çast e dërguan në një rrobaqepësi duke i bërë një kostum me porosi. E ku kishte parë ai një kostum të tillë. Madje më vonë e vuri re që e kishte dhe më të bukur se të Çu En Lait. Por koncerti nuk u bë në Pallatin e Brigadave, por në Teatër. Enver Hoxha nuk erdhi atë natë, por të gjithë të tjerët që nga Mehmet Shehu e me radhë ishin aty./preferenca-al.com
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Lexo edhe:
“BESA”, RRËFEHET AKTORI SHQIPTAR: PSE PRANOVA TË BËHEM PJESË E KËTIJ SERIALI
ObserverKult