Edith Durham, mbretëresha e malsorëve

Megjithëse e njohur me emrin e saj të dytë, Mary Edith Durham ka dhënë një kontribut me vlerë për kohën në të cilën ka jetuar si dhe një dëshmi të rëndësishme që trashëgohet deri në ditët e sotme.

Durham ka lindur në 1863 në Sheshin Hanover, Londër. Ishte më e madhja e nëntë fëmijëve. Në vitet 1878-1882, ajo ndoqi Kolegjin e Bredfordit. Kishte shumë ambicje artistike dhe u arsimua në Akademinë Mbretërore të Arteve. Ishte një ilustratore e shkëlqyer dhe jepte kontributin e saj në volumin e amfibëve dhe reptilëve të Historisë së Natyrës së Kembrixhit.

Pas vdekjes së të atit të saj i cili ishte një kirurg, ajo u kujdes për të ëmën. Ishte një eksperiencë e lodhshme për të dhe me rekomandim të doktorit të saj, ajo ndërmori një udhëtim nëpër brigjet e Dalmacisë, duke udhëtuar nga Trieste në Kotor e deri në Ballkan duke u përqendruar në Shqipëri.

Ajo shkruante, pikturonte dhe koleksiononte objekti arti dhe folklori. Jepte rregullisht kontributin e saj në revistën ”Man” dhe ishte anëtare e Institutit Mbretëror Antropologjik. Durham shkroi disa libra për çështjet e Ballkanit duke filluar librin Nëpër Tokat e Serbëve, një ditar i bukur i udhëtimeve të saj në Mal të Zi dhe Serbi si edhe librin Origjina, Tradita dhe Ligje të Fiseve të Ballkanit. Librat e saj demonstrojnë aftësitë e saj si shkrimtare dhe artiste por edhe mendimet dhe gjykimet e saj të thella në lidhje me Ballkanin dhe me politikën europiane në përgjithësi. Nëpërmjet tyre ajo donte të promovonte bashkëjetesën midis kombeve. Një nga librat e saj më të njohur është Shqipëria e Epërme, e cila shërben si një guidë për pjesën veriore të Shqipërisë pasi Durham përshkruan me detaje strukturat sociale, ligjet, besimet fetare dhe përrallat tradicionale të shqiptarëve.

Udhëtonte me këmbë ose me kalë nëpër zonat e pashkelura të Shqipërisë së Veriut dhe ju fitoi zemrën malësorëve të cilët e quajtën “Kralica e Malësorëve” ose “Mbretëresha e Malësoreve”. Ajo takonte njerëz të zakonshëm, hante ushqimin e tyre, provonte pijet e tyre (raki), qëndronte në banesat e tyre.

Koleksionoi objekte të Ballkanit, skeçe, piktura dhe fotografi dhe përveç këtyre qëndisma dhe veshje. Durham jetoi në një periudhë kur gratë duhet të ishin bashkëshorte dhe të kishin fëmijë.

Ndërsa ajo shkoi nëpër vende të ndryshme, guxonte dhe ndërmerrte role drejtuese dhe jetonte për të thënë të vërtetën. Në dokumentet e kohës, thuhej që Durhami ishte një grua strikte dhe ju binte shkurt komenteve të kota që të humbisnin kohën. Kishte kurajo dhe sens humori. Thuhej se tregonte anekdota të këndshme. Kishte shumë pak durim për gënjeshtrat dhe arritjet e saj ishin të mëdha për kohën që jetonte. Më pas ajo shkroi se ‘të prekje çdo ditë qytete të vogla ku gjuhë të ndryshme fliteshin, dhe veshje të ndryshme visheshin, të bënte që ta ndjeje jetën me vlerë dhe të magjepseshe nga Lindja e afërt’.

Dhe ajo që e magjepsi në Ballkan atë ishte Shqipëria dhe sa më shumë ajo e vizitonte këtë vend aq më shumë e mendonte atë me vlerë për ta ndihmuar dhe këtë lidhje të veçantë ajo e pati me gegët e Shqipërisë së veriut. Përmes kontributit të saj, ajo u përpoq që të rikthente Shqipërinë në kujtesën e Europës. U bë mbrojtësja e shqiptarëve që ndodheshin në errësirën e asaj kohe pasi Shqipëria nuk shfaqej ende si një shtet. Në vitin 1908, ajo kthehet në Shkodër përjetoi Revolucionin Xhonturk dhe kërkoi deklarimin e Kushtetutës në një kohë kur Shqipëria nuk e dinte se çfarë ishte Kushtetuta.

Rikthehet në Shkodër në vitet 1910 dhe pavarësisht se vuante nga nervi shiatik, ajo përjetoi largimin e turqve nga Shqipëria dhe luftoi intelektualisht për shqiptarët, kujdesej për refugjatët dhe punonte në spitalet ushtarake. Në 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë dhe largimi i turqve ishte një kohë e artë për vendin tonë sipas Durhamit. Dashuria e saj për shqiptarët vazhdoi edhe pasi ajo u largua nga Shqipëria.

Ajo më pas u bë sekretarja e Shoqatës Anglo-Shqiptare e cila përpiqej të sillte në mendjen e publikut çështjet e shqiptarëve. Ja dhuroi koleksionin e saj të kostumeve popullore, Muzeut Bankfield në Halifax (kjo është përshkruar në një monografi të Laura Start-it). Fotografitë, skicimet dhe bojërat e ujit janë në librarinë e Institutit Antropologjik Mbretëror. Ajo ishte anëtare e këtij instituti dhe gruaja e parë zëvendës-presidente. Ndiqte rregullisht dhe jepte kontribut për diskutime dhe publikime, ndihmonte administratën në shumë mënyra. Koleksioni i veprave të artit është i ndarë midis Muzeu Britanik, Muzeut Pit Rivers në Oksford dhe Muzeut Etnologjik në Kembrixh. Të gjitha janë të shoqëruara me shënime nga ana e saj. Vdiq në Londër në 15 nëntor 1944. Ishte duke fjetur dhe kishte lënë pas një arsenal të fuqishëm librash, kujtimesh, koleksionesh për Shqipërinë dhe Ballkanin./mapo