Historia e panjohur e Ferid Jegenit, njihuni me mësuesin patriot që hapi shkollat e para në Dibër

Foto ilustrim

Publikohet historia e panjohur të Ferid Tofik Jegenit me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili pasi mori mësimet e para në qytetin e lindjes dhe më pas në Selanik, bashkë me shumë djem dibranë vazhdoi studimet në kryeqendrën e Perandorisë osmane në Stamboll, duke ndjekur Fakultetin e Shkencave Ekzakte (Dega Matematikë), por u detyrua t‘i ndërpresë ato, pasi në atë kohë filluan trazirat e luftës ballkanike dhe familja u detyrua ta tërhiqte Feridin në Dibër, ku dhe nisi punën si sekretar krahinor në Komunën e Maqellarës, punë të cilën ai e vazhdoi deri në vitin 1915, ku bashkëpunoi ngushtë me këshillat e pleqve dhe popullin e asaj treve dhe me ndihmën e tyre u ndërtuan privatisht e u hapën 7 shkolla shqipe në fshatrat: Trebisht, Ostren i Vogël, Borovë, Klenjë, Stërblevë, Lejcan, Lladomiricë.

Kur Feridi punonte në krahinën e Gollobordës, në zbatim të vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1913, pas nëntë vitesh po përcaktohej në terren kufiri lindor i vendit tonë me Jugosllavinë, i caktuar që më 1913-ën, nga Traktati famëkeq i Londrës, nga një komision i ngritur për këtë qëllim. Në atë kohë, falë edhe gjuhëve të huaja që zotëronte, Feridi u thërrit si konsulent pranë atij komisioni, ku shërbeu disa muaj. Me punën e tij ai ndikoi shumë në vendimet e atij komisioni për vendosjen e vijës së kufirit, duke vërtetuar se të gjitha fshatrat e asaj zone, flisnin gjuhën shqipe.

Pasi Ferdi shërbeu edhe si drejtor i shkollës dhe i konviktit në fshatin Kastriot në Peshkopi, ai u transferua në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, me motivacionin; “Për ide të shkëlqyera në fushën e arsimit dhe për rolin e shkollës në një shoqëri të qytetëruar”. Por edhe pse Ferid Jegeni punoi me një përkushtim të rrallë për disa dekada në përhapjen e arsimit shqip, gjatë viteve të regjimit komunist, puna dhe kontributi i tij u la në harresë, duke mos i’u dhënë vendi që i takonte.

Ferid Jegeni, mësuesi që hapi shkollat e para në Dibër

Një ndër ata mijëra mësues të armatës së madhe të arsimtarëve shqiptarë, të cilët i’a kushtuan të gjithë jetën e tyre përhapjes së gjuhës shqipe dhe çështjes kombëtare, pa dyshim që mbetet edhe Ferid Jegeni. Një intelektual i njohur me origjinë nga Dibra e Madhe, puna dhe kontributi i të cilit, u la në harresë gjatë viteve të periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nisur nga ky fakt, në shenjë homazhi dhe nderimi, Memorie.al po e kujton këtë misionar të shquar të arsimit shqip, duke sjellë në këtë shkrim një histori të shkurtër të jetës dhe punës së tij, kryesisht në lëmin e arsimit.

Shkollimi në Manastir, Selanik e Stamboll

Sipas dëshmive dhe kujtimeve të disa prej pinjollëve të familjes së njohur Jegeni nga rrethi i Dibrës dhe të afërmve të tyre, Ferid Jegeni, i cili ishte djali i madh i patriotit të njohur, Tofik Jegeni, u lind në Dibër të Madhe, më 20 shtator të vitit 1893. Ata kujtojnë se Feridi vinte mesatar nga shtati, por kish një trup të lidhur, me sy depërtues dhe që shquhej jo vetëm për edukatën në të sjellur, por edhe për inteligjencën, gjë e cila shumë shpejt tërhoqi vëmendjen e mësuesve dhe shokëve të shkollës. Mësimet e para Feridi, i mori në qytetin e tij të lindjes, në Dibër të Madhe, ku dhe mbaroi me rezultate të larta shkollën qytetare, drejtor i së cilës në atë kohë ishte Abdyl efendi Tirana (Balla).

Nën drejtimin e të atit, Tofikut, bashkë me shumë djem të tjerë dibranë, Feridi mori mësimet e para në gjuhën shqipe me alfabetin e Stambollit. Mësimet e para në qytetin e lindjes, i mbaroi shkëlqyeshëm, duke u shpallur nxënësi më i mirë, dhe si shenjë stimulimi, nga drejtuesit e shkollës atij i dhuruan një orë prej floriri. Pasi mbaroi shkollën qytetëse në Manastir, Feridi, vazhdoi shkollën e mesme në qytetin e Selanikut në Greqi, ku ai u dallua në përvetësimin e gjuhëve të huaja. Si rezultat, në mbarimin e shkollës në Selanik, ai zotëronte shkëlqyeshëm turqishten, frëngjishten, arabishten dhe persishten. Pas kësaj ai ndoqi mësimet në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, në Stamboll, duke studiuar për shkencat ekzakte (në matematikë), por u detyrua t‘i ndërpresë ato, pasi në atë kohë filluan trazirat e luftës ballkanike. Si rezultat i atyre ngjarjeve, familja u detyrua ta tërhiqte Feridin në Dibër, ku dhe nisi punën si sekretar krahinor në Komunën e Maqellarës, punë të cilën ai e vazhdoi deri në vitin 1915.

Hap shkollat në Zerqan

Në atë periudhë kohe që Feridi shërbente si nëpunës në Komunën e Maqellarës, jashtë detyrës shtetërore, në mënyrë vullnetare, ai u mësonte të rinjve gjuhën shqipe. Por gjatë asaj kohe Feridin e brente lënia për gjysmë e shkollës në Stamboll dhe nisur nga ky fakt, ai i’u përvesh punës duke bërë të mundur që në vitin 1920, të jepte provimet dhe të merrte dëshminë e aftësisë për të dhënë mësim në shkollat e mesme të vendit. Pas kësaj, po atë vit, Feridi nisi detyrën e mësuesit në fshatin Patin të nënprefekturës së Matit.

Në dhjetor të vitit 1922, ai u emërua krahinar (kryetar komune), në trevën e Gollobordës. Sipas dëshmive të familjarëve të tij, Feridi, kujtonte shpesh se ajo periudhë kohe, kishte qenë vendimtare në përcaktimin e synimeve të tij, për t‘ju kushtuar përhapjes së gjuhës shqipe dhe mjaft problemeve të tjera që kishin të bënin me ç’ështjen kombëtare. Kjo është dhe periudha kur ai punoi intensivisht, me të gjitha fuqitë fizike e morale, për përhapjen e dijes e të kulturës në trevën e Dibrës. Në janar të vitit 1923, Feridi i bëri një kërkesë Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku argumenton domosdoshmërinë e hapjes së shkollave shqipe në nënprefekturën e Zerqanit, krahinë e cila historikisht kishte qenë arsimdashëse dhe kishte nxjerrë jo pak figura të shquara, por që në atë kohë ishte lënë në harresë.

Kërkesa e Feridit u pranua menjëherë nga Ministria e Arsimit dhe me miratimin e saj ai nis punën për të realizuar qëllimin që i kishte vënë vetes. Për këtë gjë, Feridi bashkëpunoi ngushtë me këshillat e pleqve dhe popullin e asaj treve. Me ndihmën e tyre u ndërtuan privatisht dhe u hapën 7 shkolla shqipe në fshatrat: Trebisht, Ostren i Vogël, Borovë, Klenjë, Stërblevë, Lejcan, Lladomiricë. Mirëpo, edhe pse u bë e mundur hapja e shkollave në këto fshatra të thellë, Feridi nuk e quante të përfunduar misionin e tij dhe qëllimin që i kishte vënë vetes, pasi mungonin mësuesit që do të jepnin mësim në ato shkolla. Nisur nga ky fakt, Feridi, nis të përgatisë vetë kuadrin mësues, duke udhëtuar fshat më fshat, në një reliev malor dhe kushte klimaterike të ashpra, duke organizuar kurse për përgatitjen e mësuesve të rinj.

Funksionar në Ministrinë e Arsimit

Në vitin 1924, Feridi krijon familje duke u martuar me një vajzë të re në Dibër të Madhe, e cila quhej Menduka Pustina, e bija e Ali Pustinës, nga familjet më të dëgjuara të Dibrës, mbesa e Nuredin Pustinës, dy personalitete, shoqërore e politike mjaft të njohura të asaj kohe. Ali Pustina ra heroikisht më 1914-ën, në luftë kundër pushtuesit serb, në zonën e Gollobordës. Sipas dokumenteve që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, (kutia nr.2, dosja 28, fleta 323, viti 1923), bëhet e ditur se Ferid Jegeni, ka shërbyer edhe si drejtor i shkollës dhe i konviktit në fshatin Kastriot në Peshkopi, duke qenë kështu i pari drejtor i emëruar i asaj shkolle të famshme, me mjaft emër jo vetëm në Qarkun e Dibrës, por edhe më gjerë.

Gjatë asaj periudhe që ai shërbeu pranë asaj shkolle, nuk mungojnë përpjekjet e jashtëzakonshme të Feridit për ta vënë punën në shkollë mbi baza shkencore dhe për të organizuar e sistemuar konviktin, i cili ishte i pari në atë trevë. Pas pesë viteve që shërbeu ai, në vitin 1928, Feridi transferohet në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, me motivacionin; për ide të shkëlqyera në fushën e arsimit dhe për rolin e shkollës në një shoqëri të qytetëruar. Feridi u përpoq dhe punoi me një përkushtim të rrallë, për një zhvillim të arsimit shqiptar mbi baza ligjore, shkencore e pedagogjike.

Largimi nga Ministria e Arsimit, si person “non grata”

Sipas dëshmive të familjarëve të tij, si një atdhetar dhe nacionalist i vendosur në çështjen kombëtare, në një kohë kur në arsimin dhe kulturën shqiptare kishin hyrë ideologji të huaja (ndikimi i metodave fashiste italiane), të rrezikshme dhe me pasoja për fatet e Shqipërisë, Ferid Jegeni, do të kundërshtonte, madje nuk do të lejonte ndërhyrjet imponuese në punën e arsimit shqiptar. Pikërisht për këtë qëndrim më 1938-ën, kur ishte funksionar në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, në moshën 45-vjeçare, e nxjerrin në pension, si person “non grata”.

Pas kësaj, Feridi kthehet në vendlindjen e tij tepër i zhgënjyer, dhe për të mposhtur dhimbjen e njëkohësisht dhe pafuqinë e vet, fillon të merret me mbarështrimin e çifligut të familjes, në Sokolliq të Dibrës së Madhe. Atë punë ai e bënte bashkë me të vëllain, Musa Jegenin.

Ndihmon në shkollimin e të rinjve dibranë

Gjatë periudhës kur Feridi punonte në Ministrinë e Arsimit, ku ai mbulonte edhe sektorin e bursave, ai bëri një përpjekje të madhe për t‘ju akorduar bursa shtetërore, mjaft fëmijëve dhe nxënësve dibranë dhe atyre të viseve të ndryshme të Kosovës. Kështu, gjatë asaj kohe shumë nxënësve nga trevat e Kosovës e të Dibrës, i’u dhanë bursa për të ndjekur shkollat e mesme dhe të larta, jo vetëm në shkollat, liceun pedagogjik dhe tregtar, apo në gjimnazin ushtarak dhe në shkollën Mbretërore Ushtarake në Tiranë e në qytetet kryesore të vendit, por edhe jashtë shtetit.

Në këtë periudhë, shumë djem dhe vajza dibrane u arsimuan me përkrahjen e Feridit, madje edhe të të vëllait të tij më të vogël, Isa Jegenit, i cili në atë kohë, ishte funksionar në Drejtorinë e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë. Vëllezërit Jegeni, që arsimimin e shihnin si një domosdoshmëri për mëvetësinë dhe përparimin e atdheut të tyre, pa shkelur parimin që t’u jepnin bursa nxënësve me nota shumë të mira dhe që ekonomikisht nuk kishin të ardhura financiare, mundoheshin të përkrahnin këta të fundit, të bindur se të pasurit do të mund t‘i mbanin fëmijët e tyre në shkollë me mundësitë e veta, e në këtë mënyrë rritej numri i të shkolluarve.

Feridi bënte punë agjitative dhe i nxiste familjet e të varfërve që të mos i pengonin fëmijët e tyre për të vazhduar shkollën. Madje, në shumë raste ua shkruante vetë kërkesat nxënësve. Një plejadë e tërë intelektualësh nga treva e Dibrës, jashtë dhe brenda kufirit, mbaruan shkollat e mesme dhe të larta, në sajë të kujdesit e ndihmës së madhe të Ferid dhe Isa Jegenit. Kështu vazhduan liceun e Korçës; Nazmi Uruçi, Akil Sakiqi, Muntaz Kodra e të tjerë djem dibranë, që më vunë u bënë kuadro të larta të shtetit shqiptar.

Në Shkollën Tregtare të Vlorës, studionin Xhevat Pustina, Remzi Verzivolli, Remzi Pustina etj. Në shkollën teknike “Harry Fultz”, Tiranë, studiuan Irfan Tërshana, Dali Ndreu etj. Po kështu, vëllezërit Jegeni kanë ndihmuar për të studiuar jashtë shtetit për shkencat mjekësore edhe Hiqmet Menzelnxhiun (Dibra), Abdulla Pashollin, Urfi Agollin, Shefqet Ndroqin etj., të cilët në specialitetet e tyre u bënë figura të shquara në mbarë vendin.

Kontributi i Jegenit, s‘u vlerësua nga regjimi komunist!

Por edhe pse Ferid Jegeni punoi me një përkushtim të rrallë për disa dekada në përhapjen e arsimit shqip, gjatë viteve të regjimit komunist, puna dhe kontributi i tij u la në harresë, duke mos i’u dhënë vendi që i takonte. Edhe pse në arkivat e shtetit shqiptar gjenden mjaft dokumente me relacionet e bërë kundër tij nga ana e legatës italiane, në periudhën kur Feridi punonte si drejtor drejtorie në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, atij nuk i’u dha kurrë pensioni patriotik.

Madje, jo vetëm kaq, por veprimtaria e tij në fushën e arsimit shkollor, ku qe jo vetëm mësues i nderuar e drejtues shkolle, por edhe drejtor drejtorie në Ministrinë e Arsimit deri në vitin 1938, nuk u përmend as nga shkruesit e historisë së arsimit në Shqipëri. Në muajin nëntor të vitit 1963, i harruar krejtësisht nga shteti të cilit ai i shërbeu për dekada me radhë, Ferid Jegeni ndërroi jetë, pa marrë edhe pensionin që i takonte. Vetëm pas viteve ‘90-të, me propozimin e Ministrisë së Arsimit, Presidenti i Republikës, Sali Berisha, me dekretin nr.642, datë 3.9.1993, i dha titullin “Mësues i Merituar”.

Jeta dhe puna e mësues Feridit në kujtimet e nxënësve të tij

“Ai ishte një misionar i vërtetë i arsimit shqip”

Sipas Vesel Pitarkës dhe Nefail Pustinës, ish-nxënës të shkollës qytetase të Kastriotit, Peshkopi, (shkollë ku kishte dhënë mësim Feridi), të cilët më vonë do të vazhdonin shkollën ushtarake në Tiranë, me ndërhyrjen e vëllezërve Jegeni, ata u dërguan për të studiuar në Itali. Përkatësisht për ‘Roje Finance’ dhe Inxhinieri, ‘Xhenier ushtarak’. Pas studimeve në Itali, Pitarka me Pustinën u kthyen në Shqipëri, ku patën një karrierë të shkëlqyer në fushat e tyre. Këta ish-nxënës të Ferid Jegenit, së bashku me shokët e tyre: Miftar Jegeni, Ahmet Jegeni dhe Hajri Jegeni, vite më vonë do të kujtonin: “Shkolla dhe konvikti “Dibra” në Kastriot të Peshkopisë, qenë ndër më të mirat e shkollave të vendit. Ferid Jegeni në atë kohë ishte drejtor i shkollës dhe i konviktit, i cili i rrinte mbi kokë vetë çdo pune. Flinte apo nuk flinte 4-5 orë gjumë në 24 orë, por ishte energjik dhe i papërtuar. Përveç kujdesit për përparim në mësime të nxënësve, ai u mësonte atyre të bënin një jetë të kulturuar, në çdo aspekt”. Një tjetër ish-nxënës i Feridit, Ruzhdi Shehu, oficer-akademist, kujton: “Ferid Jegeni atdhetarizmin e vet e manifestonte edhe në fushën fetare. Ai na i përkthente lutjet fetare nga arabishtja në shqip, që ne të luteshim në gjuhën tonë të bukur. Ai, kishte një shije të hollë, fjalë pak, por fjala e tij ishte për të gjithë bindëse. Ai, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ishte një misionar i arsimit shqiptar, me zemër të madhe, fisnik, mësues i denjë dhe patriot i ndershëm.

Historia e Feridit me Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, që e bindi komisionin që t‘i linte fshatrat shqiptarë këtej kufirit

Ndërkohë që Feridi punonte në krahinën e Gollobordës, në zbatim të vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1913, pas plot nëntë vitesh po përcaktohej në terren kufiri lindor i vendit tonë me Jugosllavinë, i caktuar që më 1913-ën, nga Traktati famëkeq i Londrës, nga një komision i ngritur për këtë qëllim. Në atë kohë, falë edhe gjuhëve të huaja që zotëronte, Feridi u thërrit si konsulent pranë atij komisioni, ku shërbeu disa muaj me radhë. Me punën e tij ai ndikoi shumë në vendimet e atij komisioni për vendosjen e vijës së kufirit, duke vërtetuar se të gjitha fshatrat e asaj zone, flisnin  gjuhën shqipe.

Jo vetëm familjarët e Ferid Jegenit, por edhe mjaft të moshuar të atyre zonave ku ai bashkëpunoi ngushtë me përfaqësuesit e huaj të kontrollit dhe ndarjes së kufijve, e mbajnë mend dhe tregojnë akoma në bisedat e tyre rreth odave dibrane, një histori të largët të ndodhur në ato anë kur ndahej kufiri. Ata tregojnë se si Feridi arriti të bindë Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, vetëm me anën e një manovrimi: Ai nxori nga xhepi një qese me para të vogla metalike (korona), dhe i’a dha një mësuesi në oborrin e një shkolle, duke e këshilluar t‘ua hidhte fëmijëve kur ata të dilnin në pushim.

Në prani të përfaqësuesve të Komisionit të Kontrollit të Kufijve, mësuesi dibran veproi ashtu si e porositi Feridi dhe menjëherë të gjithë fëmijët u hodhën për të marrë monedhat, duke thërritur: “Mora kaq, mora aq”. Bile nisën edhe të grinden. “Ma more p’i dore”, “Të marrtë drejqi” etj. Në këto çaste, Feridi u kthehet maqedonasve dhe u thotë: “Hë…, si flasin këtu fëmijët”?! Ata ngelën dhe deshën s‘deshën, thanë: “shqip”. Kështu, falë këtij manovrimi të Feridit, disa fshatra, si: Gjinovec, mali i Gjinovecit (1616 m. mbi nivelin e detit), mali i Raducit, fshati Vernica, Trebishti dhe të tjera, mbetën brenda kufirit tonë shtetëror. Madje, po të shikohet me vëmendje vija kufitare e atij sektori, pasi kufiri kalon nëpër kreshtën e masivit malor të Jabllanicës, në zonën që përshkruam më lart, ajo pëson një kurbim pikërisht te fshatrat dhe malet që treguam më sipër.

Për këtë histori kanë dëshmuar para disa vjetësh edhe Rasim Mata dhe i vëllai i tij, të cilët kishin qenë nxënës në shkollën kur ndodhi ajo histori që përshkruam më lart. Po kështu, lidhur me këtë ngjarje, ka dëshmuar edhe Ali Erebara, jurist dhe anëtar i atij komisioni. Kur është pyetur z. Ali Erebara për atë ngjarje, ai është shprehur: “Unë atë gjest që bani Feridi nuk kam me e harrue kurrë, nuk e ka ba njeri deri më sot. Por ai, Feridi ka shumë merita, sidomos në përhapjen e arsimit në atë zonë. Për këtë ka dokumente në arkiv, sepse çdo gjë është shënuar në procesverbalin e përcaktimit të kufijve”./Memorie.al


Lexo edhe:

“GABIMI I NJË DOKTORI VARROSET NË TOKË, I NJË ARKITEKTI BIE NË TOKË, I NJË MËSUESI ECËN NËPËR TOKË”