Publikohet historia e panjohur e Eshref Dano Boçarit, me origjinë nga fshati Tragjas i Vlorës, (pasardhës i Marko Boçarit të famshëm, që njihet si “Heroi i Revolucionit Grek”).
Në nëntorin e 1912-ës, u ngarkua nga “Komisioni i Festës”, për të pritur dhe shoqëruar Isa Boletinin e Ismail Qemalin, duke u vënë i gjithë në dispozicion të tyre dhe financoi shuma të mëdha parash për qeverinë e sapongritur që kryesonte Plaku i Vlorës.
Kontributi dhe angazhimi i madh i Eshref Danos në vitin 1914, për pritjen e popullsisë çame që u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre në Greqi, duke i sistemuar ata në familjet vlonjate dhe pasi i mbajti disa kohë me shpenzimet e tij, u sugjeroi atyre që mos të braktisnin trojet amtare dhe porositi e pagoi vaporrin, duke i rikthyer ata në shtëpitë e tyre në krahinën e Çamërisë.
Angazhimi i Eshref Danos në 1919-ën kur erdhi trupi i Ismail Qemalit për t’u varrosur në Vlorë, ku ai së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Ali Asllanin, u kujdesën për të gjitha ceremonitë që u zhvilluan në nderim të Plakut të Vlorës.
Dëshmia e Agim Boçarit, të birit të Eshref Danos, lidhur me angazhimin dhe financimin që i ati i tij, i bëri Luftës së Vlorës në 1920-ën, gjë për të cilën italianët e internuan familjarisht në Bari të Italisë, duke e konsideruar si “Prapavija e asaj Lufte”, refuzimi që i bëri Eshrefi propozimit të Mbretit Zog për t’u bërë deputet në periudhën e Monarkisë, mos pranimi prej tij i dekoratës së lartë të akorduar nga Mbreti Viktor Emanueli i Tretë në periudhën e pushtimit të vëndit, si dhe vdekja e tij në mjerim të plotë në një shtëpi me qera në Tiranë në vitin 1961, si dhe varrimi madhështor në Vlorë ku morrën pjesë mbi 2000 veta dhe asnjë nga autoritetet shtetërore?!
“Në fundin e nëntorit të vitit 1912 kur Isa Boletini erdhi në Vlorë për të marrë pjesë në ngritjen e Flamurit, ai u prit nga babai im, Eshref Dano Gjonboçari, të cilit atë gjë i’a kishte ngarkuar ‘Komisjoni i Festës’ dhe të dy kanë biseduar për rreth një orë kokë më kokë në shtëpinë e Xhyherjave, në lagjen Karabash, e cila që ka qenë e njohur si familje patriote. Po kështu gjatë atyre ditëve që u shpall Pavarësia e Shqipërisë, babai im e ka pritur dhe përcjellë disa herë Isa Boletinin, me gjithë Ismail Qemalin, të cilin e kishte një nga miqtë më të ngushtë dhe kur ai vdiq i helmuar në Itali, Eshrefi mori në mbrojtje dhe u kujdes për djalin e Ismail Beut, që i rrezikohej jeta dhe e nxorri jashtë kufijve të Shqipërisë. Babai im Eshref Dano është i njohur gjithashtu dhe për ndihmën e madhe që i dha popullsisë çame në vitin 1914, kur ata u shpërngulën me dhunë nga trojet e tyre në Greqi, si dhe në vitin 1920, kur ai ishte një nga njerzit që shpenzoi dhe mbajti me lekët e tij të gjithë Luftën e Vlorës.
Për atë ndihmë të madhe financiare që ai dha, italianët e konsideruan si “prapavija e asaj lufte” dhe megjithse e internuan familjarisht në Bishelje (Bari) të Italisë, ata detyroheshin ta respektonin si familje aristokrate”. Kështu e kujtonte mes të tjerash Agim Boçari, babanë e tij, Eshref Dano Gjonboçari, dhe historinë e familjes së tij tepër të njohur, e cila rrjedh nga trungu i të famëshmit Marko Boçari të Sulit, heroit të “Revolucionit grek”, që e ka varrin në Panteonin e Greqisë dhe është pinjoll nga dera e Gjon Boçarit nga Tragjasi i Vlorës, i cili që para gjashtë shekujve pati ngritur kalanë e famëshme, rrënojat e së cilës gjenden e dhe sot aty në fshatin Tragjas të vjetër.
Po kush është Eshref Dano Gjonboçari dhe cila është origjina e familjes së tij?
Cilat janë lidhjet e gjakut të Eshref Danos me Marko Boçarin e famshëm të Sulit që ndihmoi në fitoren e “Revolucit grek” dhe me Gjon Boçarin i cili ndërtoi Kalanë e Tragjasit në shekullin e XV-të?
Përse në nëntorin e vitit 1912 kur po përgatitej ngritja e Flamurit në Vlorë prej Ismail Qemalit, ‘Komisjoni i festës’ e ngarkoi Eshref Dano Gjonboçarin që të priste Isa Boletinin dhe përse ai mori në mbrojtje dhe u kujdes për djalin e Ismail Qemalit, duke e përcjellë atë jashtë Shqipërisë menjëherë pas vdekjes së të jatit? Cili është kontributi i Eshrefit në vitin 1914, për pritjen e çamëve që u përzunë me dhunë nga trojet e tyre në Greqi? Cila ishte gjendja ekonomike e Eshref Dano Boçarit dhe çfarë pronash dispononte ai në atë kohë që financoi Luftën e Vlorës, duke bërë që italianët ta konsideronin si “prapavija e asaj lufte” dhe ta intrenonin në Bari të Italisë me gjithë familje?
Cila është veprimtaria e tij gjatë viteve të Monarkisë së Zogut dhe si arriti Eshrefi që të bëhej një nga bamirësit më të mëdhej aq sa të njihej si “Çezma e fukarasë”?! Cilat ishin lidhjet e tija me politikanët e njohur të atyre viteve dhe me senatorin italian De La Rocca, dhe përse ai nuk e pranoi dekoratën “Cavaliere” nga Familja Mbretërore e Savojës së Italisë? Cili ishte qëndrimi i tij dhe i familjes gjatë periudhës së pushtimit fashist të Shqipërisë dhe përse ai që konsiderohej si një nga njerzit më të pasur me 220 hektarë tokë, e një nga bamirësit më të mëdhenj, u pa me sy të keq dhe pati probleme nga regjimi komunist i Enver Hoxhës?
Si jetoi ai gjatë periudhës së regjimit komunist dhe si vdiq në mjerim, pa pasur mundësinë që të kishte një shtëpi të tijën në Tiranë, ku ai jetoi si qeraxhi deri në 1961-in?! Lidhur me këto e plot fakte të tjera nga Eshref Dano Boçari dhe familja e tij, do njihemi në këtë shkrim nëpërmjet dëshmive të Agim Boçarit, të birit të tij.
Kush është Eshref Dano Boçari?
Origjina më e herëshme e familjes Boçari është nga Selaniku, nga ku pas shekullit të XI-të, ata janë shpërngulur në krahinën e Dibrës e në Krujë dhe pas vdekjes së Skënderbeut, u vendosën në Tragjas të Vlorës, ku akoma dhe sot ndodhen rrënojat e Kalasë së Gjon Boçarit, princit i cili e ndërtoi atë.
Po ashtu në stema e Boçarëve e cila ka një luan që i ngjason atij në stemën e qytetit të Tiranës, është e gdhendur në muret e Universitetit të Padovas në Itali, ku në vitin 1662, ka studjuar Nikolla Boçari. Nga trungu i kësaj familje është dhe Eshref Dano Boçari, i cili u lind në vitin 1886, në ‘Lagjen e Re’ të qytetit të Vlorës, ku i ati i tij, Ismaili, kishte ardhur aty nga viti 1870, pasi ishte shpërngulur nga Tragjasi. Eshrefi u shkollua në një nga shkollat turke (Mejtep) që ishin asokohe në atë krahinë dhe ai nuk vazhdoi më tej, sepse i’u vu mësimit të shqipes, që në atë kohë mësohej fshehurazi.
Në atë kohë, Eshrefi së bashku me disa miq të tij, u muar me shpërndarjen e librave shqipe, të cilat i merrte nga disa shoqëri të fshehta të asaj kohe. Në atë kohë, shpërndarja e librave në gjuhën shqipe që vinin fshehurazi nga Stambolli ishte e nadalur, e përbënte një rrezik të madh dhe për atë Eshrefi kishte mbrojtjen e Sali Murat Vranishtit dhe çetës së tij, me të cilën ai bashkëpunoi për disa kohë.
Pas vdekjes së të atit, Ismailit, dhe nënës së tij e cila ishte nga fisi i Suparakëve të Elbasanit, në vitin 1907, kur Eshrefi nuk ishte më shumë se 20 vjeç, ai mori përsipër barrën e gjithë familjes dhe u muar me të gjithë administrimin e pasurisë së familjes, e cila asokohe kishte mbi 220 hektarë tokë, nga të cilat 130 hektarë i kishte në bregdet, me disa mijra rrënjë ullinj. Eshrefi u martua në vitin 1905 dhe nga ajo martesë atij i lindën tetë djem dhe një vajzë. Djemtë e tij u quajtën: Njazi, Ismail, Skënder, Mithat, Muhedin, Gjon, Agim, dhe Agron, kurse vajza, Hava.
Pret Isa Boletinin në Vlorë
Eshref Dano Boçari njihej si një nga njerzit më me influencë dhe ai kishte një miqësi të madhe me Ismail Qemalin dhe familjen e tij. Lidhur me këtë, i biri i tij, Agimi dëshmonte: “Aty nga fundi i nëntorit 1912, kur po përgatitej Shpallja e Pavrësisë, ‘Komisioni i Festës’ që u ngrit për të pritur delegatët, caktoi babanë Eshrefin, që të priste Isa Boletinin. Babai e priti Isain tek familja patriote e Xhyherëve aty në Lagjen Karabash dhe ata të dy biseduan kokë më kokë për disa orë.
Ato ditë përveç Isa Boletinit, Eshrefi 26 vjeçar, priti dhe përcolli dhe Ismail Qemalin, të cilit i’u vu i tëri në dispozicion të tij dhe të qeverisë që ai kryesonte, duke e ndihmuar me të holla. Aty nga fundi i janarit 1919, kur në të gjithë Vlorën u hap lajmi se në Itali kishte vdekur i helmuar Ismail Qemali, Eshrefi së bashku me parinë e Vlorës, u mbluadhën për të biseduar se çfarë duhej të bënin.
Po kështu në shkurtin e 1919-ës kur u suall trupi i Ismail Qemalit nga Italia për t’u varrosur në Shqipëri, Eshrefi ishte një nga ata që u caktuan për të organizuar ceremoninë e varrimit. Kur erdhi trupi i Ismail Beut në Vlorë, arkivoli i tij ishte i mbuluara me flamurin italian dhe Ali Asllani, së bashku me Eshrefin dhe disa patriotë të tjerë e hoqën atë dhe e mbuluan me flamurin kombëtar.
Atë ditë Ali Asllani shkroi një vjershë ku midis të tjerash thuhet: “Vlora bëri siç e deshi / Me bajrak të saj e veshi / Veshi plakun me bajrak, / Me bajrakun ngjyrë gjak”. Gjatë ceremonisë së varrimit të Ismail Beut në Kaninë, foli dhe Eshrefi, ku midis të tjerash u shpreh: “Djalëri moj djalëri, / Rro e vdes për Shqipëri, / Siç rrojti e vdiq ai”.
Pas varrimit të Ismail Qemalit, paria e Vlorës i ngarkoi Eshrefit që ai të siguronte përcjelljen e djalit të tij jashtë Shqipërisë, pasi atij këtu i rrezikohej jeta. Babai u muar personalisht me atë problem dhe për sigurimin tij, ngarkoi Ramadan Aliun, Xhevit Aliun dhe Feti Haxhiun, të cilët e shoqëruan atë deri në kufi, nga ku ai iku në Itali duke u bashkuar me pjesën tjetër të familjes”, dëshmonte Agim Boçari, për babanë e tij Eshref Dano, i cili në 1912 priti Isa Boletinin dhe në 1919 u muar me ceremoninë e varrimit të Ismail Qemalit.
Strehuesi i çamëve në 1914-ën
Eshref Dano Boçari është njohur edhe si një nga bamirësit e mëdhej, për faktin se në vitin 1914, ai u muar me pritjen e sistemimin e çamëve, të cilët ishin shpërngulëur me dhunë nga trojet e tyre në Greqi.
Për këtë, Agimi dëshmonte: “Në vitin 1914 kur qeveria greke përzuri me dhunë me mijra shqiptarë të Çamërisë, të cilët erdhën në Vlorë, Eshrefi u muar personalisht me pritjen e tyre dhe ai shpenzoi shuma të mëdha parash, për t’i sistemuar ata në Vlorë. Në atë kohë, babai shkonte në çdo shtëpi vlonjate, të cilat kishin strehuar çamë dhe kujdesej për ta për çdo problem që kishin.
Nga kontributi i madh që ai dha në atë kohë për sistemimin e çamëve, emri i tij u bë shumë i njohur pothuaj në të gjithë çamërit e ardhur në rrethin e Vlorës. Në atë kohë, babai bëri edhe një propagandë të madhe tek çamërit që ata të mos i linin trojet e tyre atërore në Greqi dhe pasi arriti që t’i bindëte një pjesë të madhe të tyre, shpenzoi shuma të mëdha me flori, për t’u sjellë vaporrin, të cilin e vuri në dispozicion të tyre dhe i ktheu ata për në Çamëri.
Që nga ajo kohë babai lidhi një miqësi të ngushtë me shumë familje çame, si ato të Alush Takes, Hajro Plakut (i cili është rritër në familjen tonë) Musa Demit, Rasim Babametos etj., dhe neve na thoshte gjithmonë që ta ruanim miqësinë me ato familje”, kujtonte Agimi, lidhur me babanë e tij, Eshrefin, që ndihmoi popullsinë çame, të cilët ai i ndihmoi edhe në vitin 1940, kur ata erdhën përsëri në Vlorë dhe ai i mbajti ata me shpenzimet e tija, pasi Bashkia nuk u akordoi fonde.
Financon Luftën e Vlorës
Eshref Dano Boçari ishte një nga ata patriot që shpenëzoi shuma të mëdha me flori, për të mbajtur vullnetarët shqiptarë të cilët shkuan në Vlorë në qershorin e 1920-ës, për të luftuar kundër italianëve.
Lidhur me këtë, Agimi dëshmonte: “Në Luftën e Vlorës, babai Eshrefi dha një kontribut të madh duke ndihmuar me të holla për të mbajtur vullnetarët që shkuan aty nga e gjithë Shqipëria.
Në atë kohë Eshrefi u interesua për të ngritur spitalin fushor të Kotë-Drashovicës, i cili u ngrit për të mjekuar të plagosurit e asaj lufte dhe drejtohej nga Sezai Çomo Libohova, që babai e kishte mik të familjes. Lidhur me ndihmat në të holla që dha babai, ish-infermieri i atij spitali, Hasan Murat Goxho, në kujtimet e tij ka shkruar: ‘Doktor Sezaiu i kërkoi Eshref Danos që ta ndihmonte jo vetëm në të holla, por edhe që të interesohej e të gjente ilaçe e mjete të tjera të nevojshme për spitalin.
Eshrefi nuk nguroi dhe ai e ndihmoi atë me gjithë shpirt, duke i’a plotësuar të gjitha kërkesat’. Ndihma e Eshrefit nuk përfundoi vetëm me ato që ai dha për Luftën e Vlorës, por ai vazhdoi edhe më pas, duke dhënë shuma të mëdha parash edhe për Spitalin e Përgjithshëm të Vlorës, që kishte 50 shtretër, si dhe për Spitalin Psiqiatrik, me 40 shtretër.
Këto kontribute janë të shënuara në regjistrat e Bashkisë së Vlorës së asaj kohe, si dhe në ato të Ministrisë së Shëndetësisë. Për atë financim në të holla që Eshrefi dha në Luftën e Vlorës, italianët e internua familjarshit (me gruan Myneverin dhe djemtë Niaziun e Ismetin) në Bishelie (Bari) të Italisë.
Përveç atyre financimeve, Eshrefi vazhdimisht interesohej për familjet e vobekëta të Vlorës, duke i ndihmuar ata me të holla, e veçanërisht kujdesej për shkollimin e tyre.
Aq shume familje ka ndihmuar ai në atë kohë, saqë në Vlorë ai njihej ndryshe me epitetin “Çezma”, apo “Babai i fukarasë”. Pas Luftës së Vlorës, babai mori pjesë si delegat në Kongresin e Labërisë, i cili u mbajt në fshatin Kuç, më 28 nëntor të vitit 1924, gjë e cila u pasqyrua nga shumë gazeta të asaj kohe si “Dajti”, “Politika”. “Kombi”, “Demokratia”, etj. Asokohe Eshrefi kishte miqësi të ngushtë me shumë nga ministrat, deputetë e politikanë, si: Sulejman Delvina (Kryeministër) Nuredin Bej Vlora, (Kryetari i Bashkisë së Vlorës) Rasim Babameto (Prefekt i Gjirokastrës) Qazim Koculi, Ali Këlcyra, Baba Ahmetin, (Kryegjyshin Botëror të Bektashinjëve) Tol Arapin, Dom Nikoll Kaçorin, etj., dhe në vitin 1924, kur në zgjedhjet lokale që u bënë në Vlorë fitoi Partia Konservatore, babai më ka treguar se një nga bejlerët më të njohur të Vlorës, erdhi në shtëpinë tonë dhe pasi i’u ul në gjunjë para babait i tha: Eshref na shpëtove”, dëshmonte Agim Boçari, lidhur me kontributin e babait të tij, Eshrefit, i cili ishte një nga ata patriot që shpenzoi shuma të mëdha me flori për Luftën e Vlorës dhe financimin e fushatës elektorale të Partisë Konservatore (që bejlerët e Vlorës i’a njohën si meritë të tij) ndaj asaj Popullore, e cila i shihte si armiq bejlerët dhe familjet e pasura të asaj kohe.
Refuzon dekoratën e Italisë
Eshref Dano Boçari nuk pranoi që të merrej me politikë, por ai i’u kushtua vetëm punës dhe pronave të tija, si dhe bamirësive. Lidhur me këtë, i biri Agimi, dëshmonte: “Në atë kohë, përveç 220 hektarëve tokë, nga të cilat mbi 120 hektarë ishin në bregdetin e Jonufrit, familja jonë dispononte dhe mijra rrënjëve ullinj dhe 1 mulli bloje mielli (e kishte lënë falas për popullin), të cilat Eshrefit i’a kishte lënë trashëgimi i ati, Ismaili.
Përveç këtyre pronave të trashëguara, babai Eshrefi në vitin 1927, ngriti dhe një Fabrikë Mielli, e cila kushtoi 12.000 napolona ari dhe ishte tepër moderne për kohën, një mulli në Mifol, një në Fier dhe një në Ersekë, 15 baxho për djathë kaçkavall, të cilin e eksportonte në Itali, si dhe katër palë shtëpi në Vlorë, që ndodheshin në afërsi të spitalit të vjetër të kohës së Zogut.
Në atë kohë babai kishte miqësi me senatorin Italian, De la Rocca, i cili në mirbesim, pa asnjë lloj dokumenti, i vuri në dispozicion një shumë të madhe të hollash, që babai i’a ktheu në kohë.
Pas kësaj, miqësia me senatorin italian u lidh edhe më ngushtë dhe ai e ftonte shpesh Eshrefin në Itali, ku e prezantoi dhe me familjen Martinezi nga Brindizi. Përveç Italisë, në atë kohë babai kishte miqësira edhe me shumë familje e personalitete të politikës dhe ekonomisë nga vende të ndryshme të Europës, si Anglia, Franca, Greqia, etj., të cilët sa herë takoheshin me të, i kërkonin që ai t’i dërgonte fëmijët për të studiuar në ato shtete nën kujdesin e tyre. Ata u bënë sebep që dy vëllezërit, Niaziu me Ismailin, të studionin e të diplomoheshin në Korfuz e Bolonjë. Në vitin 1937, Mbreti Zog i dërgoi në shtëpi Ministrin e Oborrit, Sotir Martinin, për t’i kërkuar që të bëhej deputet i Parlamentit, por babai nuk pranoi dhe i tha Sotirit: ‘I thuaj Mbretit faleminderit, por tani është tepër vonë që unë të marr atë detyrë’.
Pas pushtimit të Shqipërisë në 1939-ën, në kuadrin e politikës pajtuese që italianët filluan të ndiqnin ndaj Shqipërisë, Mbreti i Italisë i akordoi dy dekorata “Kalorës i familjes Savoja”, që ishte titulli i fisnikërisë, për t’ua dhënë ato dy personaliteteve të njohura në Shqipëri. Për to u caktuan, një nga pasardhësit e familjes së Bushatllinjve dhe një për Eshrefin. Eshrefi refuzoi ta merrte atë titull të lartë, duke thënë: ‘Të bëhesha kushuri me Mbretin e Italisë para pushtimit të Shqipërisë do ta quaja për nder dhe do ta pranoja me kënaqësi, por pas pushtimit të Shqipërisë, nuk është më nder për mua”, dëshmonte Agim Boçari, lidhur me babanë e tij Eshrefin, i cili nuk pranoi ofertën e Zogut për deputet dhe as dekoratën që kërkoi t’i jepte familja e Mbretit Viktor Emanueli.
Varrimi madhështor në Vlorë
Gjatë viteve të pushtimit fashist të Shqipërisë, familja e Eshrefit në Vlorë u bë një nga bazat kryesore të Luftës, duke vënë në dispozicin të saj njerzit në moshë për armë, emrin dhe pasurinë e saj. Pas mbarimit të Luftës, familja jonë nuk u pa me sy të mirë nga regjimi komunist që erdhi në fuqi, për arsye se vëllai Ismaili pasi kishte shkuar për studime jashtë, nuk u kthye më në Shqipëri, por shkoi në Itali.
Pas ikjes së Ismailit, familja jonë pati shumë problem, me mosdhënien e pensionit patriotik të babait. Po kështu edhe vëllezërit u lëvizën nga vendet ku punonin.
Deri aty nga viti 1951, kur u lejua aktiviteti privat, babai u muarr me tregti, duke sjellë agrume në Tiranë. Më pas ai u mbyll në shtëpinë të cilën e kishim me qera, duke dalë shumë rrallë prej andej, por gjithmonë nën kujdesin e familjes dhe miqëve që vinin për ta vizituar. Eshrefi vdiq në vitin 1961 në Qishbardhë të Vlorës, teksa kishte shkuar për t’u shmallur në vëndlindjen e tij.
Në varrimin e tij, ndonëse nuk mori pjesë asnjë nga autoritetet shtetërore, populli i Vlorës e nderoi me një pjesmarrje spontane masive. Në atë paradite, në Vlorë u mbyllën të gjitha dyqanet dhe njerzit nxitonin për të marrë pjesë në varrimin e tij, ku u grumbulluan rreth 2000 vetë”, e përfundon rrëfimin e tij Agimi, për babanë Eshref Dano, pasardhësin të famëshmit Marko Boçari dhe një nga burrat më të njohur të Vlorës, i cili mbajti me shpenëzimet e tij çamët që edhën në 1914, finacoi Luftën e Vlorës të 1920-ës dhe mbarë familjet e vobekëta, të cilët kur vdiq, i kënduan: “O Eshref zëmër bujari / Trashëgim që nga i pari / Patriot mëmëdhetari / Rac e fis nga Gjonboçari / Edhe gurët sot po qajnë / O baba, shpirt për fukaranë”.
Familja Boçari, pasardhësit e Marko Boçarit, “Heroit të Revolucionit Grek”
Sipas shumë dëshmive gojore dhe të dhënave historike, familja Boçari e ka origjinën nga fshati Tragjas i rrethit të Vlorës, ku edhe sot ndodhen rrënojat e Kalasë së famëshme (në fshatin Tragjas i vjetër) që njihet me emrin Kalaja e Gjon Boçarit, i cili është një nga të parët e kësaj familje.
Nga të dhënat arkeologjike të cilat e datojnë këtë kala të ndërtuar aty nga shekulli i XV-të, mendohet që edhe i pari i kësaj familje, Gjon Boçari, të jetë vendosur aty po në fillimet e atij shekulli.
Po kështu mendohet se: kur pasardhësit e fundit të Arianitëve u larguan nga Shqipëria për në Venedik, në Tragjas ka pas ekzistuar Kalaja e Gjon Boçarit. Lidhur me origjinën e herëshme të familjes Boçari, ka disa hipoteza, se ajo e ka prejardhjen nga Selaniku, nga ku ata janë shpërngulur më pas në krahinën e Dibrës dhe nga aty, pasi kanë qëndruar për një kohë të shkurtër në Krujë, ata kanë zbritur në Jug të vendit, duke u vendosur në fshatin Tragjas të Vlorës.
Gjithnjë sipas dëshmive gojore, si të pasardhësve të kësaj familje, ashtu dhe të studiuesëve, mendohet se familje Boçari është ndarë në tre pjesë, duke u vendosur në Greqi, Itali dhe pjesa tjetër ka mbetur në Shqipëri. Ndarja e kësaj familje ka ardhur pas vdekjes së Skënderbeut, kur shumë nga princat shqiptarë u larguan nga Shqipëria, duke u vendosur në Italinë e Jugut, atje ku sot jetojnë pasardhësit e tyre (arbëreshët). Nga kjo ndarje e familjes Boçari, si ata që u vendosën në Greqi, ashtu dhe prej asaj që u vendos në Italinë e Jugut, nuk ka mbetur asnjë pasardhës i saj.
Ka të dhëna se nga pjesa e familjes që emigruan në Greqi, kanë mbetur disa pasardhës, të cilët nuk janë asimiluar edhe pse e kanë ndryshuar mbiemërin me prapashtesën që kanë zakonisht grekët, duke u quajtur me mbiemërin Boçaris. Aty nga fillimet e shekullit të XVII-të, kjo familje njihet dhe me dy mbiemra të tjerë, të quajtur Gjon dhe Dano Boçari.
Që nga ajo kohë që u ndërrua mbiemëri, shumë nga pasardhësit e trungut të saj, e kanë ruajtur atë deri në ditët e sotme, ku pinjollët e saj krahas mbiemërit Dano, vendosin dhe të parin, Gjon Boçari, me qëllim që të njihen se i përkasin asaj familje. Kjo gjë vërtetohet edhe me faktin se një pjesë e pasardhësëve të kësaj familje, jetojnë akoma në fshatin Tragjas dhe një pjesë tjetër në Vlorë e në Tiranë.
Një nga emrat e njohur të familjes Boçari, është dhe ai i Gjergj Boçarit, i cili ka jetuar në fshatin Sul, pasi ishte shpërngulur nga Tragjasi. Nga të dhënat gojore dhe dokomentare, thuhet se Gjergji është martuar tre herë dhe nga ato martesa, ai ka pasur 18 fëmijë dhe nga më të përmendurit ka qenë Kiçoja, i cili është babai i Marko Boçarit të famshëm, jo vetëm në trungun e kësaj familje, por dhe në Historinë e Shqipërisë dhe Ballkanit.
Marko Boçari ka lindur në vitin 1788 dhe njihet si “Heroi i Revolucionit Grek” e varri i tij sot gjendet në Panteonin e Greqisë, së bashku me personalitetet më të shquara të atij kombi. Për Marko Boçarin janë shkruar me dhjetra libra nga autorë të huaj, si: Bajroni, Viktor Hygo, Pukvilli, Blejker (anglez) Ogust Fabrë dhe Bryne de Prel (francez) Vakallopullos (grek) e shumë të tjerë. Lidhur me portretin e Marko Boçarit, studiuesi i famshëm Pukvilli, i cili ka qëndruar disa kohë në sarajet e Ali Pash Tepelenës, midis të tjerash ka shkruar: “Për ta nderuar Lord Bajronin, grekët i thanë se do t’i jepnin shpatën e Marko Boçarit gjatë një meshe në kishë, por Bajroni u tha se shpatën e Markos, ai do ta merrte vetëm mbi varrin e tij. Grekët bënë ashtu siç u tha Bajroni dhe kur i dhanë shpatën mbi varrin e tij, ai u shpreh: “Nga ky zë që del nga ky varr, buron vetë Liria e Greqisë”.
Po kështu në një përshkrim tjetër që Pukvilli i ka bërë Marko Boçarit, ai është shprehur: “Marko Boçari kishte diçka të jashtëzakonëshme, sa që e merrnin për pasardhës të Pellazgëve, bij të Fedhonit që qytetruan Epirin”. Me figurën e Marko Boçarit është marrë dhe Prof. Dr. Koli Xoxi, (një prej historianëve më të njohur në Shqipëri) i cili në mes të tjerash ka shkruar: “Për Marko Boçarin Qeveria revolucionare greke e kryesuar nga arbëreshi hidriot, Gjergj Kundurioti, shpalli zinë dhe ceremoninë kombëtare.
Përveç kësaj, i dërgoi dhe një letër vajzës së tij, Adës ku midis të tjerash thuhej: Në zinë tënde, ti ke shoqe Greqinë”. Një nga emrat e tjerë të njohur të familjes Boçari, është dhe ai Çaço Danos, i njohur ndryshe si “Çaço Këmisha”, i cili është nipi i Anastas Danos, vëllait të Gjergjit.
Çaço Dano (Këmisha) njihet si një nga prijsit e luftëtarëve të krahinës së Dukatit dhe të Bregut që luftuan kundër ushtrisë turke, të udhëhequr prej Ali Pash Tepelenës, në synimet e tija për ta pasur nën zotërim atë krahinë. Një nga studiuesit e tjerë që është marrë me historinë e familjes Boçari, është dhe Arif Thanasi, i cili në librin e tij “Tana e Labërisë”, të cilin nuk ka arritur dot ta botojë, midis të tjerash shkruan: “Me mbiemërin Boçari, nuk ka familje tjetër në Shqipëri, veç asaj të Sulit dhe të Tragjasit, të cilët rrjedhin nga e njëjta familje, e Boçarëve të Mirditës, që u shpërngulën nga ajo krahinë në kohën e dyndjes së turqve në Shqipëri, duke shkuar një pjesë në Sul të Janinës dhe tjetra e cila mbeti në Tragjas.
Duke u bazuar tek disa gojdhëna, disa nga banorët e parë të Tragjasit, para Gjon Boçarit dhe Gjon Mistrit, të cilëve sot nuk u njihet gjenealogjia, kanë qenë Mënga Leka, Dedë Çobani, Kol Toç etj.
Familjet më të vjetra që e kanë themeluar fshatin Tragjas dhe kanë lënë pasardhës deri në ditët e sotëme, kanë qenë ato të Gjon Boçarit dhe Gjon Mistrit”. Një nga pasardhësit e trungut të kësaj familje e cila i përket asaj pjese që nuk u shërngulën nga Shqipëria, është dhe familja e Ismail Boçarit, i cili është nipi i Çaços. Ismail Gjon Boçari u shpërngul nga fshati i tij Tragjas dhe u vendos në Vlorë aty rreth viteve 1870, ku dhe u martua me një vajzë nga dera e njohur e Suparakëve të Elbasanit.
Nga kjo martesë në vitin 1886, atyre u lindi një djalë, i cili u quajt Eshref Dano Boçari dhe një vajzë e cila u quajt Qafshije. Për Ismail Dano (Gjonboçari) thuhet se është helmuar nga një mjek grekë aty nga viti 1906, pasi ai njihej si kundërshtar i vendosur i synimeve të tyre. Lidhur me trashëgiminë e Eshref Danos (Gjon Boçari) si pasardhës i trungut të Gjonboçarëve, flitet dhe në një nga këngët popullore ku në mes të tjerash thuhet: “Ky Eshrefi i Boçarëve / gjak nga gjaku i të parëve “. Po kështu është edhe një këngë tjetër e cila është kënduar nga vlonjatët deri vonë, ku midis të tjerash thuhet: “Xha Eshref zëmër bujari / Trashëgim që nga i pari / Rac e fis Gjonboçari”/Memorie.al
ObserverKult
Lexo edhe:
LETRAT MË TË BUKURA TË DASHURISË: SI I SHKROI FRANZ KAFKA GAZETARES NGA PRAGA, MILENËS…