Letrat më të bukura të dashurisë: Si i shkroi Franz Kafka gazetares nga Praga, Milenës…

Besohet se letrat e Franz Kafka-s drejtuar gazetares nga Praga, Milena Jesenská, janë letrat më të bukura dhe më komplekset të shkruara ndonjëherë nga një shkrimtar drejt “së dashurës së tij.”  

Franz Kafka i shkroi Milena Jesenská-s letra të mbyllura, me një dërgues dhe me një marrës, që lexon në vetmi. Por, a përbën Franz Kafka ndonjë përjashtim, kur nis t’i shkruajë letra Milena Jesenská-s? A sjell ai ndonjë risi a pasurim përmes epistolarit të tij dashuror? Në fund të fundit, pavarësisht se libra epistolarë janë botuar me shumicë, a konsiderohen letrat si zhanër i mëvetëm letrar dhe a ruajnë letrat e Franz-it po atë gjenialitet që shfaqet në prozën e Kafkës?

“Letrat e Franz Kafka-s drejuar Milena Jesenská-s sot lexohen jo vetëm si letra dashurie, por si material i dorës së parë për të njohur më mirë e më thellë personalitetin e këtij shkrimtari, të cilin një pjesë e madhe e biografëve e cilësojnë si karakter tepër të mbyllur, disi misterioz, sidomos përsa u përket lidhjeve dashurore dhe marrëdhënieve me të tjerët, me veten, familjarët e me bashkëpunëtorët e tij.

Krahas këtyre, duke studiuar letrat është nxitur kureshtja për të ditur më shumë nëse kemi të bëjmë me një mistifikim, gjë që i nxit hulumtuesit dhe lexuesit të kërkojnë e të dinë më shumë rreth Milena Jesenská-s. A u shndërrua vërtet Milena në një alter ego të Kafka-s, në një mënyrë për t’i dhënë atij mundësinë e vetëzbulimit, që Franz-i i jepte vetes rastin e narracionit të brendshëm?”, na ka tërhequr vëmendjen ndër të tjera, studiuesja Silvana Leka, në një shkrim të herët për këtë subjekt , transmeton ‘standard.al’.

Letrat bëjnë të njohur një takim të vitit 1920. Miqësia e rrallë dhe e ngushtë mes tyre ia lë vendin ndjesive të tjera më të ndërlikuara e më të gjera se për t’u ndryrë vetëm brenda fjalës miqësi e thellë dhe e vërtetë. “Ndeshim zbulimin e pafundmë të madhështisë dhe dobësisë njerëzore, pasionin dhe drojën” shkruan Die Ëelt, e cila i krahason Letrat e Kafka-s drejtuar Milena Jesenská-s me një dokument jete, të ngjashëm me “Rrëfimet” e Jean-Jacques Rousseau-së.

Letrat, së bashku me Ditarët e Franz Kafka-s dëshmojnë se këto forma shkrimore e tejkalojnë një zhanër të veçantë letrar. Nuk është kurrë e mjaftueshme t’i cilësojmë ato as si novela fragmentare romantike, as si mendime e thënie rreth dashurisë, as si shënime nga gjendjet dëshpëruese, shpërblyese dhe vetëndëshkuese të Franz Kafka-s, të cilit i duhej një adresar për t’u shprehur më mirë e për këtë përdori Milena Jesenská-n . Përmes tyre bëhen të dukshme disa pamje të panjohura të personalitetit të Franz Kafka-s, të cilat vetë ai dinte t’i fshihte, t’i bënte të padukshme dhe të paqena më mirë se çdokush në vend të tij. Titulli është redaksional, origjinal është: Letërsia epistolare: Franz Kafka dhe Milena Jesenská

LETRA NGA FRANZ KAFKA PËR MILENA JESENSKA-n

Prill 1920

Merano-Untermais, Pensioni Ottoburg

E dashur zonja Milena,

sapo ka reshtur shiu i vazhdueshëm i dy ditëve e një nate, edhe pse ndoshta vetëm përkohësisht, megjithatë, kjo është një ngjarje që ia vlen të festohet dhe unë atë po bëj, duke ju shkruar. Meqë ra fjala, edhe shiu i durueshëm ishte, por mua këtu më rrethon një farë vetmie, e cila edhe pse e pakët, është balsam për zemrën. Edhe juve, në se mbresa që më keni lënë nuk më gënjen (një shoqërim aq i rrallë, sa nuk mund ta sjell dot ndërmend) ju ka dhuruar kënaqësi vetmia e Vjenës, me kalimin e kohës, ka të ngjarë që, për shkak të rrethanave të përgjithshme, ajo mund t’ju jetë bërë e zymtë, por a ju sjell me të vërtetë kënaqësi një vetmi e tillë? (gjë që, meqë ra fjala, do të ishte mbase një ogur i keq, i cili nuk duhet të jetë i tillë për asnjë shkak.)

Këtu jetoj mjaft mirë, më shumë kujdes se kaq do të ishte vështirë të mund të përballohej nga njeriu i ngratë, ballkoni i dhomës sime ndehet mbi një kopësht, mbuluar me shkurre të lulëzuara (e çuditshme është bimësia këtu, në një mot si ky, në Pragë, pothuajse edhe pellgjet ngrijnë, ndërsa rreth ballkonit tim lulet çelin një e nga një), ndërkohë shfaqur plotësisht ndaj diellit, më vizitojnë (ose në fakt, qiellit të mbuluar me re të rënda, si për gati një javë, tashmë), hardhuca dhe zogj në çifte të pabarabarta: Ah, sa do të dëshiroja që të ishit në Merano, ju më keni shkruar së afërmi mbi një ndjenjë angështie, imazhi dhe kuptimi i së cilës ngjasojnë shumë, dhe këtu, që të dy, mund të përballohen më lehtë.

Të fala të përzemërta

I juaji F Kafka

Merano – Untermais, Pensioni Ottoburg

E dashur zonja Milena,

ju kam shkruar nga Praga një copë letër dhe më vonë një tjetër edhe nga Merano. S’kam marrë asnjë përgjigje. Ndoshta copat e letrave të mia nuk meritonin një përgjigje të shpejtë dhe, nëse heshtja juaj nuk është gjë tjetër, veçse një shenjë e një mirëqenieje të kushtëzuar, e cila shpesh shprehet me një antipati kundrejt shkrimit, atëherë do të mbetesha tepër i lumtur. Gjithashtu është e mundur – dhe për këtë arsye po ju shkruaj – që t’ju kem lënduar, në njëfarë mënyre, me shënimet e mia (në qoftë se një gjë e tillë do të kishte ndodhur me të vërtetë nga dora ime e ashpër dhe në kundërshtim të çdo qëllimi tim), gjë që me siguri do të ishte keq, në rast se çasti i asaj frymëmarrje lehtësuese, për të cilën ju më keni shkruar, t’ju ketë dhënë lamtumirën dhe t’ju rrëmbejnë sërish kohërat e zymta. Përsa i përket mundësisë së parë, nuk di se çfarë t’ju them dhe as që më shkon ndërmend t’ju sugjeroja diçka, për mundësinë e dytë s’mund t’jua këshilloj dot – e si mund t’ju këshilloja? – por, vetëm mund t’ju pyes: Përse nuk dilni pak nga Vjena? Ju nuk jeni e pastrehë, si njerëzit e tjerë. A nuk do t’ju dhuronte fuqi të reja një qëndrim në Bohemi? Dhe, në qoftë se nuk dëshironi të shkoni në Bohemi, për shkak të ndonjë arsyeje që unë nuk e njoh, atëherë diku tjetër, ndoshta edhe në Merano, do t’ju bënte mirë. A keni dëgjuar për të? Atëherë dy gjëra pres nga ju. Ose heshtjen e vazhdueshme, që do të thotë: “Mos u shqetësoni, unë ndihem mjaft mirë.” Ose disa rreshta.

Përzemërsisht Kafka

Kujtoj vagullt fytyrën tuaj, në të vërtetë jo ndonjë hollësi të veçantë prej saj. Vetëm mënyra se si u larguat, nëpërmes tryezave të kafenesë, formën tuaj, fustanin, atë e kam ende parasysh.

[Merano, prill 1920]

E dashur Milena,

ju po sfiliteni me përkthimin, aty mes botës së zymtë të Vjenës. Ky fakt është disi mallëngjyes dhe turpërues për mua. Nga Ëolff-i ju duhet të keni marrë një letër, të paktën ai më ka shkruar disa kohë më parë rreth një letre të tillë.

Novelën “Vrasësit”, e cila duhet të ketë qenë shfaqur në një katalog, nuk e kam shkruar unë, ky është një keqkuptim; por, meqë për të flitet se është një nga më të arrirat, ka të ngjarë që kjo gjë të jetë edhe e vërtetë. Letrat tuaja, ajo e parafundit dhe ajo e fundit, më japin përshtypjen se jeni çliruar përfundimisht nga trazimi dhe shqetësimet, kjo falë edhe bashkëshortit tuaj; ah, sa ua dëshiroj këtë që të dyve. Mbaj mend një të diel pasdite, vite më parë, unë eca tinëz drejt murit të shtëpisë në Franzensquai, ku dhe u përballa me burrin tuaj, i cili nuk më la ndonjë përshtypje kushedi se çfarë, dy specialistë për dhimbje koke, por në artin e vet, secili krejtësisht i veçantë. Nuk më kujtohet nëse ecëm përkrah njëri-tjetrit, apo secili mori drejtimin e vet; ndryshimi i këtyre dy mundësive s’ma do mendja të ketë qenë shumë i madh.

Por kjo është e shkuar dhe duhet të mbetet në thellësi të harresës. A ka paqë në vatrën tuaj?

Përshëndetje të përzemërta

I juaji Kafka

Përktheu nga origjinali gjermanisht, Loreta Schillock