Historia e panjohur e ‘Veronikut’ te filmi ‘Vendimi’

Publikohen disa dokumente të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin viteve 1942-1945, ku bëhet fjalë për Ludovik Nikaj, me origjinë nga qyteti i Shkodrës dhe me banim në Tiranë.

Ai punonte si elektro-teknik, një nga të rinjtë komunistë e orëve të para, i cili më datën 2 maj të vitit 1942, teksa kishte shkuar në qytetin e Shkodrës së bashku me bashkëshorten e tij, Qefsere Bekaj, u arrestua nga forcat italiane dhe u dërgua në Kuesturë për t’u marrë në pyetje, në lidhje me veprimtarinë e aktivitetin e tij në radhët e Partisë Komuniste.

Por gjatë asaj kohe që ai mbahej i izoluar në qeli, me urdhër të Qarkorit Komunist të Shkodrës, u vendos eliminimi i tij, pasi dyshohej se ai kishte treguar shtëpitë dhe bazat ku strehoheshin komunistët, si dhe emrat e krerëve kryesorë të Partisë Komuniste.

Si u krye aksioni i njësiteve guerilje të qytetit të Shkodrës me në krye Perlat Rexhepin, (‘Hero i Popullit’), duke qëlluar me bomba dhe granata dore godinën e Kuesturës ku Ludoviku mbahej i izoluar dhe transferimi i tij nga autoritetet italiane për në Itali, duke e sistemuar në një kamp internimi afër Modenas.

Kthimi i Ludovikut në Shqipëri pas disa kërkesash që ai bëri pranë misionit ushtarak shqiptar në Romë dhe kërkesa e tij për t’u takuar me Enver Hoxhën, i cili nuk pranoi ta priste dhe dënimi i tij me vdekje nga Gjykata e Lartë Ushtarake në Tiranë, pas akuzave të bëra ndaj tij, si: “provokator, agjent i SIM-it dhe tradhëtar i PKSH-së”, i cili kishte treguar para italianëve, për bazat ku fshiheshin Qemal Stafa, Koci Xoxe, Perlat Rexhepi, Ali Demi, Beqir Minxhozi, Gjystina Sata, etj.

Dosja e plotë e procesit gjyqësor ndaj Ludovik Nikaj, për të cilin Enver Hoxha ka shkruar gjatë në librat e tij dhe për të u realizua edhe filmi “Vendimi” nga Kinostudio “Shqipëria e Re” e asaj kohe, si dhe dëshmitë e nipit të tij, Luigj Nikaj (Kastrioti), i cili tregon se të gjitha akuzat ndaj xhaxhait të tij, ishin të montuara nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste, me qëllim për të mbuluar prapaskenat që ata kishin bërë ndaj njëri tjetrit në periudhën e Luftës, siç ishte vrasja e Qemal Stafës, etj.!

Është periudha e pushtimit Italian të vendit, kur ‘Veroniku’, një i ri komunist 22 vjeçar, shkon në qytetin e Shkodrës dhe aty papritmas arrestohet nga forcat e karabinierisë italiane, të cilat fillimisht i kërkojnë dokumentet e identifikimit dhe pasi dyshojnë në përgjigjet e tij, e arrestojnë dhe e dërgojnë menjëherë në Kuesturë, për ta marrë në pyetje.

Fillimisht ai nuk pranon të tregojë, por pasi ndaj tij italianët bëhen gati të fillojnë torturat, duke e goditur me disa pëllëmbë në fytyrë, ‘Veroniku’ nis të ‘zbërthehet’, duke treguar fillimisht emrin e tij të vërtetë dhe arsyen se përse kishte shkuar në atë qytet, si dhe për gjithçka tjetër që ata e pyesin, duke u dhënë kështu autoriteteve të Kuesturës, të gjithë emrat e shokëve të tij komunistë, pseudonimet e tyre, krerët e grupeve që vepronin në mënyrë ilegale dhe udhëheqjen kryesore të Partisë Komuniste Shqiptare, celulat e bazat ku ata fshiheshin e strehoheshin, si dhe teknikën e Partisë, njerëzit që ata kishin të infiltruar deri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, etj..

Pas kësaj, në bazë të një plani të detajuar mirë, sipas të të dhënave që morën prej tij, Kuestura fillon goditjet e reprezaljet ndaj grupeve komuniste, duke arrestuar disa prej eksponentëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, si dhe duke bastisur disa nga bazat e tyre, ku ata gjetën edhe mjaft dokumente me shumë vlerë, të cilat dëshmonin qartë, rreth aktivitetit e veprimtarisë subversive të tyre. Pas kësaj, Qarkori komunist i Shkodrës, i vënë në dijeni rreth asaj që kishte ngjarë me ‘Veronikun’, nëpërmjet njeriut të tyre që vepronte i kamufluar brenda radhëve të efektivëve të Kuesturës, mblidhet urgjent në një mbledhje të jashtëzakonshme dhe pasi analizon situatën, për të parandaluar një goditje më të madhe nga autoritetet italiane, vendos që të kryente sa më shpejt një aksion mjaft të rrezikshëm, për eliminimin fizik të shokut të tyre komunist, spiunit ‘Veroniku’, i cili pasi kishte mundur të futej si provokator dhe agjent i SIM-it në radhët e grupeve antifashiste, kishte tradhtuar idealet komuniste, duke treguar shokët, bazat e tyre, teknikën e shtypin e Partisë, etj., e deri udhëheqjen më të lartë të Partisë Komuniste Shqiptare.

Aksioni arrin të kryhet nga ana e njësiteve guerilje të atij qyteti, të cilat afrohen te godina e Kuesturës në qytetin e Shkodrës dhe hedhin disa bomba e granata dore tek zyrat e saj e tek qelia ku mbahej i izoluar ‘Veroniku’, i cili shpëton paq, duke mbetur i plagosur me plagë të shumta në fytyrë dhe në të gjithë trupin që i kullon gjak, nga ciflat e granatave, që hodhën shokët e tij guerilas. Pas këtij aksioni, ku atentati nuk përfundoi me sukses, autoritetet italiane, nën pretekstin e kurimit (por në fakt për ta ruajtur atë), e marrin ‘Veronikun’ dhe e nisin menjëherë për në Itali, ku ai deri në mbarimin e Luftës, jetoi në kushte të mira, nën masa të rrepta sigurie. Por, pas shumë kohësh, aty mbërrin një njësit i dërguar enkas nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste Shqiptare, të cilët e rrëmbyen ‘ Veronikun’, dhe e sjellin në Shqipëri, ku ai detyrohet të japë llogari para ‘gjyqit të popullit’, për ‘tradhtinë’ që kishte bërë e në fund merr dënimin e merituar.

Kjo është pak a shumë një synops i filmit shqiptar “Vendimi”, të realizuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” në vitin 1984, me regjisor Kristaq Dhamo (“Artist i Popullit”) dhe skenar të Spiro Dede e Neshat Tozaj, ku interpretonin disa nga aktorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, si: Ndriçim Xhepa, “Veroniku”, Serafin Fanku (“Filipi”), Bujar Lako, Fane Bitaj, Guljelm Radoja, Xhevdet Ferri, Vangjush Furxhi, Robert Ndrenika, Anastas Kristofori, Eva Alikaj, Petrit Malaj, Edmond Budina, Ndrek Shkjezi, Koço Qendro, Liza Laska, etj.

Ky film i cili asokohe dhe më pas, (deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991), pati një jehonë të dhe bëri bujë të madhe, jo vetëm pse ai bazohej mbi një ngjarje të vërtetë mjaft të njohur, të ndodhur në periudhën e pushtimit fashist të vendit, por edhe për faktin se ishte herë e parë, që në një vepër të tillë artistike, trajtohej gjerësisht figura e udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxhës, si dhe ajo e disa prej figurave më të njohura të Partisë Komuniste Shqiptare të periudhës së Luftës, si: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Fiqret Shehu, etj.

Po kështu, filmi pati një jehonë edhe për faktin se për ngjarjen në fjalë, pra për “tradhtinë” e Ludovik Nikaj dhe Zef Ndojës, gjë e cila çoi jo vetëm në “dekonspirimin dhe goditjen e bazave kryesore të Partisë Komuniste”, por edhe të vrasjes së Qemal Stafës, Enver Hoxha, ishte ndalur e kishte shkruar gjatë në librat e tij me kujtime, që kishin filluar të botoheshin që nga fillimi i viteve ’80-të. Po a i qëndronte skenari i këtij filmi ngjarjes që lidhej me të riun komunist, Ludovik Nika e shokun e tij, Zef Ndoja, si dhe pasojat që erdhën pas arrestimit të tyre?

Që në fillim duhet thënë, se: bazuar mbi dokumentet arkivore që i përkasin ngjarjes në fjalë, të cilat janë bërë publike pas shembjes së regjimit komunist dhe kryesisht këto vitet e fundit, skenari i filmit “Vendimi”, jo vetëm që nuk i përgjigjet aspak së vërtetës, por ajo vepër artistike e propaganduar me bujë nga propaganda zyrtare e kohës, rezulton të jetë bërë enkas, me porosi nga “lart”, nga vetë Enver Hoxha, me qëllim për të fshehur dy nga ngjarjet më të përfolura të periudhës së pushtimit të vendit, siç ishte vrasja e Qemal Stafës dhe dekonspirimi i bazës (shtëpia e Shyqëri Këllezit, shoqëruesi i Enverit, gjatë periudhës që ai ishte ilegal), ku veç të tjerash mbahej edhe dokumentacioni i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, të 8 nëntorit 1941, ku Enver Hoxha rezultonte jo si sekretar i përgjithshëm, por vetëm si i ngarkuar me problemet e financave të Partisë.

Nisur nga sa më sipër, e para dhe më kryesorja që hedh poshtë të gjithë alibinë e Enver Hoxhës, me anë të filmit “Vendimi”, është fakti se Ludovik Nikaj, nuk u rrëmbye në Itali nga shërbimet sekrete shqiptare (Zbulimi Shqiptar i Sigurimit të Shtetit) dhe u soll i lidhur në atdhe për të dhënë llogari para gjyqit të popullit për tradhtinë e tij, ashtu siç paraqitet ‘Veroniku’ në film, por në bazë të dokumentave arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, (ku pjesa më e madhe e tyre publikohen për herë të parë në këtë shkrim nga Memorie.al), ai erdhi vetë në Shqipëri, me dëshirën e tij. Madje duke shkuar disa herë pranë misionit ushtarak shqiptar, që ishte asokohe në Itali, i kryesuar nga Halim Budo, ku bashkangjitur kërkesës për t’u kthyer në atdhe, Ludovik Nikaj kishte paraqitur edhe një dokument (vijë-sjellje), të lëshuar e firmosur nga komunistët italianë, që drejtonin celulën në kampin ku ai ishte mbajtur i internuar, ku ata shënonin, se ai kishte pasur një sjellje shembullore si militant komunist.

Një tjetër gjë që përsëri hedh poshtë alibinë e filmit “Vendimi”, është fakti se Ludovik Nikaj, pasi erdhi në Shqipëri, i shkroi një letër Enver Hoxhës, ku i kërkonte atij që ta priste në takim, për të sqaruar disa gjëra që kishin ndodhur në Shqipëri, gjatë periudhës së Luftës, ashtu dhe pas saj në Itali. Por Enver Hoxha, jo vetëm që nuk e priti “Veronikun” në takim, por ai i’u dha gjyqit ushtarak, i cili e dënoi me vdekje dhe u ekzekutua, pa mundur të takohej me ‘Komandantin”!

Po t’i referohemi në tërsi ngjarjes në fjalë, llogjika më e thjeshtë na thotë, se: nëse ai do të ndjehesh sadopak fajtor, nuk kishte përse vinte në Shqipëri, por mund të qëndronte në Itali, apo mund të shkonte në çdo vend tjetër në Perëndim si azilant politik, ashtu siç dhe shkuan asokohe eksponentë të tjerë të Partisë Komuniste Shqiptare që u akuzuan si tradhtarë nga Enver Hoxha, siç ishte Sadik Premtja, etj., apo dhe krerët kryesorë të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, si Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi etj.

Fakti që “Veroniku” (Ludovik Nikaj), nuk pranoi të qëndronte në Itali, ku ai jetonte i qetë me bashkëshorten e tij, (Qefsere Bekaj), tregon se ai ndjehej i pastër dhe nuk e vriste ndërgjegja mbi asgjë nga e kaluara e tij gjatë periudhës së Luftës, siç do të dëshmonte me shumë sinqeritet, gjatë procesit të tij gjyqësor. Por si për ironi të fatit, Ludoviku, erdhi vetë në Shqipëri, në fillimin e vitit 1945, si për t’i bërë një “dhuratë” Enver Hoxhës, në alibinë që ai (Enveri) do të krijonte vite me radhë për vrasjen e Qemal Stafës, në disa nga librat e tij dhe së fundi në vitin 1984, duke dhënë ‘miratimin’ për realizimin e filmit “Vendimi”, ku asokohe u angazhuan kineastët më të mirë të Shqipërisë.

Një tjetër gjë, që hedh poshtë përsëri alibinë e Enver Hoxhës dhe gjithashtu edhe të historiografisë e propagandës zyrtare mbi vrasjen e Qemal Stafës pas “tradhtisë së Ludovik Nikaj e Zef Ndojës”, është dhe fakti, se Ludoviku u arrestua nga italianët më datën 2 maj të vitit 1942, pikërisht atë ditë që Beqir Minxhozi kishte marrë me qera dhe kishte nënshkruar kontratën me të zotin e shtëpisë, ku do strehohej e do të vritej më pas, Qemal Stafa, më datën 5 maj 1942.

Një fakt tjetër që hedh dritë mbi arsyet e vërteta që e çuan Enver Hoxhën, të jepte ‘miratimin’ për realizimin e filmit “Vendimi”, ishin edhe raportet aspak të mira që ai kishte prej vitesh, me motrat e Qemal Stafës, të cilat sipas edhe ditarit të Nexhmije Hoxhës, i bërë publik kohët e fundit, jo vetëm që nuk e honepsin dot Enver Hoxhën, por ato nuk denjonin aspak edhe për t’a pritur atë, kur ai së bashku me Nexhmijen, shkonin tek familja e tyre me rastin e 5 majit, ditës së dëshmorëve.

Ndërsa të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, Memorie.al po publikon disa dokumente arkivore që botohen për herë të parë, të cilat dëshmojnë qartë dhe më së miri mbi manipulimin dhe deformimin e disa prej ngjarjeve më të përfolura të periudhës së Luftës Antifashiste, siç është dhe “tradhëtia” e Ludovik Nikaj e Zef Ndojës.

Procesi i gjykimit të Ludovik Nikës nga Gjykata Ushtarake e Korpusit të I-rë në Tiranë dhe dëshmitë e tij për akuzat që ishin ngritur si: ‘tradhëtar, provokator dhe agjent i SIM-it’

Ludovik Nika: Këto më bahen për inate personale dhe për xhelozi. Dyshoj mbi Gjystinën, pasi kjo e ka Marijen, kushërirë. Unë dikur kam dashur që të hidhem prapë në parti, por nuk më kanë pranue. Vrasjen e Perlatit e kam marrë vesh në Bari, ku na kishin internue.

Nuk e dija nëse ishte arrestue Koçi Xoxe, pas arrestimit tim, pasi unë këtij nuk i kam ditë as emnin.

P. P. (Pyetje, përgjigjie): Kiço Prokon nuk e kam kallzue, këtij i kam marrë nji leje, me ja dhanë Jovan Bajraktarit. Me Petro Bullatin, nuk kam fol fare. Duhet të merret parasysh edhe kontributi im, që i kam dhanë partisë.

Në kuesturën e Shkodrës, më kanë mbajtë 10-15 ditë dhe më pas më kanë internue në Itali. Atje nuk më çuen me qëllim që të më ruanin, pasi në kamp isha me izraelitët dhe jo me shqiptarët.

Siç thashë më parë, si agjent të SIM-it në Kuesturë kam njohur një Xhemal dhe Nush Dodën. Unë e kuptoj se kjo që kam ba është tradhëti.

Dëshmitë e Qefsere Beka, bashkëshortja e Ludovik Nikës

U prezantue tue qenë me roje, e pandehura Qefsere Beka, e martuar me të pandehurin Ludovik Nika dhe banuese në rrugën “Tafaj”.

Ajo deklaroi: Unë nuk e kam ndihmue të pandehurin Ludovik. Me të jam martue në vitin 1941, kur isha ilegale. Ne vajtëm në Shkodër për punë dhe jo për shëtitje. Kur u kthyem, na kapën dhe na dërguan në Kuesturë, ku ishte dhe e ëma e burrit. Na kanë pyetur për shokët dhe për vëllain tim, Ismail, që ishte në çetë. Por nuk kam tregue asnji, pasi na kanë pyetur veç e veç.

Nuk tregova sepse nuk më torturuen shumë, pasi më goditën vetëm nji herë. Ç’ka i kanë bë burrit, nuk e dij. Një prift ndërhyri që unë të kthehesha në katolike, për me shpëtue burrin dhe me ndërmjetësinë e tij, më vunë në nji dhomë me të. Atij i kam pa vetëm nji plagë të vogël mbi faqe, por nuk më tha se e kishin goditë.

Kur na qëlluen me bombë ne, kemi qënë të dy në nji dhomë dhe jo në qeli. Pasi u plagos Ludoviku, na dërguen në spital dhe më vonë na çuen në Itali. Pas këtij atentati, më pyetën se ku dyshoja, por nuk u thashë gjë. Pas atentatit dij se policia ka mbajtë qëndrim të mirë kundrejt burrit.

E kam pyetur këtë mbi atentatin dhe tha që nuk kujtoj që ta kenë ba komunistat. Mua më kanë pyetur dy veta. Ishim të internuar në Italinë e Veriut, në nji shtëpi dhe na paguanin 1500 lira në muaj. Ndenjëm një vit. Nuk kam dyshue për sjelljet e burrit, sepse atje kishte dhe jugosllavë. Por kur aleatët hynë në Bari, mua më thanë që të ndahesha prej tij, pasi ai ishte tradhtar.

Shkova tek Asim Jakova dhe ai më futi në punë, tek furra e bukës. Kur jam arrestue nuk kam tregue asnji. Prifti italian quhej Achille Bronotti.

Pyetje, pergjigjie: Burri më tha me shkue në Shkodër, se ishte ngarkue me punë, kurse unë jo, se isha e vogël. Qëndrimi i Kuesturës ndaj nesh, nuk ishte i keq. Kur u hodh bomba, na pyetën dhe thamë se nuk dijmë gjë.

Prokurori mori fjalën: Sikurse u provue para gjyqit i pandehuri prezent, ishte antar i Partisë, kur kjo ishte në organizim e sipër dhe luftonte okupatorin.

Veprimtaria e tij zgjati pak ditë dhe kur e dërgojnë në Shkodër, së bashku me nusen e tij, Qefseren, nuk plotësojnë punën e ngarkuar, por që kur arrestohen nga policia në pyetjet e para, thyhen dhe tregojnë bazat e luftës dhe fashizmi këtu, gjeti njeriun adapt për këtë punë.

Sikurse e pohoi dhe vetë, u kallzua shtëpia e Zef Ndojës, Jovan Bajraktarit, Marije Lezhjës, Kiço Prokos, u zbuluen shtëpitë ku shtypeshin traktet, etj. Më pas fashistët filluen arrestimet e shokëve dhe për këtë, PKSH-ja e dënoi me vdekje.

Pas atentatit me bombë në Kuesturë, ata i dërgojnë në Itali, ku sipas të shoqjes, i paguanin 1500 lira në muaj. Për shkak të tyre, u kapën shumë shokë dhe u rrethua e u vra heroi Qemal Stafa.

Pasi vepra e tij kriminale u provue, në emër të shokëve të rënë dhe në bazë të nenit 14, të ligjit nr. 41, mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake, të cilësohet kriminel dhe në bazë të nenit 18-të, të po atij ligji, të dënohet me VDEKJE.

Përsa i përket të pandehurës Qefsere, kjo ka pasë dijeni për veprimtarinë e të pandehurit Ludovik, e ka ndjekur burrin e saj këmba këmbës, deri në Itali dhe nuk pranoi ta ndante.

Prandaj në bazë të nenit 18-të, të po atij ligji, kërkoj që të dënohet me 5 vjet burgim.

U pyet i pandehuri Ludovik, për fjalën e fundit e kërkoi që t’i njihej kontributi që i kishte dhënë Partisë.

E pandehura Qefsere, tha se pretenca e Prokurorit ishte e padrejtë dhe se duhet të shpallej e pafajshme.

Mbasi nuk i mbeti tjetër gjyqit, në fund u dha ky: VENDIM

Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit rë I-rë në Tiranë, e formue prej: Kryetar Bilbil Klosi, N/kolonel, Antar Ismail Çaushi, Antar, Argjir Lipivani, me pjesëmarrjen e Prokurorit, Major Gjon Banushi dhe sekretarit Mustafa Zaja, u mblodh sot në datën 15.5.1945 për të gjykue të pandehurin Ludovik Nika, biri i Gjekës dhe i Sheqës, datëlindje 1921, lindur në Shkodër, pa fëmijë, i martue me Qefsere Bekën, i arsimue në shkollën Jezuite në Shkodër dhe të pandehurën Qefsere Beka, e bija e Hysenit dhe Kumes, vjeç 20, lindur dhe banuese në Tiranë, në rrugën “Tafaj”, e martuar me të pandehurin Ludovik Nika, në bazë të raportit të mbajtur nga Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, me akuzën se i pandehuri Ludovik, agjent provokator i fashizmit, tradhtar i PKSH-së, agjent i SIM-it:

Gjykata: Mbasi lexoi raportin e gjendur në dosje, mbasi mori në pyetje të pandehurit dhe dëgjoi apologjinë e tyre, konstatoi se:

Më datën 2 maj 1942, i pandehuri Ludovik Nika, shkon vullnetarisht në Shkodër, gjoja për punë organizative dhe në realitet sikundër e pohon me gojën e vet, nuk bën asnji punë, por bie në duart e policisë bashkë me të fejuarën e tij.

Se që në hetimet e para dhe në presionin ma të vogël që i bëhet nga ana e agjentëve të Kuesturës nuk heziton asnji moment, por tregon gjithçka që din mbi bazat e organizatës dhe mbi shokët udhëheqsa.

Ai e pohoi edhe vetë para gjykatës, nji pjesë të këtyre arrestimeve, si: kallzimin e Zef Ndojës e depos që ishte në shtëpinë e tij, kallzimin e Jovan Bajraktarit, Marije Lezhës, dhe Kristo Prokos, kurse zbulimet e tjera kuptohen nga grushti i fortë që fashizmi, i dha organizatës pikërisht pas tradhëtisë së Ludovikut, u arrestuen shokët: Koci Xoxe, Lefter Kasneci, Gjystina Sata, Ali Demi, Beqir Minxhozi, dhe me rrethimin që u bë në 5 maj 1942 heroit Qemal Stafa.

Se vetë Shërbimi Informativ i okupatorit SIM-i, e quan tradhëtinë e Ludovikut si një prej zbulimeve më të rëndësishme në Shqipëri rreth aktivitetit të komunistëve, ku në relacionin thuhej se Ludovik Nika u paraqit vullnetarisht në Kuesturën e Shkodrës dhe bëri tregime me rëndësi shumë të madhe rreth organizimit të përgjithshëm të shoqërisë subversive (Partisë Komuniste).

Se Ludovik Nika për tradhëtinë e tij atentohet nga komunistët bash në zyrën e Kuesturës ku qëndronte, se fashistët pas atentatit, duke e quajtur të rrezikuar spiunin e tyre të poshtër, e dërgojnë në nji katund në Italinë e Veriut, ku i japin nji rrogë mujore prej 1500 lirash.

Se Qefsere Beka nga adhurimi i tepërt që kishte për burrin e saj, e ndjek këmba këmbës dhe kur rezulton në tradhëtinë e lartë të burrit të saj, duke pa dhe atentatin që i’u bë, ajo shkon me të në Itali dhe konvertohet në katolike.

Gjykata tue marrë parasysh të gjithë veprimtarinë të të pandehurve Ludovik Nika dhe Qefsere Nika Beka, dhe humbjet që i kanë sjellë lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe pararojës së saj PKSH-së, Deklaron:

Në bazë të neneve 14 e 15 të ligjit nr. 41 mbi funksionimin dhe organizimin e Gjykatave Ushtarake konform kërkimit të Prokurorisë, e cilëson Ludovik Nikën si kriminel lufte dhe armik i popullit dhe Qefsere Bekën, sipas nenit 15 të apo atij ligji, armike të popullit dhe në mbështetje në nenit 18 të po atij ligji, Vendosi: Ndëshkimin e Ludovik Nikajt me VDEKJE.

Në kundërshtim me pretencën e Prokurorit për Qefsere Bekën, e dënon atë me 2 vjet burgim.

Ky vendim i shtrohet për shqyrtim pranë Gjykatës se Lartë Ushtarake.

Tiranë më 15.5.1945

Proces-verbali me fjalën e Ludovik Nikës në gjyq, pas dënimit të tij me vdekje

Proces-verbal

Ludovik Nika: Nuk është e vërtetë se kam qenë provokator dhe agjent i armikut, pasi jam zënë nga policija, shtëpinë e Shyqyri Këllezit nuk e kam treguar. Kam treguar nji pakicë shokësh. Përgjegjësin Mark, nuk e kam treguar.

Kam treguar se këta persona janë të mirë për Partinë, për Dushanin dhe Miladinin, kam treguar se janë të huaj.

Për grupet kam treguar se janë në zhvillim e sipër.

Dikur ato kanë qenë të ndara por tani janë bashkuar.

Për Dushanin dhe Miladinin, kam thënë se ato janë komunistë jugosllavë.

Në grup kam qenë përgjegjës i celulës në Itali dhe me këta shokë kam mbajtur lidhje.

Relacioni – promemorie i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, dërguar Gjyqit Ushtarak të Korpusit të I-rë, për dënimin me vdekje të Ludovik Nikës

MINISTRIA E LUFTËS DHE MBROJTJES KOMBËTARE

DREJTORIA E MBROJTJES SË POPULLIT

VDEKJE FASHIZMIT LIRI POPULLIT

Tiranë 1 maj 1945

GJYQIT USHT. KRAHINËS USHT. KORPUSIT TË I-rë.

Tiranë

Referohet kjo promemorie, për të qenë në dijeni të imët rreth veprimtarisë kriminale dhe tradhtare të Ludovik Gjergj Nikës të sjellë nga Italia dhe tashti i arrestuar pranë Brigadës së Parë të Mbrojtjes së Popullit.

Ludovik Nika, ka qenë anëtar i PKSH-së. Në 2 maj 1942, tradhëtoi pasi, u dorëzua vullnetarisht tek fashizmi dhe i tregoi Simit, gjitha për lëvizjen që ishte në zhvillim e sipër, duke u bërë agjent i tyre. Ludoviku, i tregoi gjithçka atyre që nga udhëheqësit, antarët, bazat sekrete ku shtypeshin traktet, dhe në fund iu sugjeroi atyre mënyrën për t’i goditur fort Lëvizjen Nacionalçlitimtare dhe përkrahësit e tyre.

Nga tradhëtia e tij u dëmtuan rëndë celulat e PKSH-së, si dhe u rrethua dhe u vra, Qemal Stafa. Për këto shërbime të vlefshme dhe të rëndësishme fashizmi, tregon kujdes të veçantë për ruajtjen e tij. Duke mos e pasur të sigurt atë në Tiranë, ku po bëheshin mjaft atentate ndaj fashistëve dhe agjentëve të tyre, ata e dërgojnë në Shkodër. Por edhe në Kuesturën e qytetit, shokët tentuan t’i bënin atentat. Pas dështimit të tij, fashistët e marrin Ludovikun bashkë me të fejuarën e tij dhe e dërgojnë në Itali.

Fakte të pakontestueshme për sa më sipër, nxirren nga proceset e tij origjinale, si dhe nga relacioni kuestorial i përpiluar nga tregimet e tij, të gjetura këto në Kuesturë. Në këto proçese Ludoviku u tregon fashistëve gjithçka që din mbi krerët e lëvizjes dhe partisë. Menjëherë pas tregimeve të tij, fillon fushata për goditjen ndaj eksponentëve komunistë. Disa dalin në ilegalitet. Shokët Lefter Kasneci, Njazi Demi, Ali Demi, Selim Alimerko, dënohen me vdekje, por më pas lihen në burg.

Rëndësinë dhe vlerën e madhe të tregimeve të tij bërë fashistëve, e gjejmë në relacionin e inspektorit kuestorial të cilat poshtë-shënohen në nji pjesë të vogël. Aty thuhet:

“Zbulime të qarta dhe të sigurta u mundën të bëheshin vetëm në 2 maj 1942, kur në Kuesturën e Shkodrës u paraqit Ludovik Nika. Ai bëri deponime shumë të rëndësishme rreth organizimit të “shoqërisë subversive” të udhëheqësve kryesorë të tyre, aderuesve dhe vendeve, ku ata kryenin aktivitetin e tyre”.

Dhe vijon: “Këto zbulime i vlejtën policisë, për arrestimin e disa përgjegjësve kryesorë si dhe për zbulimin e dokumentave shumë të rëndësishme, rreth funksionimit dhe organizimit të punës së komunistëve”. Dhe më poshtë: “I pari dhe më i rëndësishmi zbulim, qe ai i qendrës së fshehtë së nënpunësit të Ministrisë së P. Brëndshme, Zef Ndojës”.

Duke ndjekur deponimet e Ludovikut, policia mundi të zbulonte një depo të fshehtë në shtëpinë e Zefit. Një tjetër zbulim si i këtij lloji, i treguar po nga Ludovik Nika, u bë në shtëpinë e mekanikut Shyqyri Këllezi. Një nga njerëzit që bënte pjesë në “shoqërinë subversive” ishte dhe Jovan Nikolla Bajraktari. Ai u tregua nga Ludoviku, dhe u arrestua në 8 maj. Duhet theksuar se në 5 maj, një ditë pas kapjes së Zef Ndojës, u arrestua gruaja e tij Gjystina Sata, Marie Lezhja, Drita Kosturi, dhe Beqir Minxhozi. Me këtë rast ra në përpjekje me forcat e sigurimit publik, Qemal Stafa.

Ludovik Nika, është nga të parët që u hodh në tradhëti, shkoi në anën e armikut dhe i bëri këtij shërbime të vlefshme, në dëm të popullit shqiptar dhe luftës së tij. Në faktet e pakontestueshme që u përmendën më lart, vihet re se sa e madhe ka qenë tradhtia e tij. Me qëllim dhe vetëdije për punën që bën ai, nuk kursen asgjë. Që të gjithë që nga udhëheqësit kryesorë e deri tek simpatizantët e thjeshtë, ai i fut të tërë në listat e zeza të SIM-it dhe karabinierisë fashiste. Më pas ai, së bashku me ta thur mënyra për t’i goditur. Qëllimi i tij, drejtohet mu në zemër të lëvizjes dhe synon shkatërrimin e saj, rrezikon bijtë dhe bijat më të mirë të popullit, ata që po udhëheqin luftën për liri.

Dhe tradhëtia e tij pati pasoja të ndijshme. Në vazhdën e tradhëtisë dhe spiunlliqeve të dala prej tij, vijuan arrestimet, torturimet edhe ekzekutimet e shokëve. Në pyetjet e bëra nga shokët, Ludovik Nika, pranon se: “i ka treguar diçka arkmikut”. Por këtë e bëri sepse u torturua. Thekson se torturat nga njëra anë dhe dashuria për gruan, nga ana tjetër, e detyruan që t’ju hapte barkun fashistëve. Për këtë, kërkojmë të dënohet tradhëtija e tij, në mënyrën më shëmbullore. Pra për të kryer veprimet e duhura ligjore, po ju përcjellim tradhtarin dhe agjentin provokator, Ludovik Nika, me gjithë gruan e tij Qefsere, që mori pjesë në tradhëtinë e tij. /Memorie.al

DREJTORI I MBROJTJES SË POPULLIT

GJENERAL N/KOLONEL

KOÇI XOXE

——————————————

LEXO EDHE:

Kur Enver Hoxha falsifikonte hartimin e Qemal Stafës

ObserverKult