Në vitin 1967, me honorarin e serialit “Odisea”, ku portretizonte heroin homerik, Bekim Fehmiu do ta blente një veturë.
Veturën “Pezho 404” aktori ia bëri dhuratë nënës së tij Hedijes dhe me të e gjithë familja udhëtonte drejt vendeve ku Fehmiu po vuloste statusin prej yllit të kinematografisë.
Në vitin 1996, me një shumë simbolike, e bleu fotografi Burim Myftiu dhe prej vitesh e mbajti në oborrin e shtëpisë së tij në Prizren.
Me kalimin e kohës, vetura u dëmtua dhe sot ndodhet në gjendje gati të shkatërruar në një garazhë të Sallës së Sporteve të këtij qyteti.
Myftiu ka shprehur gatishmëri që veturën t’ia dhurojë qytetit të Prizrenit por Komuna ende nuk ka marrë një hap konkret për riparimin e saj.
Ai ka kujtime të shumta me të. Me veturën që dikur e ngaste Bekim Fehiu, e kishte kaluar kufirin në kohë lufte.
Ehat Oreshka nga klubi i “Old Timerëve” flet për karakteristikat e veturës, riparimi i së cilës mund të bëhet me rreth 15 mijë euro.
Emilija Rexhepi, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prizrenit, thotë se ky institcion ka gatishmëri të ndihmojë për riparimin e veturës, e cila do të përfshihej edhe në një ekspozitë që do t’i dedikohet Bekim Fehmiut.
“Brenda dhjetë ditësh do të hapet konkursi për subvencione. Nuk mund të them diçka paraprakisht por do të dëshiroja do të ndihmojmë edhe për këtë projekt. Dhe besoj që kemi kapacitet ta bëjmë këtë”.
Më 15 qershor të këtij viti, prizrenasit e kujtuan Bekim Fehmiun duke hedhur lule në Lumbardh në 10-vjetorin e tij të vdekjes./koha